12.3 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

A lejohet të pranohen këto para?

Më të lexuarat

Pyetja:

Esselamu alejkum!
Një motër punon në spital në repartin e lindjes, aty nënat që lindin u japin para dhuratë, ato para nuk i kërkon motra, por nënat me dëshirë u japin edhe mjekët i lejojnë t’i marrin këto para, mirëpo në Islam a janë hallall këto para, sepse kam dëgjuar nga një vëlla i cili ka thënë se nuk lejohet të pranohen këto para. Ju lutem si të veprojë motra?
Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Muhamedi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, thotë: “Pranimi i dhuratave për punëtorët është tradhti.” (Shënon Ahmedi e të tjerët dhe hadithin e cilëson të saktë Albani)

Nga ky hadith kuptojmë se personi i cili ka marrë përsipër një punë ose shërbim për ta kryer dhe paguhet për të, nuk i lejohet të pranojë pagesa shtesë që mund të vijnë si formë e dhuratave nga ana e atyre të cilëve u kryhet ky shërbim. Pranimi i këtyre dhuratave në Islam konsiderohet ryshfet dhe mito.

Buhariu shënon se me një rast Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, e punësoi një njeri që të shkojë e të mbledhë zekatin nga fisi Beni Selim. I punësuari kur u kthye dhe dorëzoi zekatin e mbledhur tha: “Ky është zekati të cilin e kam mbledhur, ndërsa kjo është dhuratë që ma falën mua.” Muhamedi, lavdërimi dhe paqja qofshin mbi të, tha: “Pse pra nuk ndenje në shtëpi të babës dhe te nënës, derisa të të vinte dhurata, nëse je i sinqertë!” Pas kësaj ai u mbajti një fjalim muslimanëve, në të cilin falënderoi e lavdëroi Allahun dhe tha: “Unë e punësoj dikë prej jush në ndonjë punë me të cilin më ka ngarkuar Allahu dhe ai vjen dhe thotë: “Kjo është e juaja ndërsa kjo është dhuratë që ma falën mua!`. Pse ky njeri nuk qëndroi në shtëpi të babës e nënës derisa t’i dhurohet dhurata? Për Allahun, nuk ka asnjë njeri nga ju që merr ndonjë gjë pa të drejtë e që mos ta takojë Allahun me të Ditën e Gjykimit…”

Këto dy hadithe të përmendura vërtetojnë se sa e rrezikshme është kjo punë dhe se sa duhet të ruhemi që të mos biem në këtë mëkat.

Fatkeqësisht shumë njerëz e konsiderojnë këtë si një gjë të natyrshme dhe të lejuar, por në fakt dhuratat e tilla mbjellin armiqësinë, zullumin dhe padrejtësinë mes njerëzve, pasi ai që jep para mund të kryejë punë, ndërsa ai që nuk jep mbetet pa kryer. Prandaj edhe Islami e ndaloi këtë, që të mos hapet dera e ryshfetit dhe e korrupsionit mes shërbyesve të cilët paguhen nga institucionet përkatëse dhe mes personave të cilëve u kryhen ato punë. Nëse hapet kjo derë, atëherë do të përhapet shumë shpejt mashtrimi, vonesa, padrejtësia, armiqësia, ashtu edhe si po ndodh tani në kohën tonë. Pothuajse kudo, shumica e shërbyesve të punësuar, nuk kryejnë punët me të cilat janë ngarkuar me rrogë pa përfituar edhe nga të tjerët, duke u kërkuar edhe atyre që t’i shpërblejnë dhe t`u paguajnë. Fatkeqësisht kështu është situata në shumicën e vendeve të punës, jo vetëm te ne por në të gjitha vendet e botës.

Për shkak të këtyre pasojave negative në shoqëri, Islami e ndaloi një gjë të tillë dhe ky parim i jurisprudencës islame është vetën edhe një argument tjetër i qartë se si Islami e ka trajtuar dhe shëruar mjaftë mirë çdo problematikë e cila mund të shkaktoj prishjen dhe korruptimin e shoqërisë duke ofruar alternativa të shëndosha dhe përparimtare.

Ndërsa për pyetjen tënde, a hyn në këtë ndalesë edhe pranimi i dhuratave që u jepen infermiereve nga ana e nënave, themi se edhe këto dhurata hyjnë në këtë ndalesë, posaçërisht nëse janë para. Kjo për faktin se në shumicën e rasteve nga dhënia e këtyre dhuratave nënat ose të sëmurit synojnë që të përfitojnë kujdes më të mirë dhe të veçantë në llogari të atyre të cilët nuk kanë mundësi të japin dhurata të këtilla. Ndërsa ne më lart sqaruam se kjo është edhe arsyeja e ndalimit të pranimit të dhuratave të këtilla, që të mos bëhet diferencimi mes njerëzve gjatë shërbimeve të cilat i ofrojnë ata që ngarkohen me rrogë. Në këtë rast, infermieret marrin rrogë për punën që kryejnë dhe nëse marrin diçka shtesë nga ajo rrogë, atëherë kjo është si rezultat i shfrytëzimit të pozitës që kanë dhe i ofrimit të shërbimeve.

Por në anën tjetër, nëse dhuratat janë të thjeshta dhe nuk vërehet se janë për qëllim të përfitimit me to nga ana e dhuruesve (pacientëve), si përmirësimi i shërbimeve ose sigurimi i shërbimeve shtesë në llogari të të tjerëve, ose anim nga dhuruesi duke i dhënë përparësi atij në shërbime dhe duke u bërë dëm të tjerëve; në këtë rast ndoshta dispozita nuk do të ishte e njëjtë. Me fjalë të tjera, nëse dhuratat janë të thjeshta dhe janë si rezultat i shprehjes së miqësisë, pa ndonjë përfitim të mundshëm, atëherë disa fukaha bashkëkohorë, sikurse dijetari i mirënjohur Abdullah Ibën Xhibrin, e ka lejuar, por me kushtëzimet të cilat i përmendëm dhe inshallah në këtë nuk ka ndonjë të keqe. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi
31.5.2009

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit