20.1 C
Pristina
Saturday, June 15, 2024

A KA ARDHUR KOHA E SHFAQJES SË MEHDIUT? – Dr. Muhamed Broja

Më të lexuarat

Në një kohë luftërash e masakrash që po ndodhin në tokën e bekuar, ku vrasjet masive të fëmijëve, grave e civilëve të tjerë nëpërmjet bombardimit të spitaleve, xhamive, shkollave e objekteve të tjera kanë arritur kulmin, ku zullumqarët janë zhveshur nga ndërgjegjja njerëzore dhe nuk posedojnë fije mëshire për të pambrojturit e të pafajshmit, disa njerëz i sjellin ndër mend citatet ku përmenden ngjarjet që do të ndodhin para Kijametit dhe pyesin me një dozë të frikës: A thua vallë, në të vërtetë ka ardhur koha e shfaqjes së Mehdiut dhe a është afër lufta e madhe e Armagedonit?

Kjo pyetje ka filluar të qarkulloj këto ditë nëpër rrjetet sociale.

Për t’u përgjigjur në këtë pyetje do t’i përmendi dy çështje të rëndësishme:

E para: Kjo nuk është hera e parë e parashtrimit të kësaj pyetje, ngase ngjarjet madhore në tokën e bekuar kanë ndodhur edhe në të kaluarën. Edhe atëherë është parashtruar kjo pyetje dhe konspiracionistët kanë dhënë mendime e gjykime nga më të ndryshmet. Një pjesë e njerëzve janë të prirur t’u besojnë konspiracioneve edhe kur ato e tejkalojnë çdo kufij dhe depërtojnë në besimin e njerëzve duke pretenduar se një grup i vogël njerëzish e udhëheqin botën dhe e dirigjojnë atë, nëse tenton të bësh çfarëdo plani do ta marrin vesh dhe janë në gjendje që çdo lëvizje ta kontrollojnë, e gjëra të tjera të cilat e cenojnë seriozisht besimin e muslimanit sepse në këtë mënyrë njerëzve, grupeve apo shteteve u atribuohen cilësi të cilat vetëm Allahu i posedon, sikurse dija e gjithmbarshme për krijesat e Tij, dija për atë çka fshehin njerëzit në zemrat e tyre, mbikëqyrja dhe monitorimi i plotë i krijesave. Kjo vjen ndesh edhe me besimin në kaderin e Allahut sepse Allahu ka pushtet të plotë mbi krijesat dhe asgjë nuk ndodh përveçse me lejen e Tij. Askush nuk mund t’i bëjë dëm dikujt nëse Allahu e mbron dhe e ruan.

E dyta: Disa njerëz i zbatojnë dhe i zbresin shenjat e Kijametit në realitetin në të cilin jetojnë, pa u vërtetuar mirë se a i përgjigjen realitetit dhe përputhen me të.

Disa pohojnë se ndonjë shenjë e Kijametit është pikërisht ajo që ka ardhur në tekste dhe është duke ndodhur tani.

Ky pretendim është diçka që dijetarët nuk marrin guximin ta bëjnë, por përkundrazi orvaten në maksimum të konfirmojnë dhe verifikojnë një gjë të tillë .

Disa shenja të Kijametit janë të dukshme, si Dërgesa e Pejgamberit ﷺ, vdekja e tij, çarja e hënës, paralajmërimi për përhapjen e murtajës (e cila ndodhi rreth vitit 18 h që ndryshe njihet me emrin Murtaja e Amvasit), zjarri që u shfaq në Medine dhe për këto jemi të bindur se kanë ndodhur në të vërtetë.

Por në disa prej tyre ka dyshime: a kanë ndodhur në të vërtetë apo ende nuk kanë ndodhur?!

Nuk lejohet që tekstet ku përmenden shenjat e Kijametit të zbatohen dhe të zbriten në ndonjë realitet përveç se kur mbarojnë dhe përfundojnë. Prej metodologjisë së selefit ishte se ata i besonin tekstet ku përmenden shenjat e Kijametit por nuk i zbatonin në ndonjë realitet të caktuar përveçse pas mbarimit të tyre, bile ndodhte shpeshherë që gjatë komentimit të haditheve ku përmenden shenjat e Kijametit nuk zgjeroheshin në komentim, nganjëherë mjaftoheshin vetëm me theksimin e autenticitetit të hadithit dhe sqarimin e fjalëve të panjohura. Për dallim prej shumë bashkëkohorëve të cilët nxitojnë dhe në momentet e para të shfaqjes së ndonjë ngjarje madhore politike apo ushtarake, rajonale apo ndërkombëtare rrëmbehen nga emocionet dhe i zbresin hadithet në njerëz apo ngjarje të caktuara. Pastaj, e vërteta del në shesh dhe sqarohet se ata kishin qenë të nxituar.

Mund të ndodh se të tillët të kenë nijet të mirë duke pretenduar se zbatimi dhe zbritja e tyre në realitetin ku jetojnë do t’ua shton bindjen dhe besimin muslimanëve, ndërsa pabesimtarëve do t’ua vërteton profecinë e të Dërguarit të Allahut. Por shpeshherë kjo shkakton rezultat të kundërt tek pabesimtarët dhe njerëzit me iman të dobët.¹

Zbatimi dhe zbritja e teksteve ku përmenden shenjat e Kijametit në realitetin ku jetojmë kërkon dije të mirëfilltë, ndërsa nxitimi në këtë çështje konsiderohet të folur për Allahun pa dije.

Allahu thotë në Kuran:

وَلاَ تَقْفُ مَا لَيْسَ لَكَ بِهِ عِلْمٌ إِنَّ السَّمْعَ وَالْبَصَرَ وَالْفُؤَادَ كُلُّ أُولئِكَ كَانَ عَنْهُ مَسْؤُولاً

“Mos iu qas asaj për të cilën nuk ke njohuri, pse të dëgjuarit, të pamurit dhe zemra, për të gjitha këto ka përgjegjës.”²

Përmendja e shenjave të Kijametit në tekste të Kuranit dhe Hadithit ka ardhur për dy arsye:

1 – Për shkak që të besojmë në to.

2 – Shërbejnë si tregues për profecinë e Muhamedit alejhi selam.³

Në bazë të haditheve të shumta të cilat e kanë arritur gradën e hadithit mutevatir një gjë është e sigurtë: Ardhja e Imam Mehdiut ende nuk ka ndodhur deri më tani. Përgjatë historisë gjejmë se shumë njerëz kanë pretenduar se hadithet e Imam Mehdiut kanë të bëjnë me persona të caktuar sikurse : Ibn Tumert, Mehdiu i Sudanit, Xhuhejmani, ngjarja e të cilit ka shkaktuar gjakderdhje në Qabe në vitin 1979 e shumë persona të tjerë në periudha të ndryshme të historisë. Por më vonë është vërtetuar se ai pretendim ka qenë i pavërtetë, ndërsa pasojat e shkaktuara nga pretendimet e tilla të rreme kanë qenë katastrofike.

Nuk duhet harruar një fakt: Pas ardhjes së Imam Mehdiut do të zbret Isai i biri i Merjemes nga qielli dhe do ta fal namazin e sabahut pas tij. Kjo do të thotë se Imam Mehdiu do të jetë bashkëkohanik i Dexhallit, ngase Isai alejhi selam pas zbritjes së tij do ta mbyt Dexhallin.⁴

Besimtari/rja e ka për obligim t’i zbatojnë urdhërat e Allahut dhe të largohet nga ndalesat e Tij, duhet të angazhohet me përfitimin e rizkut hallall, frikën duhet t’ia ketë vetëm Allahut dhe duhet ta lus Allahun ta mbrojë nga fitneja e Dexhallit.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit