-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

A është shtëpia juaj shtëpi islame ?

Më të lexuarat

Pyetja nga titulli mund të duket jo e zakonshme dhe e çuditshme për shumicën prej nesh, dhe padyshim do të thoshim: “Natyrisht, shtëpia ime është shtëpi islame!?

Me kujdes lexo tekstin vijues dhe vlerëso se a thua vërtetë përgjigjja është pozitive:

1. Kam zgjedhur bashkëshortin/en e mirë

Ekziston numër i madh i haditheve që theksojnë zgjedhjen e bashkëshortit të drejtë dhe të devotshëm. Urtësia e cila fshihet në këtë është evidente, personi i devotshëm ka mundësi të sjellë lumturi dhe kënaqësi bashkëshortes së tij, dhe ky çift bashkërisht do të ketë sukses të ndërtojë familjen e shëndoshë dhe jetë familjare të bukur. Ky është themel i suksesit të secilës familje.

2. Ndihmoj bashkëshortin/en tim/e

Kjo shkallë fillon me ndjenjën e secilit bashkëshort për kryerjen e obligimeve dhe detyrimeve me ndjenjën e dashurisë dhe respektit të ndërsjellë. Gjithashtu kjo përfshin ndihmesën në çështjet fetare, siç është përpjekja për të forcuar imanin, rritjen e devotshmërisë nëpërmes leximit të Kur’anit, faljen e namazit të natës, dhënien e lëmoshës, leximin e literaturës islame. Imani rritet dhe zvogëlohet, për këtë duhet medoemos harmonizimin në rritjen e imanit personal, e pastaj edhe imanin e bashkëshortes.

3. Shtëpia jonë është vend i përmendjes së përhershme të Allahut xh.sh.

Përmendja e Allahut xh.sh. mund të jetë me zemër, gjuhë, nëpërmes namazit, leximit të Kur’anit, leximin e dhikrit të mëngjesit dhe mbrëmjes, bisedë rreth temave islame ose nëpërmjet leximit të literaturës islame. E tërë kjo paraqet një hipotezë unike sipas së cilës melekët do të jenë prezent në shtëpinë tonë duke sjellë kështu bekimin dhe mëshirën e Allahut. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Shembulli i shtëpisë në të cilën përmendet Allahu dhe shtëpisë ku nuk përmendet Allahu është sikurse shembulli i të gjallit dhe të vdekurit.” (Muslimi)

4. Shtëpia jonë është vend i adhurimit dhe ibadetit

Kjo d.m.th. që brenda shtëpisë ruhet dhe kryhet namazi dhe që anëtarët e saj, kur janë në numër falen me xhemat. Në shtëpi ekziston një hapësirë enkas për kryerjen e namazit. Është e njohur që gruaja është më mirë të falet në shtëpi, ndërsa për mashkullin preferohet që namazet vullnetare (nafile) t’i falë në shtëpi, ndërsa namazet e obliguara në xhami. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Namazi vullnetar (nafile) i kryer në shtëpi është më i mirë se namazi vullnetar në xhami, sikur që namazi i obliguar (farz) i kryer në xhami është më i mirë se namazi farz i kryer në shtëpi.” (Sahihul-xhamij)

5. Në shtëpi rregullisht lexojmë kaptinën Bekare dhe Ajeti Kursinë

I Dërguari i Allahut s.a.v.s. ka thënë: “Lexoni kaptinën El-Bekare në shtëpitë tuaja, sepse shejtani nuk hyn në shtëpi ku lexohet kaptina El-Bekare.” (Sahihul-xhamij)

Gjithashtu ka thënë: “Kur bini për të fjetur lexoni Ajetul-Kursijj, sepse do ta keni mbrojtjen e Allahut dhe shejtani nuk mund t’u afrohet deri në agim.” (Buhariu)

6. Leximi dhe mësimi janë aktivitete të përhershme në shtëpinë tonë

Kjo është përgjegjësi primare dhe obligim i kreut të shtëpisë, i cili duhet siguruar udhëheqjen e familjes së tij në drejtim të drejtë, duke udhëzuar në të mirë dhe ndaluar nga e keqja.

Arritja e diturisë është obligim i secilit anëtar të familjes dhe njëherit themel për rritjen e imanit. Lëmia e arritjes së diturisë në familje duhet të përfshijë lëmenj të ndryshëm të islamit nga të cilat në fund të gjithë anëtarët do të kenë dobi. Në këtë aspekt, posaçërisht duhet nxitur fëmijët, në mënyrë që të njëjtën rrugë ta pasojnë në jetën e tyre.

7. Në shtëpi kemi vendin ku i mbajmë librat

Kjo përfshin librat, audio, videokasetat dhe CD. Me rëndësi është të zgjedhim material bindës dhe mësimor me qëllim të realizimit të dobisë për tërë familjen. Është e nevojshme që librioteka të jetë e pasur me përmbledhje të ndryshme të përshtatshme për mosha të ndryshme, mu sikur që duhet ekzistuar literatura në gjuhë të huaja, për ata anëtar të familjes që shërbehen me ato. Librat me tema të ndryshme duhet me kujdes t’i kualifikojmë në mënyrë që të lehtësohet shfrytëzimi i tyre. Audiokasetat dhe CD mund të përmbajnë lexim Kur’ani, hutbe, tregime për fëmijë me karakter islam dhe ilahi. Anëtarët e familjes duhet të ndihmohen në mes vete dhe të nxisin në shfrytëzimin e këtij materiali, duke shkëmbyer me familjet tjera që kanë nevojë për të njëjtat.

8. Të mundohemi ta pasojmë moralin dhe sjelljen e Pejgamberit s.a.v.s.

Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kur Allahu dëshiron të mirën e një familje, Ai lëshon dashurinë në mes tyre.” (Ahmedi)

Gjithashtu ka thënë: “Allahu e do mirësinë dhe dashurinë, dhe për këtë shpërblen mu ashtu sikur nuk shpërblen për ashpërsi apo diç tjetër.” (Muslimi)

Ka shumë shembuj të mirësisë dhe sjelljeve të bukura të Pejgamberit s.a.v.s. ndaj familjes së tij që duhet pasuar. Ka qenë i butë dhe i përzemërt ndaj bashkëshorteve të tij, u ndihmonte në punët e shtëpisë dhe në këtë mënyrë iu lehtësonte barrën e obligimeve të tyre. Duke pasuar shembullin e tij do të sigurojmë qetësi në shtëpi dhe vërtetë do ta bëjmë vend pushimi.

9. A i përmbahemi rregullave islame lidhur me shtëpinë?

Siç janë ruajtja e fshehtësisë së shtëpisë, kërkimi i lejes për hyrje në shtëpi, mosshikimi në shtëpitë e tjerëve, ndalimi i hyrjes në dhomën e prindërve në kohë të caktuara të ditës. Asnjë anëtar i familjes nuk flenë i vetmuar në shtëpi e që është tejet interesant për bashkëshortin puna e të cilit përfshin udhëtime të shpeshta.

Ibn Omeri r.a. transmeton nga Pejgamberi s.a.v.s. që njeriu nuk duhet të qëndrojë vetëm në shtëpi dhe as mos të udhëtojë vetëm natën. (Ahmedi)

Dhe jo vetëm mos të udhëtojmë vetëm, por as gruan dhe fëmijët mos t’i lëmë vetëm në shtëpi pa mbrojtje dhe shoqëri përkatëse.

10. A ftojmë njerëz të mirë dhe të ditur në vizitë?

“Zoti im, më falë mua dhe prindërit e mi, dhe ata që hynë në shtëpinë time, duke qenë besimtarë, edhe besimtarët e besimtaret, ndërsa jobesimtarëve mos u shto tjetër, vetëm dëshpërim.” (Nuh, 28)

Njerëzit e mirë gjatë qëndrimit në shtëpinë tuaj nëpërmes shoqërimit dhe bisedës do t’ju sjellë shumë dobi. Me këta është e mundur biseda për tema të dobishme, dhe njerëz të këtillë mund të jenë burim i bukur i informatave dhe diturisë.

Duhet gjithmonë me iu lutur Allahut xh.sh. që të na nderojë me miq të mirë që do të kenë ndikim pozitiv tek ne. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Shoqërohuni vetëm me besimtarët dhe hani vetëm me të mirët.” (Ebu Davudi, Tirmidhiu)

11. Të shmangemi nga gjërat e ndaluara dhe të përbuzura

Në shtëpinë tonë janë të huaja programet e huaja televizive që ofrojnë amoral dhe prishjen e rregullave të Allahut të madhërishëm, si dhe muzika me të njëjtin epitet. Brendia e shtëpisë nuk është e zbukuruar me foto të qenieve të gjalla dhe statuja, dhe është i ndaluar duhani dhe mbajtja e qenit në shtëpi. Kur organizojmë vizita, meshkujt dhe femrat janë të ndarë. Si shembull mund të shërbejë thënia e Pejgamberit s.a.v.s.: “Melekët nuk hyjnë në shtëpi ku ka qen dhe foto.” (Buhariu)

KUJDES: Secila pyetje sjellë një pikë.

Tani është koha që të merrni përgjigje në pyetjet e bëra dhe shikoni rezultatet e punës suaj të deritanishme.

10-11 pikë: Urime! Keni shtëpi islame të shëndoshë dhe jeni në rrugë të mbarë.

7-9 pikë: Jeni afër të mirës. Nevojitet përsëri punë por me ndihmën e Allahut do ta keni lehtë.

4-6 pikë: Dobët. Ju dhe familja juaj duhet të përgatiteni për ndryshim të shumë gjërave në shtëpinë tuaj, në mënyrë që t’i afroheni sa më tepër Allahut xh.sh. dhe të fitoni kënaqësinë dhe shpërblimin e Tij.

0-3 pikë: Shumë keq. Definitivisht ka ardhur koha për rregullimin gjeneral të shtëpisë.

Përgatiti: Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit