5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

A po afron një recesion i “jakave të bardha”?

Më të lexuarat

Mos u dëshpëroni ende për punonjësit e zyrave të korporatave, shkruan The Economist

Më 2 dhjetor, Zyra Amerikane e Statistikave të Punës (BLS), raportoi se numri i punëtorëve të punësuar në punë që nuk kishin lidhje me bujqësinë, u rrit me 263,000 në nëntor, një shifër më e ulët se rritja prej 284,000 në tetor, por që nuk tregon aspak rënie të përgjithshme.

Tregjet e punës mbeten jashtëzakonisht të shtrënguara, me 1.7 vende pune për çdo amerikan të papunë në tetor, sipas shifrave më të fundit të disponueshme. Shumë biznese po përballen ende me mungesën e personelit nëpër fabrika dhe restorante.

Ndërkohë, në një univers në dukje paralel, firmat amerikane të teknologjisë kanë shkarkuar 88,000 punëtorë në vitin 2022, sipas Crunchbase, firmë të dhënash. Bankat gjithashtu i kanë treguar derën stafit të tyre.

Banka Wells Fargo thuhet se ka shkurtuar me qindra vende pune nga divizioni i saj i hipotekave. Barclays pushoi nga puna rreth 200 punëtorë muajin e kaluar. Forcat e qëndrueshme të Wall Street, përfshirë bankat Goldman Sachs dhe Citigroup, kanë bërë gjithashtu shkurtime.

Titanët e shitjes me pakicë, si Amazon dhe Walmart kanë shkurtuar numrin e punonjësve të korporatave, por jo vendet e punës nëpër magazina dhe supermarkete. Më 5 dhjetor, Wall Street Journal raportoi se PepsiCo do të shkarkonte nga puna me “qindra” punëtorë në selinë e saj.

E gjithë kjo ka nxitur shumë shqetësime rreth një “recesioni të jakave të bardha” (siç quhen punonjësit që zakonisht punojnë në zyra dhe kanë paga më të larta, për t’i dalluar nga ata që kryejnë punë fizike). Ndryshe nga prirja e zakonshme, goditja po bie kryesisht mbi nivelet e larta të korporatave. Sa të shqetësuar duhet të jenë punonjësit amerikanë?

Në sipërfaqe, duket se ka mjaft hapësirë për rreziqe. Në dekadat e fundit, postet e larta kanë zënë një vend gjithnjë e më të madh në ekonominë e Amerikës. Profesionet menaxheriale dhe profesionale, tani përbëjnë 44% të punësimit total, nga 34% në vitin 2000, sipas firmës BLS. Pjesërisht, kjo reflekton rritje më të shpejtë të industrive si teknologjia dhe financat.

Por edhe brenda industrive, pjesa e profesionistëve “me jakë të bardhë”, është rritur. Në prodhim, ajo është rritur në 35% sot, nga 29% në vitin 2002; në sektorin e shitjes me pakicë ka shkuar në 15%, nga 12% dy dekada më parë. Automatizimi dhe transferimi jashtë vendit kanë ulur nevojën për punëtorë dore dhe arkëtarë, por kanë rritur nevojën për analistë biznesi dhe arkitektë sistemesh.

Disa nga këta punonjës tani janë në udhëkryq. Megjithatë, biseda për një recesion të punonjësve me “jakë të bardhë” duket e tepruar. Së pari, vendet e punës nëpër zyra mbeten të shumta.

Listat e pagave në sektorin e financave kanë arritur afërsisht nivelet para pandemike. Industria e teknologjisë punëson 10% më shumë staf sot se në janar 2020, sipas Shoqatës së Industrisë së Teknologjisë Informatike (Comptia). Edhe pasi Meta, gjiganti i mediave sociale, do të humbasë 11,000 punëtorët që pushoi nga puna muajin e kaluar, ajo do të punësojë gati 70% më shumë se para pandemisë.

Teknikët e pushuar nuk duhet ta kenë të vështirë të gjejnë punë sërish. Shumë firma të bazuara në modelin e ekonomisë së vjetër, kanë nevojë për aftësitë e tyre. Walmart, pavarësisht shkarkimeve nga puna, vazhdon të punësojë shkencëtarë të dhënash dhe profesionistë të tjerë të ngjashëm.

Tashmë 59% e profesionistëve të teknologjisë punojnë jashtë sektorit të teknologjisë, llogarit firma Comptia. Në përgjithësi, kërkesa për personel me pagë të lartë është e fortë si kurrë më parë. Norma e papunësisë për financierët, teknologët dhe menaxherët, është edhe më e ulët se norma e përgjithshme e papunësisë në Amerikë prej 3.7%, dhe ka rënë më tej në 12 muajt e fundit.

Për shkak të ndryshimeve demografike, firmat e vendeve të pasura do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të rekrutojnë punëtorë, pavarësisht nga ngjyra e jakës së tyre. Në Amerikë, pjesa e popullsisë së moshës 20 deri në 64 vjeç, ra nga 60% në vitin 2010, në 59% në vitin 2020, dhe deri në vitin 2030, do të bjerë në 56%, sipas Bankës Botërore.

Në Britaninë e Madhe dhe në Eurozonë, kjo pjesë e popullsisë pritet të ulet përkatësisht nga 58% në 56% dhe nga 59% në 56%, ndërmjet viteve 2020 dhe 2030. Brezat e rinj tani kanë më shumë gjasa të studiojnë dhe më pak gjasa të punojnë, duke rritur trysninë e ofertës së punës.

Rënia e emigracionit e shton problemin. Në vitin 2019, migrimi neto në Amerikë ishte 595,000, më i ulëti në më shumë se një dekadë, pjesërisht falë politikave dhe retorikës së administratës së Donald Trump.

Pandemia e uli edhe më tej, në 247,000 gjatë vitit deri në qershor 2021. Në Gjermani, imigracioni u rrit në mesin e viteve 2010, ndërsa vendi hapi dyert për refugjatët sirianë dhe refugjatët e tjerë, por ra në vitet pasuese.

Një rritje e përkohshme nga refugjatët ukrainas këtë vit, nuk do të mjaftojë për të zgjidhur mungesat e vazhdueshme të fuqisë punëtore në shumë fusha. Ndërkohë, qeveria e Britanisë e ka deklaruar veten “plotësisht të përkushtuar” për të ulur emigracionin neto.

Duke përjashtuar ndryshimet e mëdha në moshat e imigrimit ose të daljes në pension, në vitet e ardhshme, firmat do të duhet të zhvendosin fokusin e tyre për të arritur më shumë me më pak burime në dispozicion.

Për menaxherët dhe programuesit e shkathët që mund të ndihmojnë në krijimin e përmirësimeve të tilla të produktivitetit, kohët e mira vetëm sa kanë filluar./Monitor.al/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit