0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Arsyet pse nuk i lejohet femrës muslimane të martohet me një jomusliman?

Më të lexuarat

Janë disa njerëz që ose nuk e kuptojnë, ose duan të mos e kuptojnë urtësinë në faktin se islami ia ndalon një myslimaneje të martohet me një jomysliman, sakaq ia lejon myslimanit të martohet me një ithtare të Librit.

Puna ka arritur gjer atje, saqë disa nga këta që nuk kuptojnë ose që hiqen që nuk kuptojnë, të akuzojnë dhe shpifin ndaj Sheriatit islam, duke e etiketuar si racist. Njëri prej këtyre qe shprehur se: Ky është muri racist ndarës.

Në fakt, shkaku i këtij ligji islam është vetë fakti që Islami e njeh si fe si judaizmin ashtu dhe krishterimin. Për rrjedhojë, islami i kërkon bashkëshortit mysliman që ta respektojnë fenë e bashkëshortes së tij që mund të jetë ithtare e Librit, si dhe simbolet e fesë së saj.

Kjo, i garanton gruas të mos ndihet në siklet në shtëpinë e bashkëshortit të saj mysliman, madje të kryejë të gjitha detyrat që i obligon feja dhe besimi i saj. Ky është një ligj dhe normë të cilën nuk e hasim tek jomyslimanët karshi myslimanëve.

Myslimani lexon në Kuranin fisnik:”Ne kemi dërguar Teuratin, në të cilin janë udhëzimet dhe drita.” (Maide, 44)

“Dhe i dhamë atij Ungjillin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë” (Maide, 46)

“I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij”. (Bekare, 285)

Gjithashtu, Kurani u bën thirrje të krishterëve dhe hebrenjve që të ndjekin ligjet e librave përkatës. “e kanë Teuratin, në të cilin është gjykimi i Allahut” (Maide, 43)

“Le të gjykojnë ithtarët e Ungjillit ashtu siç ka shpallur Allahu në të.” (Maide, 47)

Për rrjedhojë, bashkëshorti mysliman e ka detyrë që ti plotësojë të gjitha kushtet të shoqes së krishterë apo hebraike, të praktikojë ritet e besimit të saj.

Madje, të investojë dhe shpenzojë pasurinë që ajo të mos ketë asnjë pengesë në kryerjen e obligimeve të veta fetare. Profeti Muhamed a.s pati nënshkruar një marrëveshje me të krishterët e Nexhranit, e cila vlente dhe për të gjithë të krishterët e tjerë.

Në besën që Profeti a.s u pati dhënë të krishterëve thuhej ndër të tjera:”Nëse një e krishterë jeton në shtëpinë e një myslimani si bashkëshorte, ai (myslimani) duhet ta pranojë të shoqen e cila i përket një besimi tjetër ashtu siç është.

Veç kësaj, ta respektojë dëshirën e saj për të ndjekur klerikët dhe praktikuar ritet e fesë së vet, pa asnjë pengesë. Kushdo që e shkel këtë dhe i imponohet të shoqes në çështjet e fesë së saj, ka shkelur besën e Zotit, paktin e të dërguarit të Zotit dhe do të njihet tek Zoti si gënjeshtar.”

Bazuar në këtë legjislacion të Kuranit dhe traditës profetike, disa studiues myslimanë mendojnë se është e ndaluar që burri mysliman qoftë dhe ti kërkojë gruas së tij (të krishterë apo çifute) të pranojë islamin, nga frika se ajo mund të ndikohet nga kjo.

Bazuar në këtë legjislacion të drejtë, tolerant dhe të paprecedent, sahabi Hatib ibnu ebi Beltea në vitin 628, i qe drejtuar Mokakis – mbretit të koptëve të Egjiptit – pasi i kishte dorëzuar mesazhin e profetit Muhamed a.s:”dhe ne nuk ta ndalojmë fenë e mesisë, madje të urdhërojmë ta ndjekësh”.

Ky qëndrim i islamit i cili i njeh të gjitha të drejtat një bashkëshorteje jomyslimane të martuar me një mysliman, nuk ka ekuivalent dhe të ngjashëm tek jomyslimanët karshi myslimaneve.

Ata as që e njohin islamin si fe dhe besim hyjnor, nuk e pranojnë Muhamedin a.s si të dërguarin e Zotit dhe Kuranin si libër të Zotit. Që këtu, një ithtari të Librit s’ka si ti kërkohet që të respektojë fenë dhe besimin e bashkëshortes së tij myslimane, t’ia mundësojë asaj të kryejë ritualet fetare dhe të ruajë lidhjet me institucionet e saj fetare.

Prandaj, nëse një vajzë myslimane lidhet me një jomysliman, kjo përbën një kërcënim real për besimin dhe lirinë e saj fetare. E si mund ta respektojë atë dhe besimin e saj, dikush që as që e njeh fenë dhe nuk i respekton simbolet të cilave ajo u beson?!

Këtë e dëshmojnë qartë reagimet e disa organizmave dhe qarqeve jomyslimane, të cilat kanë vënë si objektiv blasfeminë ndaj islamit. Kjo, ndërkohë që në qarqet islame nuk gjen veçse respekt karshi simboleve fetare të tjera.

Nga-Muhamed Amare.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit