2.1 C
Pristina
Tuesday, December 3, 2024

“Ndalimi i naftës nga BE-ja dhe kufiri i çmimit i kushtojnë Rusisë 160 milionë euro në ditë”

Më të lexuarat

Pritet që masat shtesë të cilat ndalojnë importin e produkteve të naftës nga Rusia që nga 5 shkurti do t’i kushtojnë vendit 120 milionë euro të tjera

Ndalesa e Bashkimit Evropian për importet e naftës së papërpunuar nga Rusia dhe kufiri i çmimit të naftës vlerësohen t’i kushtojnë Rusisë 160 milionë euro në ditë, sipas gjetjeve të Qendrës për Kërkime të Energjisë dhe Ajrit të Pastër (CREA), transmeton Anadolu Agency (AA).

BE-ja ndaloi importet e naftës së papërpunuar ruse nga deti si dhe sigurimin dhe financimin e transportit të naftës ruse në vendet e treta, veçanërisht përmes rrugëve detare. Ndalimi i BE-së hyri në fuqi më 5 dhjetor 2022. BE-ja dhe grupi G7 i vendeve të industrializuara ranë dakord për kufirin e çmimit të naftës ruse në 60 dollarë për fuçi që hyri në fuqi në të njëjtën ditë.

CREA zbuloi se të ardhurat e naftës së papërpunuar të Rusisë regjistruan rënie prej 32 për qind në dhjetor për shkak të ndalesës së importit të naftës së papërpunuar dhe kufirit të çmimit. Pasi Gjermania ndaloi importet e naftës ruse përmes tubacionit Druzhba deri në fund të muajit të kaluar, kjo shkaktoi një rënie të mëtejshme me 5 për qind.

Tubacioni Druzhba, i njohur gjithashtu si “Tubacioni i Miqësisë”, është linja kryesore që transporton naftën ruse në Evropën Lindore, në Ukrainë, Bjellorusi, Poloni, Hungari, Sllovaki, Republikën Çeke, Austri dhe Gjermani.

Përmes tubacionit në tetor u transportuan në total 2,5 milionë fuçi naftë të papërpunuar dhe 700 mijë fuçi produkte nafte për vendet e BE-së.

Pavarësisht rënies së të ardhurave, Rusia vazhdon të fitojë 640 milionë euro në ditë nga eksportet e karburanteve fosile. Kjo shumë pritet të ulet në rreth 520 milionë euro pas hyrjes në fuqi të ndalesës së BE-së më 5 shkurt të importit të naftës së rafinuar dhe zgjatjes së kufirit të çmimeve për produktet e naftës së rafinuar.

“Ndalesa e BE-së për naftën dhe kufiri i çmimit të naftës më në fund hynë në fuqi, kurse ndikimi është aq i rëndësishëm sa që pritej. Kjo tregon se ne kemi mjete për të ndihmuar Ukrainën që të mbizotërojë kundër agresionit të Rusisë. Thelbësore është të ulim kufirin e çmimit në një nivel që shkurton fitimet nga taksat e naftës për Kremlinin dhe kufizimin e importit të naftës dhe gazit të mbetur nga Rusia”, citohet të ketë thënë në studim Lauri Myllyvirta, analisti kryesor në CREA.

Hulumtimet e CREA-së tregojnë se Rusia deri më tani ka përfituar 3,1 miliardë euro nga transportimi i naftës së papërpunuar me anije nën kufirin aktual të çmimit dhe 2 miliardë euro nga kjo shumë ishin të ardhurat nga taksat që i shkonin drejtpërdrejt qeverisë ruse.

Meqenëse kufiri i çmimit prej 60 dollarë për fuçi është shumë më i lartë se kostot e prodhimit të Rusisë, ulja e tij në 25-35 dollarë për fuçi do të ulte të ardhurat e Rusisë nga eksporti i naftës me të paktën 100 milionë euro në ditë, sipas CREA.

“Muaji i parë i embargos dëshmon atë që ne kemi thënë që nga fillimi i pushtimit; të ardhurat nga eksportet e lëndëve djegëse fosile janë linja financiare për luftën e presidentit rus Vladimir Putin”, tha lidhur me gjetjet e hulumtimit Svitlana Romanko, themeluese dhe drejtore e organizatë joqeveritare Razom We Stand.

“Kufiri i çmimit duhet të rishikohet, ndërsa zbatimi i embargos duhet të shtrëngohet. Pa të ardhurat nga eksporti i karburanteve fosile, sulmi brutal i Rusisë ndaj ligjit ndërkombëtar, të drejtave të njeriut dhe mjedisit do të shembet. Ne kemi nevojë për më shumë veprime nga koalicioni i kufirit të çmimeve”, ajo tha.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit