5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

A mund t’a arrijmë Firdeusin e lartë? Cila është rruga që duhet të ndjekim?

Më të lexuarat

A mund t’a arrijmë Firdeusin (xhenetin) e lartë? Cila është rruga që duhet të ndjekim?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut.

Së pari: Tirmidhiu (2450) transmeton nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) se i Dërguari i Allahut (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kush ka frikë se e zë nata niset për udhë, dhe kush niset do të arrijë në destinacion. Me të vërtetë malli i Allahut është i shtrenjtë, me të vërtetë malli i Allahut është xheneti. “ Këtë hadith, shejh Albani e ka përmendur në Sahih et-Tirmidhi.

Xheneti është mall i shtrenjtë dhe Firdeusi është pjesa më e lartë dhe më e mirë e xhenetit. Askush nuk e arrin atë përveç atyre që Allahu i ka veçuar me mirësitë e Tij të shumta.

Tirmidhiu (3174) transmeton nga Enes bin Malik (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Profeti (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Firdeusi është pjesa më e lartë e xhenetit, është epiqendra dhe vendi më i mirë i tij. ” Këtë hadith shejh Albani e ka klasifikuar si të saktë.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Xheneti është i rrethuar me vështirësi, ndërsa zjarri është i rrethuar me dëshira (epshe).” Muttefekun alejhi.

Përderisa xheneti është i rrethuar me vështirësi dhe lloje të ndryshme pengesash, atëherë si qëndron puna me shkallën më të lartë dhe statusin më sublim të tij (Firdeusin)? Kjo tregon se çështja nuk është aq e lehtë.

Ibn Kajimi ka thënë: Më e pastra nga të gjitha gjërat e krijuara, më sublimja, më e ndritshmja, më fisnikja dhe më e larta si në kuptimin e drejtpërdrejtë ashtu edhe në atë metaforik, është Froni i Mëshiruesit qoftë i Lavdëruar dhe i Lartësuar. Prandaj ishte e përshtatshme që Ai të lartësohej mbi të. Sa më afër Arshit të jetë diçka, aq më e ndriçuar e pastër dhe fisnike është ajo krahasuar me gjërat që qëndrojnë më larg tij (Arshit). Prandaj xheneti i Firdeusit është pjesa më e lartë, më fisnike, më e ndriçuar dhe më e mirë e xhenetit sepse është afër Fronit. Arshi është çatia e tij, dhe sa më larg që të jetë diçka prej tij aq më e errët dhe e ngushtë është . Prandaj më e ulta e të ultës është vendi më i keq dhe më i ngushtë, dhe më i largëti nga gjithçka që është e mirë.  El-Feuaid (f. 27).

Banorët e Firdeusit të lartë janë ata që nxitojnë të bëjnë mirë ashtu siç janë urdhëruar. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe ata që kanë prirë (në besim) e që do të prijnë (edhe në Xhenet). Ata janë të afërtit (tek Allahu) në kopshtet e kënaqësisë.” [El-Uakia 56: 10-12].

Shejh es Sadi ka thënë: Ata që janë më të afërt me Allahun janë njerëzit më të zgjedhur. Tefsiri i Seadit (f. 833).

Ibn Kethiri ka thënë: Kush garon për të bërë vepra të mira në këtë botë dhe fiton në garë, në ahiret ai do të jetë ndër të parët që do të arrijë shpërblimin dhe nderin, sepse shpërblimi përputhet me natyrën e veprës. Ashtu siç bëni, në të njejtën mënyrë do të shpërbleheni.  Tefsir Ibn Kethir (7/517)

Së dyti: Duhet të theksohet se një nga mënyrat më të mira për të arritur atë që dëshiron dhe për të shpëtuar nga ajo që ke frikë është lutja (duaja), sepse lutja është adhurim siç është transmetuar nga Profeti (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) në një hadith të saktë. Ashtu sikurse lutja është adhurim të cilin e do Allahu i Madhëruar, ajo është edhe mjet për të arritur qëllimin. Kur Allahu ja dëshiron të mirën dikujt , Ai i jep sukses që të marrë masat që çojnë në të dhe ja bën të lehtë veprimin që e kualifikon për t’a arritur atë.

Allahu i Lartësuar thotë: “Sa për atë që jep (për hir të Allahut), ka frikë (nga Ai) dhe dëshmon për vërtetësinë e më të bukurës (besimit), Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt shpëtimit. Kurse atij që është koprrac, ndihet i vetëmjaftueshëm dhe e quan gënjeshtër më të bukurën (besimin), Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt dënimit.” [El-Lejl 92: 5-10].

Transmeton Buhariu (2790) nga Ebu Hurejra (Allahu e mëshiroftë!) se i Dërguari i Allahut (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Në Xhenet ka njëqind shkallë të cilat Allahu i ka përgatitur për ata të cilët luftojnë (bëjnë) xhihad për hir të Allahut. Distanca midis çdo dy shkallëve është si distanca midis qiellit dhe tokës.  Nëse kërkoni nga Allahu atëherë kërkoni prej tij Firdeusin, sepse ai është mesi i Xhenetit dhe pjesa më e lartë e tij. Mendoj se sipër tij është Arshi i Rrahmanit dhe prej tij burojnë lumenjtë e Xhenetit. ”

El-Hafidh ka thënë: Kjo tregon se Firdeusi është mbi të gjitha xhenetet, prandaj Profeti (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të), duke e mësuar umetin dhe duke e motivuar atë tha: “Nëse kërkoni nga Allahu, atëherë kërkoni prej Tij Firdeusin.”

Së treti: Duhet të theksojmë se arritja e statusit të lartë në këtë botë dhe në botën tjetër nuk mund të bëhet me anë të pretendimeve apo duke ëndërruar. Përkundrazi, ky status arrihet vetëm duke marrë masat që çojnë deri aty, përndryshe nuk do të kishte ndryshim midis atij që është i sinqertë dhe atij që është gënjeshtar. Kjo është prej urtësisë së Allahut që i ka bërë robërit e Tij të përgjegjshëm dhe u ka urdhëruar atyre disa gjëra.

Allahu i Lartësuar thotë: “(Shpëtimi në jetën tjetër) Nuk do të jetë as sipas dëshirës suaj (o muslimanë), as sipas dëshirës së ithtarëve të Librit. Por kushdo që bën një të keqe do të ndëshkohet për atë dhe nuk do të gjejë as mbrojtës e as mbështetës tjetër në vend të Allahut. Dhe kushdo që bën vepra të mira qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi.” [Nisa 4: 123-124].

Shejh Ibn Seadi thotë: Shpëtimi nuk arrihet duke pretenduar e ëndërruar. Ëndrrat dhe pretendimet boshe nuk e pastrojnë njeriun nga gjynahet dhe as nuk i japin atij shpërblim. “El emanij” quhet pretendimi për të arritur një qëllim të caktuar por pa bërë as më të voglin mundim për arritjen e tij. Çdokush që synon të arrijë diçka pa shpenzuar mundin që i takon asaj, nuk ka bërë gjë tjetër veçse ka ëndërruar me sy hapur. Çdokush  mund të pretendojë çfarë të dojë, por pa punuar e lëvizur të gjitha pretendimet janë njëlloj. Kjo mund të thuhet për çdo çështje të kësaj dynjaje. Atëherë, si mendon se qëndron çështja kur bëhet fjalë për besimin dhe rrugën e arritjes së lumturisë së përjetshme?! Janë veprat ato që tregojnë vërtetësinë apo pavërtetësinë e pretendimeve. Tefsiri i Seadit, fq. 496.

Së katërti: Prej veprave më të rëndësishme që e ndihmojnë muslimanin të arrijë gradët e larta dhe për të arritur Firdeusin me lejen e Allahut, janë:

1 – Xhihadi (lufta) në rrugë të Allahut.

Pak më lart kemi cituar hadithin e Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili flet për këtë.

Muslimi transmeton në Sahihun e tij (1884) nga Ebi Seid el-Hudri (Allahu qoftë i kënaqur me të) se i Dërguari i Allahut (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: O Ebu Said, kushdo që është i kënaqur me Allahun si Zotin e tij, Islamin si fe të tij dhe Muhamedin (bekimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) si Profeti i tij, xheneti është i garantuar për të. Ebu Seidi u çudit nga kjo dhe tha: Ma thuaj përsëri o i Dërguar i Allahut! Ai ja përsëriti, pastaj tha: Ka edhe diçka tjetër me anë të së cilës njeriu ngrihet njëqind shkallë në xhenet, ku distanca midis dy shkallëve është si distanca midis qiellit dhe tokës. Ai tha: Cila është ajo vepër o i Dërguar i Allahut? Ai tha: Xhihadi (lufta) në rrugë të Allahut, xhihadi (lufta) në rrugë të Allahut.

2 – Sinqeriteti ndaj Allahut.

Muslimi (1909) transmeton nga Sehl bin Hunejf (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Profeti (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Kushdo që sinqerisht i kërkon Allahut të bier dëshmorë, Allahu do t’a bëjë atë të arrijë statusin e dëshmorëve edhe nëse vdes në shtratin e tij. ”

En-Neveviu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: Kjo tregon se është e pëlqyeshme t’i kërkosh Allahut të biesh dëshmorë dhe është e domosdoshme të kesh qëllim të mirë (sinqeritet).

3 – Besimi në Allahun dhe në të Dërguarit e Tij.

Allahu i Lartësuar thotë: “Me të vërtetë ata që besojnë (në Njëshmërinë e Allahut, Monoteizmin Islam) dhe bëjnë vepra të mira, do të kenë Xhenetet e Firdeusit (Parajsën) për argëtimin e tyre.” [El-Kehf, 18: 107]

Shejh es Sadi thotë: Sipas një shpjegimi ai është xheneti më i lartë, më i mirë dhe ai që ndodhet në mes të gjithë xheneteve. Ky shpërblim u takon atyre që e kanë plotësuar besimin dhe veprat e mira, pejgamberë dhe të afërm tek Allahu.

Ose mund të nënkuptojë të gjitha nivelet e Xhenetit, kështu që ky shpërblim përfshin të gjitha nivelet e njerëzve me besim, ata që janë më pranë Allahut, besimtarët e drejtë dhe të zakonshëm secili sipas gjendjes së tij. Ky ka të ngjarë të jetë kuptimi për shkak të natyrës së tij të përgjithshme. Tefsiri i Seadit,  fq. 488.

Ebu Seid al-Khudri (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se Profeti (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Banorët e Xhenetit do t’i shohin banorët e dhomave mbi ta ashtu si shohin një yll të shkëlqyeshëm shumë larg në horizont, në lindje ose në perëndim, për shkak të dallimit në gradë midis tyre. Ata thanë: O i Dërguar i Allahut, a do të jenë ato dhoma të Profetëve që nuk do t’i arrijë askush tjetër? Ai tha: Jo, pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im. Ata (banorët e atyre dhomave) do të jenë njerëz që besuan në Allahun dhe besuan në të Dërguarit.” Muttefekun alejhi.

El-Hafidh ka thënë: Fjala e Profetit; “dhe besuan në të Dërguarit”, do të thotë besuan ashtu siç duhet (me vërtetësi). Përndryshe të gjithë ata që besuan në Allahun dhe besuan në të Dërguarit e Tij do t’a gëzonin këtë status, dhe kjo nuk kuptohet në këtë mënyrë.

4 – Të marësh abdes në kohë të vështirë, të bësh shumë hapa për në xhami dhe të presësh namazin pas namazit.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të) transmeton se i Dërguari i Allahut (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “A doni tju tregoj për diçka me të cilën Allahu i fshin mëkatet dhe i rrit gradët? Ata thanë: Po, o i Dërguar i Allahut. Ai tha: Të marësh abdes siç duhet në kohë të vështirë, të shtosh hapat drejt xhamisë dhe të presësh namazin pas namazit. Kjo është gadishmëri, kjo është gadishmëri.” E përcjell Muslimi me nr. (251).

5 – Të gjitha adhurimet që përmenden në transmetimet e sakta janë arsye për të qenë bashkë me Profetin (bekimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) në xhenet.

Muslimi (489) transmeton se Rabia ibn Keab el-Eslemi (Allahu qoftë i kënaqur me të) ka thënë: Unë qëndrova gjatë natës me të Dërguarin e Allahut (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të) dhe i sillja ujë për abdes dhe çfarëdo që i duhej. Ai më tha: Më kërko diçka. Unë i thashë: Unë kërkoj të jem me ty në Xhenet. Tha: A ke ndonjë gjë tjetër? I thashë: Kjo është e gjitha. Ai më tha: Më ndihmo duke bërë sa më shumë sexhde.

Muslimi gjithashtu transmeton (2983) nga Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahut (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Ai që kujdeset për një jetim qoftë i afërm i tij apo jo, ai dhe unë do të jemi si këta të dy në xhenet.” – Maliku tregoi gishtin tregues dhe gishtin e mesit.

Muslimi transmeton (2631) nga Enes ibn Malik se i Dërguari i Allahut (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kushdo që kujdeset për dy vajza derisa të arrijnë pubertetin, ai dhe unë do të jemi kështu në Ditën e Ringjalljes. ” – dhe i mbajti dy gishtat së bashku.

Imam Ahmedi transmeton (12089) se Enesi ose dikush tjetër ka thënë: I Dërguari i Allahut (bekimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Kush kujdeset për dy ose tri vajza, dy ose tri motra derisa të vdesin para tij ose ai të vdesë para tyre, ai dhe unë do të jemi si këta të dy.” – dhe bëri me shenjë me gishtin tregues dhe gishtin e mesit. Shejh Albani e ka klasifikuar si hadith të saktë në Vargun e Haditheve të sakta me nr. (296).

Për t’a përmbledhur: Përpjekja për të bërë vepra të mira, nxitimi për në mirësi, këmbëngulja për vepra të dobishme dhe bamirësi, si dhe konkurimi me njerëzit e mirë në vepra të hajrit, janë ato që formojnë bazën për të arritur synimin e pritur në këtë botë dhe në botën tjetër dhe qëllimin përfundimtar, që është Firdeusi i Lartë.

Përshtati: Fatjon Isufi
https://udhaebesimtareve.com/

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit