6.2 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

A lejohet puna si agjent tregtar në ato kompani ku shiten pije alkoolike dhe joalkoolike?

Më të lexuarat

Pyetja:

Ne jetojmë në Zvicër dhe sot burri fillon punën në një fabrikë që shesin pije alkoolike dhe jo alkoolike. Dmth., këto pije shkon dhe ua shet qendrave tregtare, pompave të benzinit etj., këtu ku jetojmë. Kjo na shqetëson dhe s’po e dimë a e ka haram këtë punë apo jo?

***

Përgjigjja:

Me Emrin e Allahut, Mëshirëplotit, Mëshiruesit!

Allahu i Lartësuar ka thënë Kuranin Fisnik: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër.” (Maide: 2)

Rrjedhimisht, motër e nderuar, alkooli dhe çdo pije dehëse e ngjashme, bëjnë pjesë në gjynahe dhe gjëra që Allahu i urren. Transmetohet se Pejgamberi ﷺ  ka thënë: “Kur Allahu i Lartësuar e ndalon një gjë, atëherë edhe çmimi i saj është haram;”[1] që do të thotë se edhe blerja dhe shitja e asaj gjëje bëhet haram.

Pejgamberi i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!) e ka ndaluar qartë tregtimin me alkool, në hadithin e saktë që e transmeton Muslimi: “Aishja, e bija e Ebu Bekrit, (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: “Kur zbriti ajeti që ndodhet nga fundi i sures Bekare (që ndalonte pirjen e alkoolit), Pejgamberi ﷺ doli dhe tha: “U ndalua tregtia e alkoolit;”[2] duke sqaruar se, përveç pirjes së alkoolit të cilën Allahu i Lartësuar e ndaloi përmes ajetit Kuranor, ta dini se edhe tregtia me alkool është bërë e ndaluar.

Njëjtë, edhe puna në fabrikën e cila prodhon alkool, është e ndaluar, dhe llogaritet bashkëpunim me njëri-tjetrin në gjynahe dhe punë të këqija, ndërkohë Allahu ka thënë: “O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të shpëtoni! Vërtet, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju shmangë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë?” (Maide: 90-91)

Po ashtu, Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Allahu i Lartësuar e ka mallkuar alkoolin, atë që e pi (konsumon), atë që e shërben, atë që e shet, atë që e blen, atë që e shtrydh (rrushin, distilon), atë që e ruan, atë që e bartë, atë që i dërgohet, dhe atë që han fitimin nga ai.”[3]

Së këndejmi, burri juaj obligohet që ta ndërrojë punën të cilën e ka zgjedhur, gjithmonë duke pasur parasysh se Allahu Fuqiplotë është Furnizuesi, Ai e ka garantuar furnizimin e çdo krijese, andaj nuk i takon njeriut të sillet me Allahun në atë mënyrë që të frikësohet se do të mbetet pa punë nëse nuk punon me haram, përkundrazi, nëse është i sinqertë dhe vetëm për hir të Allahut e braktisë atë punë, Allahu do t’ia zëvendësojë me një furnizim dhe një punë edhe më të mirë dhe do t’i jep bereqet në pasurinë e tij. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Atij që i frikësohet Allahut, Ai do t’i gjejë rrugëdalje (nga çdo vështirësi), dhe do t’i japë risk prej nga nuk e pret. Allahu i mjafton kujtdo që mbështetet tek Ai. Allahu e përmbush me siguri vendimin e Tij dhe për çdo gjë Ai ka caktuar masë.” (Talak: 2-3)

Allahu e di më së miri!

Hekuran Helshani

———————————————————–

[1] “Suneni i Derakutniut”, nr. 2815.

[2] Muslimi, 2226.

[3] Hadithin e transmeton imam Ahmedi, Ebu Davudi, Ibn Maxhe, etj.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit