Nëse personi është i lodhur dhe nuk mund të qëndrojë në këmbë për t’u falur, së pari duhet të provojë të falet në këmbë duke u mbështetur për mur, shkop apo ndonjë objekt tjetër, pa kaluar menjëherë tek ulja, përderisa nuk ka ndonjë pengesë shëndetësore në këmbë apo në ndonjë pjesë tjetër të trupit, që ia pamundëson qëndrimin në këmbë. Sahabët (radijAllahu anhum), kur falnin namaz nate në kohën e Umerit (radijAllahu anhu), qëndronin aq gjatë në falje saqë frikësoheshin se do t’i kapte syfyri dhe nxituan për të urdhëruar shërbëtorët që të përgatisnin ushqimin për syfyr. Gjatë faljes, nga lodhja e leximit të gjatë të Kuranit, mbaheshin për shkopinj.
Nëse personi nuk mund të falet as duke qenë i mbështetur, atëherë mund të falet ulur. Kur lejohet falja ulur? Dijetarët kanë thënë: “Atëherë kur personi, për shkak të dhimbjes apo sëmundjes, nuk ka përqendrim në faljen në këmbë.” Nëse gjatë faljes në këmbë, për shkak të lodhjes apo dhimbjes, personi humb përqendrimin, nuk e di nëse është duke lexuar suren Fatiha apo duke bërë rukunë, ose nuk ka përqendrim në thënien e dhikrit të rukusë, atëherë i lejohet falja ulur.
Origjina dhe qëllimi kryesor i namazit është përqendrimi, dhe kjo është baza për pranimin e tij. Pejgamberi (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë: “Ka nga njerëzit që dalin nga namazi dhe nuk përfitojnë prej tij veçse një të dhjetën.” Pastaj ka vazhduar të thotë: një të nëntën, një të tetën, deri te një e dyta (gjysma). Gjithashtu, ai ka thënë se ka njerëz që dalin nga namazi pa marrë fare shpërblim, duke përmbushur vetëm obligimin e namazit.
Andaj, nëse lodhja, dhimbja apo sëmundja ia largon përqendrimin kur falet në këmbë, ndërsa falja ulur i mundëson përqendrim, atëherë i lejohet të falet ulur. Ky kriter duhet të merret parasysh për të kuptuar kur lejohet falja ulur dhe kur jo.
Hoxhë Lulzim Perçuku