4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

A është e vërtetë se namazi nuk i pranohet dyzet ditë atij që pi alkool?

Më të lexuarat

Pyetje: A është e vërtetë transmetimi nga i Dërguari, salallahu alejhi ue selem, se pirësit të verës nuk i pranohet namazi i tij në periudhë prej dyzet ditësh?

Përgjigje: Falënderimi i takon Allahut…

Po, janë transmetuar hadithe të shumta për dënimin e pirësit të verës dhe se atij nuk i pranohet namazi për dyzet ditë. Ky hadith është transmetuar nga Amr ibn As, Ibn Abasi, Ibn Omeri dhe ibn Amr (Allahu qoftë i kënaqur me ta). Shiko “Vargun e haditheve të vërteta” 709,2039, 2695, 1854.

Prej haditheve të tilla është hadithi që e transmeton ibn Maxhe me numër 3377 nga Abdullah ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të) i cili ka thënë: I Dërguari, salallahu alejhi ue selem, ka thënë: “Kush pi verë dhe dehet,  nuk i pranohet namazi dyzet mëngjese, dhe nëse vdes hyn në zjarr, por nëse pendohet Allahu ia fal atij. Nëse kthehet përsëri dhe dehet nuk i pranohet namazi dyzet mëngjese, dhe nëse vdes hyn në zjarr, por nëse pendohet Allahu ia fal atij. Nëse kthehet e pinë dhe dehet nuk i pranohet namazi dyzet mëngjese, e nëse vdes hyn në zjarr, por nëse pendohet Allahu ia fal atij. E nëse kthehet është e drejtë e Allahut t’i jep të pijë nga Radagati xhibal ditën e Kiametit. Thanë: “O i dërguar i Allahut, çka është radagatu xhibali? Tha: “Është pija e banorëve të zjarrit”. Albani (Allahu e mëshiroftë) e ka vlerësuar të vërtetë në librn Sahih ibn Maxhe.

Mos pranimi i namazit nuk nënkupton se namazi nuk është i vlefshëm, apo se ai duhet ta lë namazin, por kuptimi është se ai nuk shpërblehet për atë namaz, e përfitimi nga namazi është se ai largon përgjegjësinë e tij dhe nuk dënohet edhe për lënien e tij.

Abdullah ibn Mendeh ka thënë: “Fjala e të Dërguarit “nuk i pranohet namazi” do të thotë nuk shpërblehet për namazin e tij dyzet ditë, si dënim për pirjen e verës, sikur që thuhet për atë që fletë ditën e xhuma kur Imami është duke ligjëruar hutben, ai e fal xhumanë por nuk ka xhuma, kanë për qëllim se nuk shpërblehet për atë xhuma si dënim për mëkatin e bërë”. Nga libri “Tadhim kadr salat” 2/587-588.

Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë) ka thënë: “Mos pranimi i namazit ka për qëllim se nuk shpërblehet për atë namaz, edhe pse llogaritet farz i realizuar prej tij, e nuk ka nevojë që ta përsërisë”.

Padyshim që pirësi i verës duhet që të kryen namazin në kohë të tij, e nëse le diç prej namazeve atëherë ka vepruar një mëkat të madh që është më e rëndë se sa mëkati i pirjes së verës.

Ky dënim është për atë i cili nuk pendohet, ndërsa ai që pendohet dhe kthehet tek Allahu, Allahu atij ia falë dhe ia pranon atij veprat. Siç u tha në hadithin e kaluar “nëse pendohet Allahu ia falë atij” Po ashtu i Dërguari salallahu alejhi ue selem ka thënë: “I penduari nga mëkati është si ai që nuk ka bërë mëkat” E transmeton ibn Maxhe 4250, Albani (Allahu e mëshiroftë) e ka vlerësuar hasen në librin Sahih ibn Maxhe.

Islam-qa.com
Burimi në gj. shqipe: albislam.com
Përktheu: Shpend Zeneli

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit