3 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Cilat janë katër gradat e njerëzve përballë fatkeqësive?

Më të lexuarat

Si dallohen njerëzit gjatë fatkeqësive në katër grada?

Njerëzit gjatë fatkeqësive dallohen në katër grada:

Grada e parë: Zemërimi

Zemërimi në këtë rast është disa llojesh:

Lloji i parë: Ky njeri zemërohet me zemër nga ajo që e ka goditur nga fatkeqësia. Ai zemërohet me Allahun nga ajo që ia ka caktuar Ai, e kjo është haram. Kjo mund të të çojë edhe deri në kufër. Allahu tha:
“Disa njerëz të tjerë e adhurojnë Allahun me kusht: Nëse u ecën mbarë, janë të kënaqur, por, nëse i godet fatkeqësia, ata kthehen në mohim e kështu humbasin këtë botë dhe tjetrën…”
(El-Haxh: 11)

Lloji i dytë: Të jetë zemërimi me gjuhë, si thënia “mjerë për mua” dhe “pse kështu,” e fjalë të ngjashme, dhe kjo është haram.

Lloji i tretë: Të jetë zemërimi me gjymtyrë, si rrahja e gjokseve, grisja e rrobave dhe rruajtja e flokëve, e të ngjashme me to, dhe kjo e tëra është haram dhe e mohon durimin e detyrueshëm.

Grada e dytë: Durimi

Njeriu e sheh se kjo është e rëndë për të, mirëpo e përmban veten nga fatkeqësia. Ai e urren atë që e ka goditur, mirëpo besimi i tij e mbron nga zemërimi. Tek ai, goditja e fatkeqësisë dhe mosgoditja e saj për të nuk janë të njëjta, mirëpo bën durim, dhe kjo për besimtarin është detyrim, sepse Allahu urdhëroi në durim:

“…Bëhuni të durueshëm, se Allahu, me të vërtetë, është me të durueshmit.”
(El-Enfal: 46)

Grada e tretë: Kënaqësia

Kjo nënkupton që njeriu të jetë i kënaqur me fatkeqësinë që e ka goditur, derisa tek ai, goditja e fatkeqësisë dhe mosgoditja e saj, për të janë të njëjta. Nuk i pengon prezenca e fatkeqësisë dhe prezenca e saj nuk i duket e vështirë. Kjo gjendje për besimtarin është e pëlqyer dhe jo e detyrueshme, sipas mendimit më të saktë të dijetarëve.

Dallimi mes kësaj grade dhe asaj para saj është i qartë, sepse të ndodhurit e fatkeqësisë dhe mosndodhja e saj te ky njeri janë të njëjta në kënaqësi, a ndodhi apo jo, kurse te grada para saj fatkeqësia për atë njeri është e rëndë, mirëpo bën durim.

Grada e katërt: Falënderimi

Kjo është grada më e lartë nga të gjitha të tjerat, madje duke e falënderuar Allahun për atë që e ka sprovuar nga fatkeqësitë. Ai e di se ato fatkeqësi janë shkaku i faljes së mëkateve të tij dhe ndoshta për rritjen e të mirave të tij. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të, thotë:

“Çdo fatkeqësi që e godet myslimanin, vetëm se Allahu nëpërmjet tyre ia shlyen gjynahet, madje edhe nëse ferra i hy në këmbë.”

(Shejh Muhamed Uthejmin, Allahu e mëshiroftë)

Nga arabishtja: Irfan Jahiu

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit