5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Daveti zhvillues dhe daveti konservues – Rudian Zekthi

Më të lexuarat

Daveti zhvillues dhe daveti konservues

Kur folëm për Davetin e Musait a.s. ne thamë se Daveti i tij është shembulli më i qartë i davetit vertikal apo publik. Dhe  po ashtu se duke qenë se paria si rregull nuk e pranon të vërtetën sepse nga ndryshimi eventual i sistemit prej kësaj të vërtete tjetër, ata humbasin pozitën dominuese në sistem, kjo nuk do të thotë se nu kia vlen daveti me to,  por përkundrazi duhet të kryhet me çdo kusht pasi daveti ballafaques me parinë ndonëse i adresohet njerëzve të rëndësishëm, efektet dhe frytet i shkojnë masës së njerëzve që e përbëjnë shoqërinë. Madje siguria pothuajse e plotë se paria e kundërshton apriori çdo të vërtetë që vjen nga brenda si alternativë ndaj të vërtetës së sistemit, shërben si një dispozitiv metodologjik: duke ia shfaqur të vërtetën parisë në hapësirën publike, testohet në mënyrë të sigurtë disponimi i masës që e përbën shoqërinë, pra vihet në pah nëse ajo është njësoj si paria e disponuar për ta refuzuar të vërtetën, apo se ndryshe nga paria është e prirur ta synojë dhe pranojë të vërtetën.

Dhe po ashtu kur folëm për davetin e Musait a.s. nuk patëm dot vëmendjen e duhur, që ta mbështetnim atë që thamë (një pjesë të së cilës sapo e përsëritëm më lart) me njërin prej ajeteve kuranore që  i patëm cituar njëherazi rreth historisë së Musait a.s. me Faraonin: “ Dhe ashtu ai dhe ushtria e tij u sollën në tokë me kryeneçësi ndaj të vërtetës dhe menduan se nuk do të kthehen tek ne. Andaj ne e kapëm atë dhe ushtrinë e tij dhe e hodhëm në det, shiko pra sesi përfundojnë mizorët. Dhe ata i bëmë prijësa që thërrasin për në zjarr dhe në ditën e kijametit atje nuk do t’u ndihmohet” Kasas 39-40—41.  “…ata i bëmë prijësa që thërrasin për në zjarr”, pra  Zoti  dëshmon se i ka bërë krerët dhe rrethin e tyre, prijësa – udhëkryesues për në mëkat dhe ndëshkim, pra zemërngurtësia mosmirënjohëse e tyre nuk është një ves që shkon vetëm për llogari të tyre, por është paracaktuar të jetë një dispozitiv social dhe psikologjik që ndikon e i mëshon kequdhëzimit të mbarë njerëzisë. Ndryshe thënë: përkundër faktit se e mira dhe e keqja janë produkt i zgjedhjeve  personale të individëve të cilët  pra zgjedhin edhe të sakrifikojnë për të mirën, apo nuk i rezistojnë dot tundimit të së keqes, këto zgjedhje vetë nuk janë thjesht realitete psikologjike por edhe sociologjike dhe kulturore: në çdo kohë, në çdo shoqëri, njerëzit i kryejnë zgjedhjet e tyre parasëgjithash në përputhje me  kufijtë e asaj që në shoqëri konsiderohet e pranueshme dhe e papranueshme, kufij që përcaktohen dhe promovohen pikërisht nga paria. Dhe kjo kornizë sociologjike është më e gjerë dhe më paraprirëse se korniza e ngushtë psikologjike.

Për sa kështu,  nga njohja e metodës profetike të davetit, duket se për ta shmangur këtë ndikim, pra për t’i nxjerrë masat nga sfera e ndikimit të elitave të prishura, ka përparësi mbi të gjitha një rrugë: të përballesh publikisht, të përgënjeshtrosh dhe dekonstruktosh të vërtetat e rreme me të cilat ato legjitimojnë sistemin dhe veten e tyre si garantë të këtij sistemi.

Të sqarojmë edhe një çështje tjetër që e trajtuar si nuancë, mund ose të merret e mirëqenë, ose të keqkuptohet: edhe daveti horizontal bën të mundshëm neutralizimin e ndikimit korruptues të sistemit mbi masën e besimtarëve, pra duke mos ndalur së dëshmuari për të vërtetën me çdo njeri,në çdo vend  sado të harruar dhe në çdo çast sado fluturak, kjo është një punë e lavdërueshme tek e cila ka dobi. Dhe ata të cilëve u adresohet ky nivel daveti kanë përfitim dhe janë në gjendje të ndajnë në zemrën e tyre të vërtetën e Zotit nga e rrema e sistemit, madje edhe pa rrezikuar asnjë moment ta humbasin këtë qartësi. Madje duke qenë e sigurtë që edhe njëmijë vjet të rronin nën këtë sistem, nën efektin e pandërprerë të davetit horizontal do ta përballonin pa e humbur qartësinë e dallimint mes të vërtetës dhe të kotës.

Pra edhe daveti vertikal, edhe daveti horizontal e bëjnë të mundshme tek njerëzit tek të cilët mbërrijnë, dallimin mes të vërtetës dhe të drejtës nga njëra anë dhe gënjeshtrës dhe padrejtësisë nga ana tjetër. Por problemi qëndron tek niveli dhe intensiteti i dëshmisë së këtij dallimi. Daveti horizontal, sigurinë e dallimit mes të vërtetës dhe të kotës, e garanton në rrafsh mendor pa i dhënë hov mendjes që dobinë e këtij dallimi ta shtrijë në realitetin ku besimtari jeton; ose në rastin më të mirë duke e ushtruar në mënyrë autarkike këtë dallim në rrafshin praktik të ekzistencës: pra në zonën e ngushtë ku përmblidhet përditshmëria e besimtarit, prej nga presionin që bën realiteti tërësor ku gjendet, mundohet ta përballë duke e përforcuar, mbylur dhe fortifikuar këtë zonë.

Këtu shfaqet epërsia e davetit vertikal. Ky davet është shprehje e drejtpërdrejtë e

domosdoshmërisë që  qartësia e dallimit mes të vërtetës dhe të kotës duhet të kapërcejë rrafshin mendor – teorik dhe të manifestohet praktikisht tek mënyra sesi funksionojnë gjërat, sesi legjitimohen vlerat, sesi organizohet sistemi. Dhe ballafaqimi me skemat dhe idetë e rreme, është e vetmja gjë që mund të bëhet si e vetmja rrugë për ta  përcjellë dallimin mes të vërtetës dhe të kotës nga rrafshi mendor në rrafshin praktik. Muhamedi a.s. më qartë nga të gjithë, Musai a.s. dhe të gjithë profetët e mëdhenj, këtë përmbushën kur dolën në hapësirën publike për të finalizuar davetin vertikal: u dhanë masës së njerëzve (me barrën ata për t’i shpëtuar, me të cilën i kishte ngarkuar Zoti) mundësinë e gjallë të vërenin qartësinë e kundërvënies mes të vërtetës dhe të rremes, në rrafshin praktik. Ta vërenin këtë qartësi jo si një realitet paralel me sistemin por si pjesë të sistemit që ndërvepron me të duke ia testuar atij limitet. Kjo qartësi që është qartësia fisnike e shembullit  i inspiron njerëzit sepse ato pikasin mundësinë e zotërimit të një kodi që e bën imagjinatën dhe realitetin vazhdim të njëri – tjetrit.

Dhe thirrësit në Hakun e Zotit që s’e kanë kuptuar akoma këtë, ky moskuptim i implikon: nëse zgjedhin davetin horizontal, do të thotë se po abstenojnë në paraqitjen e shembullit sesi e vërteta mund ta tronditë në kohë reale të kotën.

Paraqitja e këtij shembulli është luks, pra diçka pa të cilën  mund t’ia dalësh gjithsesi,vetëm nëse konsiderohet si luks kalimi nga qartësia teorike tek qartësia praktike; në të kundërt, nëse praktikimi i qartësisë se epërsia e të vërtetës mbi të kotën është çështje e përhershme pra gjithmonë e shtruar për zgjidhje,atëherë ofrimi i këtij shembulli ndaj masës së njerëzve për të cilët Zoti të ka bërë përgjegjës,është për thirrësin një detyrim i paneglizhueshëm.

Paraqitja e këtij shembulli është luks vetëm nëse konsiderohet si luks që besimtarët të marrin përsipër përgjegjësinë të ndryshojnë gjendjen e gjërave; në të kundërt është prapë edhe njëherë detyrim i qartë.

Mendojmë se ky është edhe kuptimi i  tre prej ajeteve të cituara prej nesh rreth historisë së Musait me Faraonin, ajetet 4, 5 dhe 6 të Sures Kasas: “ Vërtet Faraoni ka ngritur kryet në tokë dhe popullin e ka grupëzuar dhe një grup prej tyre e shtyp, ashtu që djemtë e tyre ua mbyt, kurse gratë ua lë të jetojnë.  Vërtet ai ishte prej më shkatërrimtarëve. E ne duam që t’i lartësojmë ata që u shtypën në tokë, t’i bëjmë udhëheqës dhe t’i bëjmë trashëgues. Dhe atyre t’u japim pushtet në tokë, dhe Faraonit, Hamanit dhe ushtrisë së këtyre të dyve t’ua tregojmë atë që ruheshin”.

Sipas këtyre ajeteve, arsyeja se përse Allahu  kishte caktuar që Musai a.s. ta nxirrte popullin e vet nga Egjipti, ishte mundësia që ata nga një bashkësi njerëzish të shtypur dhe të robëruar të bëheshin popull udhëheqës, të ndryshonin gjendje dhe nga një popull i nënshtruar dhe i poshtëruar të bëheshin një popull i lartësuar dhe i rëndësishëm (dhe po ashtu në të njëjtën kohë sundimtarët e mëparshëm të humbasin pushtetin dhe të poshtërohen). Dhe që kjo të ndodhte do të duhej që ato njerëz të nxirreshin nga ndikimi i Faraonit dhe sistemit të tij, gjë që nuk mund të bëhet ndryshe përveçse përmes davetit vertikal dhe demonstrimit të shembullit të lidershipit, pra të shembullit të Musait a.s., të shembullit të kurajos dhe epërsisë, shembull që inspiron dhe motivon publikun para të cilit zhvillohet ky demonstrim.

Dhe në këtë kuptim, ky davet është në të vërtetë daveti i zhvillimit, pra që synon që njerëzit të cilëve ua përcjell të vërtetën për Hakun e Zotit të kapërcejnë limitet e tyre dhe të bëhen ndryshues me themel për mirë të gjendjes së gjërave dhe këtë pozitë udhëheqësie përmirësuese ta përcjellin brez pas brezi. Sepse të ndryshosh me themel statusin dhe peshën e një bashkësie duhet të ndryshosh me themel mënyrën e të qenit të saj, ta inspirosh atë të ketë krejt aspirata të tjera nga sa kur ishte një bashkësi e shtypur, siç Zoti thotë në ajetin 13 të sures Rrad’.

Dhe ky ndryshim nuk vjen ndryshe vetëm se duke e përfytyruar si të mundshme atë që duket si utopi, pra se nga një bashkësi njerëzish të shtypur mund të dalë një popull kurajoz dhe imponues, pra duke synuar ta zhvillosh këtë bashkësi. Dhe ky zhvillim me siguri që nuk vjen vetëm përmes ligjërimit (pasi duhen plotësuar dhumë kushte njëkohësisht fatlumturisht), por me siguri që nuk vjen pavarësisht prej ligjërimit,pra nuk vjen nëse nuk e derdh davetin në hapësirën publike dhe nuk e kalit ligjërimin si davet vertikal -ballafaques me krerët e sistemit. (Po ashtu, në mungesë të davetit vertikal, daveti horizontal nuk ia del dot t’i zhvillojë besimtarët dhe përmes tyre shoqërinë,

sepse daveti horizontal në thelb është davet mbijetese, pra davet konservues që synon parasësgjithash të ruajë një raport të caktuar forcash në terren, sa më gjatë të jetë e mundshme, në pritje që rrethanat të kthehen në favor (vetiu të kthehen në favor sepse me davetin individual thirrësi po bën gjithmonë më pak se ai që ka systemin, i cili në të njëjtën kohë që e shtrin ligjërimin e vet në piblik, me siguri që nuk heq dorë nga ligjërimi horizontal për llogari të vet).

Jo vetëm njëherë shprehimisht (dhe pothuajse përherë me implikim) shkruesit të këtyre radhëve i është thënë se sado të sakta të jenë pohimet rreth metodës profetike të davetit, duhet tëi bëjmë llogaritë me faktin që gjendja (në fakt niveli ) i muslimanëve është e dobët dhe se me brumin që kemi nuk mund të synojmë të bëjmë punë të mëdha.

Në fakt një pohim i tillë (në fakt një mendësi e tërë që ka zënë rrënjë) është ai vetë i dobët, pasi mbështetet mbi supozimin se gjërat mbesin të pandryshuar në një realitet përherë statik, ose mbi supozimin se gjërat si rregull ndryshojnë (por duhet pritur se si dhe se kur) dhe e vetmja gjë që nuk ndryshon jemi ne, ne jemi të destinuar të mbetim të pandryshueshëm – të njëjtët gjatë gjithë kohës ( mendësi  bllokuese mbijetese që siç thamë të çon tek  daveti i mbijetesës).

Kuptimi më i madh që mund të nxjerrim nga historia e beni  israilëve me Faraonin, (që gjendet në librat e tefsirit por që ne e kemi marrë nga libri i shkruar në shqip “Në brendësi të Kuranit”) është se Plani i Zotit për ta u plotësua i shtrirë në kohë (por jo në një kohë inercie dhe pasiviteti), përmes një seri ngjarjesh të jashtëzakonshme ku ai popull u përfshi dhe megjithëse brezi i parë i tyre, pra brezi i mrekullive nuk pati imagjinatë të mjafueshme për ta përfytyruar veten të rendësishëm, pas 20 vjet endjesh në shkretëtirë, pasardhësit e tyre morën përsipër  me Jusha bin Nun në krye, ta përmbushin Planin e Zotit. Brumi i beni israilëve tek Faraoni  ishte i dobët, por brumi i burrave që u rritën në shkretëtirë nuk ndryshoi vetiu por ndryshoi në përputhje me një ligj të Zotit: kurrë nuk mund të ketë përfitim të madh me kontribut të paktë, që ndryshe mund ta themi nuk mund të marrësh triumfin si trofe ndërkohë që synon thjesht të mbijetosh.

Seria e pandërprerë e mrekullive që  u ndodhi në kohë reale beni israilëve dhe pakënaqësia e vazhdueshme e tyre ndaj gjesteve publike të Musaita.s., dëshmon në trajtën e vet më të padëshirueshme efektet e pikëllueshme anësore që sjell daveti horizontal: ai synon konservimin derisa të vijnë ditë më të mira, por nuk ka  asnjë garanci se kur këto ditë të vijnë, konservimi të jetë bërë natyrë e dytë dhe të mos ketë asnjë mundësi të kapërcehet (këtë rrezik duhet ta llogaritin si shumë të mundshëm të gjithë ata që besojnë tek suksesi i davetit individual).

Prof. Rudian Zekthi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit