Pyetje:
Para disa ditësh kam lexuar një material ku thuhej se besimi i ardhjes së imam Mehdiut është i pasaktë dhe se nuk ka argumente të sakta rreth tij, e njëjta gjë thuhej edhe për rikthimin e Isait a.s, në kohën e fundit para Ditës së Kiametit. A kanë bazë këto mendime dhe sa të sakta dhe të argumentuara fetarisht janë ardhja e imam Mehdiut dhe kthimi i Isait a.s? Zoti ju shpërbleftë!
Përgjigje:
Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) ne hadithet e tij profetike na ka lajmëruar për shumë ngjarje dhe ndodhi të shkuara dhe për ato që do të vijnë deri në ditën e Kiametit. Natyrisht nuk ka lajmëruar për gjithçka, por për ato gjëra të rëndësishme të cilat janë pjesë e pandashme e fesë së pastër islame.
Muslimanët e dinë fare mirë se shumë prej ngjarjeve që Profeti (alejhissalatu uesselam) ka paralajmëruar janë shfaqur dhe kanë ndodhur ashtu siç janë përshkruar në hadithet e sakta profetike dhe shumë të tjera priten të shfaqen, duke u përmbushur kështu profecia e tij për gjithçka që ai ka paralajmëruar. Ndërkohë Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Ai nuk flet sipas qejfit të vet, por ajo (që thotë) është vetëm shpallje hyjnore, që i vjen atij.” Surja En-Nexhm 3-4. Ne nuk mund të mohojmë e as të pohojmë asgjë sipas dëshirës dhe as sipas mendjes sonë, por përderisa fjalët profetike janë pjesë e shpalljes hyjnore duhet të besojmë e të pranojmë gjithçka që ka ardhur nga Profeti (alejhissalatu uesselam) dhe është vërtetuar autenticiteti i saj pa mëdyshje. Të tilla janë edhe hadithe që përcillen nga Profeti për ardhjen e Isait a.s. dhe ardhjen e Mehdiut. Në të kundërtën bashkë me ardhjen e imam Mehdiut dhe zbritjen e Isait (a.s) nga qielli duhen mohuar dhe përgënjeshtruar dhe ardhja e Dexhxhalit, Jexhuxhët dhe Mexhuxhët e plot profeci të tjera të cilat lidhen me njëra tjetrën dhe janë ruajtur në të njëjtat koleksione hadithesh. Nuk ka pra kuptim të pranohen disa e të mohohen disa të tjera. Duhet të theksojmë se muslimanët suni, që janë edhe shumica dërmuese e muslimanëve gjatë gjithë historisë islame, dhe janë trashëgimtarët e vërtetë të udhës muhamedane, një nga parimet themelore të tyre në fe kanë edhe parimin e ndjekjes së Kuranit dhe Traditës autentike të Profetit, dhe nuk i refuzojnë këto të dyja me arsyetime interpretime që burojnë nga jashtë tyre.
Për sa i përket ardhjes së imam Mehdiut dhe zbritjes së Isalit (a.s) kanë ardhur një numër i madh hadithesh profetike ku mes tyre gjenden dhe transmetime të dobëta, mirëpo shumë prej tyre janë të vërteta dhe të sakta. Madje shumë prej dijetarëve të hershëm e të vonshëm kanë pohuar se numri i këtyre haditheve arrin gradën “Tevatur ma’nevijj” që do të thotë se kanë ardhur aq shumë hadithe në forma dhe versione të ndryshme sa që të gjitha bashkë flasin për të njëjtën gjë dhe të njëjtin fenomen, kështu që është e pamundur që të mohohet vërtetësia e këtyre pohimeve profetike. Prej dijetarëve që e pohojnë këtë do të veçonim: Imam Ebul-Hasen es-Sixhzi, imam Ibn Haxher el-Askalani, imam Ibn Haxher el-Hejtemi, imam Essekhavi, imam Esseffarini, imam Esh-sheukani, etj. Kurse vetë imam Sheukani ka një libër të posaçëm për këtë cështje “Etteudih fi tevaturi ma xhae fil-Mehdij el-Muntedhar ued-Dexhxhal uel-Mesih” ku tregon se hadithet e kësaj teme janë të shumta, përcillen nga një numër i madh i sahabëve, madje mes transmetimeve profetike përcillen shumë thënie të sahabëve të cilët dëshmojnë për vërtetësinë e kësaj çështjeje. Gjithashtu dijetarë të tjerë që kanë shkruar libra të posaçëm rreth kësaj janë shumë, prej tyre do të veçonim: “Imam Ebu Bekr ibn ebi Khajtheme, imam Ebu Nuajm el-Asbahani, imam Ibn Kethiri, imam Ibn Haxher el-Hejtemi, imam es-Sujuti, etj. Po ashtu shikojmë se këto hadithe të sakta ruhen në librat e njohur të sunetit si Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ahmedi, etj dhe janë përcjellë me të njëjtët zinxhirë transmetimi me të cilat janë përcjellë hadithe të tjera që i praktikojmë çdo ditë në adhurime të ndryshme.
Nga ana tjetër vërejmë se dijetarë të ndryshëm kanë kritikuar ashpër historianin e njohur, Ibn Khaldunin, i cili pretendonte se këto transmetime janë të dobëta. Së pari dijetarë të ndryshëm kanë qartësuar se Ibn Khalduni jo vetëm që nuk është ekspert i shkencës së hadithit, por në të njëjtën kohë ka kundërshtuar hapur besimin e dijetarëve të ehli sunetit nëpër shekuj për ardhjen e imam Mehdiut dhe zbritjen e Isait (a.s). Kësisoj kushdo që ndjek një gabim të tillë ka kundërshtuar hapur komentuesit e Kuranit, imamët e shquar, medh’hebet e njohura islame, përcjellësit dhe shpjeguesit e haditheve profetike, historianët më të mëdhenj nëpër shekuj dhe dijetarët e ehli sunetit në tërësi, të cilët kanë pohuar në librat e tyre përgjatë shekujve vërtetësinë e ardhjes së imam Mehdiut dhe zbritjen e Isait (a.s), si dhe rrezikun e madh që u kanoset atyre njerëzve që mohojnë hadithet e sakta profetike.
Muslimanët nëpër shekuj kanë ecur nën gjurmët e dijetarëve islamë. Sot shikojmë që muslimanët në përgjithësi janë larguar nga dijet fetare, andaj është shfaqur dukshëm padija dhe përhapja e dyshimeve është më e madhe. Atëherë, mohuesve të këtyre haditheve të sakta profetike u tërhiqet vëmendja dhe këshillohen të kthehen në rrugën që ndoqën dijetarët e mëdhenj të ymetit islam nëpër shekuj. Kjo është detyrë fetare e rëndësishme dhe duhet pasur kujdes nga dilemat që hedhin vazhdimisht njerëz që marrin për bazë vetëm Kuranin dhe lënë mënjanë shpesh hadithet qofshin këto edhe autentike. Kjo ide sot gjen shpesh përkrahës, të cilët pretendojnë se vetëm Kurani duhet ndjekur dhe se ai është i mjaftueshëm për muslimanët, kështu që s’ka nevojë për sqarimet që kanë ardhur në hadithet profetike. Ndërkohë Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj. Frikësojuni Allahut, sepse Allahu, dënon vërtet ashpër.”Surja Hashr 7. Ndërsa Profeti (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Vërtet mua më është dhënë Kur’ani dhe dicka e ngjashme me të.” Transmetuan Ahmedi dhe Ebu Davudi. Dijetarët sqarojnë se Profetit (alejhissalatu uesselam) i është dhënë një shpallje tjetër hyjnore që Profeti (alejhissalatu uesselam) e shpreh me fjalët e tij dhe kjo shpallje është suneti, i cili sqaron Kuranin famëlartë. Duke qenë se Suneti është sqarim i Kuranit dhe shpjegim i fesë në tërësi atëherë suneti është i ruajtur bashkë më Kuranin dhe askush nuk mund të hedhë dot baltë mbi hadithet e sakta profetike dhe kuptimet e tyre.
Allahu e di më së miri.
Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH