-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

A veprojmë çdo gjë sipas caktimit të Allahut?

Më të lexuarat

Pyetja:

A është njeriu i lirë në veprimet e veta, apo veprimet tona ndodhin me caktimin e Zotit xh.sh.?

***

Përgjigjja:

Besimi në caktimin e Allahut, në kader, do të thotë bindje e paluhatshme se çdo gjë që ndodh në gjithësi është me paracaktimin e Allahut xh.sh.. Besimi në caktimin e Allahut xh.sh. është njëra prej shtyllave themelore të imanit. Xhibrili alejhi selam  kur e ka pyetur Pejgamberin ﷺ se çka është imani, ai ka thënë: “Të besosh në Allahun, engjëjt (melekët) e Tij, Pejgamberët e Tij, librat e Tij, Ditën e Fundit dhe të besosh në caktimin e Allahut, gjithçka që ndodh, e mirë apo e keqe, është prej Tij.” [1]

Imani i një muslimani nuk vlen nëse nuk beson në caktimin apo kaderin e Allahut xh.sh.. Transmetohet se Ibën Umerin e kanë lajmëruar se disa njerëz e mohojnë kaderin dhe ai u ka thënë: “Kur t’i takoni ata, njoftojini se unë nuk kam asgjë me ata, e as ata nuk kanë asgjë me mua. Pasha Allahun, po që se ndonjëri prej tyre do të kishte flori sa kodra e Uhudit dhe do ta jepte lëmoshë, nuk do t’ia pranonte atij Allahu derisa të besojë në kaderin-caktimin e Allahut.” [2]

Besimi në caktimin e Allahut përmban dy çështje:

1. Besimi se Allahu xh.sh. është Krijuesi i çdo gjëje dhe çdo gjë që ndodh në gjithësi është me dëshirën e Tij, se dituria e Tij është gjithëpërfshirëse për veprimet e krijesave të Tij dhe se çdo gjë që ndodh në gjithësi, Allahu xh.sh. e ka shkruar në Levhi Mahfudh pesëdhjetë mijë vjet para krijimit të qiejve dhe tokës. Ky besim bazohet në shumë ajete dhe hadithe, prej tyre është thënia e Allahut xh.sh.:

Ne çdo send e kemi krijuar me masë të caktuar.” (Kamer: 49)

Gjithashtu:

Çelësat e fshehtësive janë vetëm tek Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di kush pos Tij. Ai e di çka ka në tokë dhe në det, Ai e di për çdo gjeth që bie dhe s’ka kokërr në thellësi të tokës, s’ka të njomë dhe s’ka të thatë që nuk është (shënuar) në librin e qartë (Levhi – Mahfudh).” (En’am: 59)

Gjithashtu:

Nuk ndodh asnjë fatkeqësi në tokë e as në trupin tuaj, e që të mos jetë në shënime (libër – Levhi Mahfudh) para se të ngjajë ajo, e kjo për Allahun është e lehtë.” (Hadid: 22)

Gjithashtu:

Po ju nuk mundeni, por vetëm nëse dëshiron Allahu, Zoti i botëve!” (Tekvir: 29)

Thëniet e të Dërguarit të Allahut ﷺ në lidhje me këtë çështje janë të shumta. Prej tyre është hadithi:

”Allahu i ka shkruar caktimet (ndodhitë, kaderet) e krijesave të Tij pesëdhjetë mijë vjet para se t’i krijojë qiejt dhe tokën, kurse Arshi i Tij ishte mbi ujë.” [3]

Pastaj hadithi: “Lapsi është gjëja e parë që ka krijuar Allahu dhe i ka thënë: “Shkruaj!” (Lapsi) Ka thënë: “Çka të shkruaj?” (Allahu) I ka thënë: “Shkruaj caktimet e çdo gjëje që do të ndodhë deri në Ditën e Fundit.” [4]

2.Besimi se çdo njeri posedon dëshirë, vullnet e zgjedhje të lirë dhe në bazë të dëshirës dhe vullnetit të lirë njeriu beson apo mohon, bën vepra të mira apo bën mëkate. Prandaj duke qenë se njeriu posedon liri të plotë në veprimet e tij, ai do të shpërblehet për vepra të mira dhe do të ndëshkohet për vepra të këqija, edhe pse Allahu xh.sh. paraprakisht e di se çfarë do të zgjedhë njeriu dhe si do të jetë përfundimi i tij dhe në bazë të kësaj dijeje të hershme, ia ka shënuar edhe veprat. Kjo asnjëherë nuk do të thotë se Zoti ia ka imponuar njeriut veprën e mirë apo të keqen, për atë arsye edhe  i ka dërguar Pejgamberët dhe i ka zbritur librat, që t’ia sqarojë rrugën e drejtë. E pas udhëzimit, kush pason humbjen, atëherë pasojat e humbjes çdonjëri i bart për vete. Këtë parim e mbështesin shumë ajete kuranore, ndër të cilat është thënia e Allahu xh.sh.:

E ti thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj, e kush të dojë, le të besojë, e kush të dojë, le të mohojë (le të bëjë kufër). Ne kemi përgatitur për jobesimtarët zjarr, që muret e tij (të flakës) i rrethojnë ata, e nëse kërkojnë shpëtim, ndihmohen me një ujë si katran që përzhit (djeg) fytyrat. E shëmtuar është ajo pije, e vend i keq është ai.” (Kehf: 29)

Gjithashtu:

Ne e udhëzuam atë në rrugë të drejtë, e ai do të jetë ose mirënjohës ose përbuzës.” (Insan: 3)

Gjithashtu:

E kush punoi ndonjë të mirë, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë. Dhe kush punoi ndonjë të keqe, që peshon sa grimca, atë do ta gjejë.” (Zelzele: 7-8)

Gjithashtu:

Nga zemrat e tyre kemi hequr (kemi zhdukur) çdo gjë që ishte krijuar nga zilia (nga urrejtja), janë në xhenet, ku rrjedhin lumenj, e ata thonë: “Falënderojmë Allahun që na udhëzoi për këtë (për iman, për punë të mira, na e hoqi zilinë, na futi në xhenet), pse sikur të mos na drejtonte Allahu, ne nuk do të dinim të udhëzohemi. Vërtet, të Dërguarit e Zotit na e thanë të vërtetën dhe ne u besuam!” E atyre u drejtohet thirrje: “Ky është xheneti, iu dha juve për atë që vepruat.” (A’raf: 43)

Gjithashtu:

Prandaj shijoni këtë (dënim) për shkak se ju e patët harruar takimin tuaj në këtë ditë, e edhe Ne tash ju harruam ju, ndaj, për shkak të asaj që keni vepruar, shijoni dënimin e përjetshëm.” (Sexhde: 14)

Allahu i Lartësuar na sqaron se njeriu beson dhe bën vepra të mira me dëshirën dhe vullnetin e tij të lirë dhe shpërblehet me xhenet, apo mohon dhe bën vepra të këqija me dëshirën dhe vullnetin e tij të lirë dhe ndëshkohet me xhehenem.

Pasi caktimi i Allahut xh.sh. është çështje ku nuk ka mundësi njeriu të ketë njohuri, atëherë nuk i takon atij që veprimet e tij të këqija t’i arsyetojë me kader, ngase kaderi i Zotit nuk ndërhyn në vullnetin dhe zgjedhjen e lirë të njeriut. Rrjedhimisht, njeriu është plotësisht i lirë të vendosë për veprimet e veta dhe në bazë të tyre do të shpërblehet apo do të ndëshkohet.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Muslimi, nr. (8) 1

[2] Muslimi, nr. (8) 1

[3] Muslimi, nr. (2653) 16

[4] Ebu Davudi, nr. 4700. Albani e ka bërë sahih.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit