16.3 C
Pristina
Sunday, May 19, 2024

A është shamia sfidë ndaj kapitalizmit dhe seksualitetit femëror si mall tregu?

Më të lexuarat

Trupat e grave trajtohen si çdo mall tjetër që ofrohet në tregun e lirë. “Çdokush që vazhdon të mbaj të mbuluar atë që ka për të ofruar në treg nuk është një biznesmene besnike”.Nga Anne Norton
Në studimin e saj të shkëlqyer “The Politics of Veil”, Joan Scott e tërhoqi mënjanë velin për të na treguar atë se çfarë fshihet në politikën franceze. Shamia fsheh praninë dhe jetëgjatësinë e hierarkive racore që francezët këmbëngulin se nuk janë të pranishme. Shamia fsheh ngjashmërinë e frikshme ndërmjet trajtimit të myslimanëve francezë me atë të hebrenjve francezë. Shamia mbulon një të kaluar koloniale që francezët këmbëngulin se është diçka e vdekur dhe e kaluar. Scott e shtrin këtë copë pëlhure (shaminë) dhe e përdor ate për të hartuar ankthet që nuk i ndahen politikës dhe shoqërisë franceze. Liria, barazia dhe vëllazëria nuk janë vetëm thelbi i vlerave të Francës, por ato janë, gjithashtu, kërkesa që francezët (ashtu si edhe perëndimorë të tjerë) gjejnë vështirësi për t’i përmbushur. Liria bëhet më e kontrollueshme kur reduktohet në liri seksuale. Vazhdimi i hierarkive koloniale gjetiu dhe racizmi brenda vendit përndjekin aspiratën për barazi. Vëllazëria humbet në konfliktin rreth shamisë si edhe në ato periferi të quajtura banlieues d’Islam. Sërish, një çështje që në dukje ka lidhje me myslimanët e shfaq veten si një seri pyetjesh që në mënyrë indirekte perëndimi duhet t’ia drejtojë vetes.
Analiza që filozofi Alain Badiou i ka bërë shamisë tregon se, ashtu siç ndodh shpesh me seksin në Perëndim, çështja nuk është dashuria, por lekët; jo romanca, por biznesi i mirë; jo të drejtat e njeriut, por normat e kapitalizmit. Mprehtazi, Badiou vëren se në ndalimin e shamisë ajo që është në lojë nuk është vetëm seksi, por kapitalizmi. Ndoshta, merr guximin të thotë Badiou, ka “një shpjegim të thjeshtë: një vajzë duhet të tregojë atë që ka për të shitur”. Trupat e grave trajtohen si çdo mall tjetër që ofrohet në tregun e lirë. “Çdokush që vazhdon të mbaj të mbuluar atë që ka për të ofruar në treg nuk është një biznesmene besnike”. Badiou e refuzon idenë se shamia duhet hequr sepse çdo grua që e mban atë veshur duhet të jetë e pamend, e tiranizuar ose e mashtruar. Shamia, argumenton Badiou, nuk është as një shenjë nënshtrimi e as një mburojë kundër shikimeve të burrave. Duke fshehur trupin femëror, shamia sfidon kapitalizmin dhe transformimin e seksualitetit femëror në një mall tregu.
Kritika e ofruar nga Badiou na e tërheq vëmendjen tek kryqëzimi dhe mbivendosja midis shfrytëzimit seksual dhe atij ekonomik. Siç një ish-anëtar i talebanëve i tha New York Times, çështja nuk qendron vetëm tek fakti se perëndimorët përdorin trupin e zbuluar të grave për të shitur cigare, por ngacmimi seksual dhe pabarazia në rroga vazhdojnë ta turbullojnë vendin e punës në Perëndim. Do të ishte mirë që kritikët e kapitalit financiar në Athinë, Reykjavik dhe New York të shqyrtonin varësinë e vazhdueshme të rendit ekonomik mbi punën e papaguar të grave […] Badiou ka një sy të mprehtë. Ai sheh përtej shamisë drejt gjërave të cilat zakonisht ne në Perëndim i mbajmë të fshehura. Në Perëndim, seksi dhe seksualiteti, njësoj si martesa dhe romanca, janë ngushtësisht të lidhura me kapitalin dhe pronën. Nënshtrimi i grave nuk është, siç mund të mendojnë konservatorët, një çështje e natyrshme dhe as siç mund të besojnë liberalët se është një çështje e zakoneve dhe besimeve fetare arkaike. Si konservatorët ashtu edhe liberalët e paraqesin nënshtrimin femëror si diçka tradicionale, ndërsa Badiou pranon modernitetin e tij. Konservatorët dhe liberalët e vendosin statusin e mbrojtur dhe të nënshtruar të gruas në një të kaluar të lashtë. Ata mund të dëshirojnë t’i ruajnë apo ndryshojnë ato tradita, por janë njëzëri në të konceptuarit e tyre si të krijuara, në një pjesë të madhe, nga fetë. Badiut pranon se shteti liberal sekular nuk është më pak përgjegjës për një gjë të tillë.
Perktheu: Rezart Beka
Fragment i shkëputur nga Anne Norton, “On the Muslim Question” (Princeton University Press, 2013), f. 62-65.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit