15.3 C
Pristina
Wednesday, May 15, 2024

Kontributi i hoxhallarëve në çështjen Kombëtare

Më të lexuarat

Intelektualët shqiptarë islamë – hoxhallarët, janë të njohur për kontributin e tyre shkencor, por edhe historik në vende të ndryshme të botës. Ata ishin të inkuadruar denjësishtë edhe në çështjen kombëtare shqiptare në etapa të ndryshme të historisë. Që nga periudha e hershme e Rilindjes, përmes alfabetit, arsimimit e ngritjes së vetëdijes kombëtare e deri tek zhvillimet e fundit, pjesëmarrja e tyre ishte e dukshme në shumë sfera.

Përplasjet fetare në shoqërinë njerëzore, po dhe në atë ballkanike, i takojnë së kaluarës së lashtë, të cilën paraardhësit tanë – ilirët e përjetuan kur po ndaheshin kishat si dhe alarmimi nga kalimi i turmave të mëdha që kalonin nëpër territoret e tyre gjatë marshimit për në tokën e shenjtë. Mirëpo, me kalimin e kohës dhe me kontributin e rilindësve tanë, u shtrua rruga e aspiratës për lirinë kombëtare pa dallime fetare, duke bërë thirrje për mbrojtjen e njëri-tjetrit për shkak të afërsisë së gjakut.(1)

”Nuk dua ndarje dhe grindje fetare, të gjithë jemi shqiptarë” – thoshte Mehmet Ali Pasha, një frymë kjo që shoqëroi popullin nënë monitorimin e prijësve nëpër kohë. Ngatërresat, konfliktet ballkanike nuk ishin dhe aq të karakterit fetar, por ato “janë përgjithësisht me origjinë raciale, dhe jo

fetare”(2) – Siç e vinte në pah gazetarja, studiuesja ballkanike me origjinë angleze, Edith Durham. Me gjithë propagandën pansllaviste se gjoja po i mbrojmë të krishterët, ajo ishte thjesht një dredhi politike. Edhe tek shqiptarët mund të kishte ndonjë pengesë nga fanatizmi fetar apo xhelozia në mes bejlerëve, por kryesisht propaganda e fuqive sunduese pretenduese, dhe sidomos intrigat e fqinjëve, ka raste kur ishin pengesë në aspiratën e përbashkët shqiptare për liri. Mbreti Zog kishte arritur që të kishte institucione fetare të qeta, gjë që nuk kaloi pa u rënë në mendje edhe italianëve që t’i kishin ato në konsideratë.(3)

Por, nga ana tjetër, shumë personalitete me origjinë shqiptare kanë dhënë kontribut në mënyra të ndryshme për zhvillimin e mendimit islam në Perandorinë Osmane dhe për integrimin e kombit shqiptar.(4)

Por jo vetëm kaq, ata asnjëherë nuk e harruan origjinën e tyre kombëtare, të cilën Islami nuk e mohon në asnjë mënyrë. Hoxhallarët kanë dhënë kontribut të veçantë për ekzistencën e popullit dhe të kombit shqiptar në të gjitha etapat historike. Në përpjekjet dhe në luftën e gjatë për ruajtjen e identitetit kombëtar, ata kanë marrë pjesë në të gjitha ngjarjet më të rëndësishme.

Shumë prijës fetarë, duke qenë të udhëhequr nga mulla Ymer Prizreni, iu kundërvunë vendimeve nga Stambolli, atëherë kur fati i Shqipërisë rrezikohej, duke qenë deputetë në parlamentin osman, themeluan Komitetin Qendror të Stambollit dhe u krijua arteria e shqiptarisë – Lidhja e Prizrenit (1878-1881)”. Një fakt i njohur nga historia është edhe se nga 40 firmëtarët e Pavarësisë, 27 ishin myslimanë. Ata kishin edukatë dhe njohje të thellë të Islamit, disa prej tyre ishin liderë të mirëfilltë,5 imamë të xhamive.

Hoxhallarët luftuan qysh në ditët e para të Rilindjes Kombëtare

Disa prijës shpirtërorë fetarë të të tri feve, që ishin të pranishëm në nënshkrimin e Pavarësisë, janë: Haxhi Vehbi Agolli, Hafiz Ibrahim Dalliu, Myfti Vehbi Dibra e Sheh Ahmet Pazari , Dom Nikoll Kacorri, Gjergj Fishta, etj.. Që nga momenti i ngritjes së Flamurit të pavarësisë në Vlorë dhe në shumë qytete të tjera, si dhe në vitet në vijim, dallojnë emrat e liderëve fetarë, kështu që lirisht mund të themi se ishin hoxhallarët tanë që luftuan qysh në ditët e para të Rilindjes Kombëtare, krahas intelektualëve e politikanëve tanë të mëdhenj. Kështu, së bashku me ideologun e shquar rilindës Sami Frashrin, ishte mulla Haxhi Zeka, që rroku armët për ta vënë në jetë bashkimin e vilajeteve shqiptare në një. Së bashku me Ismail Qemal bej Vlorën ishte H. Vehbi Dibra që ngriti flamurin në Vlorë e luftoi kundër serbomalazezve.(6)

Ato ditë kur shteti i sapo ngritur shqiptar kishte nevojë për mbështetje, prijësit fetarë: H. Ibrahim Repishtin, H. Sabri Bushatin e shumë hoxhallarë të tjerë, i gjen në vendin e duhur që morën armët dhe i dolën në mbrojtje atdheut. Ishin hoxhallarët që kontribuuan në kryeqytetin e shqiptarëve Tiranën në vitet më të vështira: Zyber efendi Hallulli, Ismail efendi Ndroqi e Ali efendi Dërhemi7, që ishin imamë, po edhe kryetarë- udhëeqës të Tiranës. Pjesëmarrës të Kuvendit Kushtetues të janarit 1924 ishin prijësit islamë shqiptarë: Hafiz Ismet Dibra, Hafiz Ibrahim Rrepishti, i cili në vitin 1925 u zgjodh deputet në Parlamentin shqiptar, Hafiz Xhemal Mullai.8 Zhvillimet politike shoqërore në Shqipëri, dhe vendosja e diktaturës së shtetit monist, cenonte interesat e të gjitha shtresave dhe të drejtat e masave popullore, prandaj hoxhallarët që nuk mund të pajtoheshin me regjimin ateist, komunist e diktatorial, do të arrestoheshin e të burgoseshin. Shqipëria dhe Islami janë dy nocione që detyrimisht qëndrojnë pranë njëri-tjetrit. Faik Konica ka thënë: “Të mos ishte Islami, populli shqiptar do të ishte shumë më tepër në numër, por jo shqiptarë”. Edhe tek Balli Kombëtare si edhe tek NDSH-ja roli i prijësve fetarë është kyç. Kurse në trojet shqiptare të mbetura jashtë shtetit, roli i hoxhëve për organizimin e jetës patriotike, pajtimin e gjaqeve si edhe UÇK-në, ishte një mbështetje e fortë.

Tempujt dhe shtypi fetar

Vatra ku takoheshin burrat për adhurim e studim, ishte pa dyshim edhe hapësirë e kontributit për çështjen madhore kombëtare, prandaj xhamitë e medresetë i gjen në ballë të tempujve ku takoheshin, ku kuvendonin dhe merreshin hapat e mëtejmë për të ardhmen e popullit. Duke filluar që nga të shkruarit me shkronja shqip, hoxhët prinin në aktivitetin e themelimit të kështjellës bazë të një kombi – gjuhës. Edhe përpjekja për të kontribuar në zgjerimin e propagandës shqiptare kishte rrugën e mësimit të leximit si dhe botimit të revistave e gazetave. Si mendimtar dhe bartës i vizionit të Islamit ndër shqiptarët, kuptoi se Islami në Shqipëri duhej t’i hynte një rruge të re për të vazhduar misionin dhe rolin e tij mirëbërës e qytetërues në ndërtimin e së ardhmes së atdheut. theksonte: “Injorancën s’mund ta justifikojmë me pleqërinë tonë, as me mungesën e shkollave në atdheun tonë, sepse jemi urdhnue për të studiua deri kur të vdesim, jemi urdhnue me udhtue deri në vendet më të largëta për të Studiue.(9)

Dokumentet historike tregojnë se Shqipëria kishte mbi 1600 xhami, të cilat, krahas funksionit të tyre primar, kanë shërbyer edhe për zhvillimin e mbledhjeve, takimeve e kuvendeve me karakter social-kombëtar, ndër të cilat është edhe Lidhja e Prizrenit, e zhvilluar në xhaminë “Bajrakli”. E tillë ishte gjendja në Medresenë e Prizrenit, e njohur për edukimin që u ofronte brezave të rinj, në frymën fetare e kombëtare, sepse aty ligjëronte edhe një prej figurave më në zë në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, intelektuali e patrioti myderriz Ymer Prizreni. Edhe në lëvizjet e zhvillimet e fundit, LDK dhe Këshilli i Pajtimit të Gjaqeve mbanin takimet në medresenë “Alauddin” të Prishtinës, gjegjësisht nëpër xhami të ndryshme anë e kënd Kosovës”. Fryma e Lidhjes së Prizrenit vazhdonte të gjëllinte në shumë veprimtari kulturore. Nja 30 gazeta dhe revista në gjuhën shqipe qenë botuar deri në vitin 1908, si brenda ashtu edhe jashtë perandorisë, ndërkohë që ishin çelur edhe një numër shkollash shqipe(10)”.

Në publicistikë botoheshin shkrime e gazeta nga hoxhët, që qarkullonin në popull, si gazeta “Dajti” (1924). Revista “Zani i Naltë” ishte revista e parë zyrtare e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, themeluar në vitin 1923, menjëherë pas ngritjes së institucionit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Ajo u botua nga viti 1923 deri më 1939. Ishte revistë historiografike, letrare, patriotike dhe atdhetare, ku botonin shkrime e artikuj autorë, të cilët lanë gjurmë të pashlyera në publicistikë. Gjithashtu edhe roli i jashtëzakonshëm i prijësve islamë në arsim e publicistikë, me shkrime në revista, si “Zani i Naltë”, “Kultura Islame”, “Njeriu”, “Drita Islame” etj., që ishin nxitje për përdorimin e shkronjave shqip. Po ashtu edhe shkrime për filozofinë politiko-historike të shqiptarëve. Botimi i revistës islamo-shqiptare “Zani i Naltë”(11), që, duke u bazuar në mësimet e Kur’anit për diturinë, përhapte porosinë se duhej hapur rruga e dijes dhe ngritjes. Më pastaj u botuan revista “Kultura Islame” dhe “Njeriu”, organe të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Këto botime ishin një pasqyrë e vërtetë e vlerave të inteligjencies myslimane të asaj kohe krize mendimesh e ideologjish. Në vargun e hoxhallarëve dijetarë, shkrimtarë dhe atdhetarë, pa dyshim, kishte një numër të pafund publicistë.

Disa nga figurat e rëndësishme të hoxhallarëve

Na duhet të themi disa, ngase numri i hoxhallarëve kontributdhënës është pothuaj sa ishte numri i tyre në tërësi, meqë gati secili hoxhë pasohej, dëgjohej e respektohej, dhe, nga ana tjetër, secili ishte aktiv në ngritjen e vetëdijes së popullit jo vetëm në çëshjte fetare, po edhe në sosh sociale, shoqërore e kombëtare, në veçanti. Nga emrat më të shquar të kulturës islame që kontribuuan për besimin dhe kombin, janë: H. Vehbi Dibra (Agolli), Hafiz Ali Korça, Sheh Ibrahim Karbunara, Hoxha Kadri Prishtina, Ymer

Haxhi Prizreni, Ferit Voskopola, Xhemal Naipi, Hafiz Ibrahim Dalliu, Ismail Efendi Ndroqi, Said Najdeni, Zyber Halluli, Daut Boriçi etj.(12)

Tek secili gjen frymëzim e model për t’u pasuar, ngase me përkushtimin me të lartë ishin në krye të detyrës së tyre, duke mbrojtur kombin edhe nga propaganda e madhe që sillnin ndër ta për të mos lejuar krijimin e një kombi shqiptar të fortë në këto troje. E veçantia binte edhe mbi të qenët pjesëtarë të fesë islame. Ishin hoxhallarët tanë, krahas intelektualëve e politikanëve tanë të mëdhenj, që luftuan qysh në ditët e para të Rilindjes Kombëtare. Ata ishin edhe “kalorës” e luftëtarë deri në vdekje duke arritur gradat më të larta të qenies njëri shehid dëshmor. Në të gjitha ngjarjet me karakter historik dhe politik do të vërejmë se prania e prijësve myslimanëhoxhallarëve ishte e pashmangshme në ruajtjen dhe kultivimin e traditës dhe identitetit, prandaj

prijësit fetarë myslimanë kanë dhënë një kontribut të veçantë për ekzistencën e kombit shqiptar.

Kurse nga qarqe shkencore shqiptare, janë lënë anash e janë mbuluar sidomos ata me titujt hoxhë, myderriz, myfti mualim etj.. Këtë anashkalim e kanë vërejtur shumë studiues. Madje, njëri prej tyre, me të drejtë, shfaq habinë se si mund të anashkalohen e të mohohen ata burra të mëdhenj të kombit. Nuk mund të anashkalohen eruditi i madh i Rilindjës – Hoxha Tahsini, pastaj Ymer Prizreni e Daut Efendi Boriçi në Lidhjen e Prizrenit, Hafiz Ibrahim Shkupi i Kongresit të Manastirit,(13) Myfti Vehbi Dibra e Sheh Ahmet Pazari të shpalljes së Pavarësisë më 1912 dhe ngritjes së Flamurit, pastaj Hafiz Ali Korça e Ismail Efendi Ndroqi të Kongresit të Durrësit më 1918, Mutesin Këlliqi i Kongresit të vitit 1920, Mulla Idriz Gjilani e Ilaz Broja të periudhës së Ballit Kombëtar, hafëz Rizah Gërbeshi e mulla Sadri Prestreshi të NDSh-së, mulla Jonuz Zejnullahu, mulla Jakup Hasipi etj. të luftës së fundit të UÇK-së. Duke filluar nga më të hershmit e deri tek ata të kohëve tona, hoxhallartë kanë biografitë dhe bëmat e tyre të rralla për çështjen kombëtare, prandaj studimi dhe ndriçimi i veprimtarisë tyre na shtrohet detyrë e përgjegjësi.

1. Jacques Edvin ,”Shqiptarët histori e popullit shqiptar nga lashtësia deri në ditët e sotme” md. Tiranë 184, 257 – 293

2. Edith Durham, Brenga e ballkanasve, f. 10, Tiranë 2000

3. Historia e popullit shqiptar 4,f. 31, Tiranë 2008

4. Mr. Qemajl Morina, ”Feja kultura dhe tradita islame, f. 35, Prishtinë 1995

5. Ali Zaimi (Konferencë 22 nëntor 2012) në universitetin Bedr të Tiranës

6. http://.fmsh-al. org

7. Ibid

8. Ibrahim Hasnaj (Hima), “Hafiz Ibrahim Dalliu-jeta dhe vepra” “Dituria Islame” nr. 64-70

9. Dr. Ramiz Zekaj, “Zhvillimi i kulturës islame te shqiptarët gjatë shek. XX”, Tiranë, 1997.

10. Miranda Vickers “Shqiptarët një histori moderne” pa vit botimi f. 77

11. “Ne jemi një vend evropian, dhe si i tillë duhet të marrim nga qytetërimi perëndimor çka është e mirë, por jo çka është e keqe’, ”Zani i Nalt”

12. http://. dritaislame. al

13. http://noa. Al

Refik Gërbeshi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit