-3.2 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Shkaqet që krijojnë qetësi në namaz – përgatitja për namaz

Më të lexuarat

Përgatitja për namaz
Ekzistojnë dhe kërkohen shumë çështje lidhur me përgatitjen për të hyrë në namaz. Mirëpo, sa për shembull mund t’i përmendim këto:
– Përsëritja e ezanit së bashku me myezinin.
Transmetohet nga Ebu Seid el-Hudriu radijallahu anhu se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Kur të dëgjoni thirrjen e myezinit për namaz, përsëritni edhe ju thëniet e tija”. (Shënon Muslimi, 383).
Dhe kur myezini të thotë: “hajje ales-sal-lah” dhe “hajje alel fellah” – “ejani në namaz, ejani në shpëtim”, thuhet: “La havle ve la kuvvete il-la bil-lah” – “nuk ka fuqi dhe madhëri tjetër përveç Allahut”. (Shënon Muslimi, 385).
– Leximi i duasë pas ezanit, e cila është sunet.
“All-llahumme rabbe hadhihi ed-da’veti et-tammeti ves-salati el-kaimeti ati Muhammeden el-vesilete vel fedilete veb’ath-hu mekamen mahmudien el-ledhi vead-teh”. Që do të thotë: “O Allah, Zot i kësaj thirrjeje të plotë dhe i namazit, i cili do të falet, dhuroi Muhammedit ndërmjetimin dhe begatinë dhe lartësoje atë në vendin e lavdishëm, të cilin ia ke premtuar (mekami mahmud)”. (Shënon Buhariu, 589).
Në një transmetim tjetër ekziston thënia: “Inneke la tuhlifu el-miad”, që do të thotë: “Me të vërtetë Ti nuk e thyen premtimin”. Bin Bazi lidhur me pjesën e dytë të hadithit thotë se senedi i tij është hasen – i mirë. (Tuhfetu el-ahjar, 113).
Përveç kësaj ka edhe shtesa tjera në ketë lutje, të cilat nuk kanë bazë dhe janë bid’at, si: “ved-derexhete el-alijete err-rrefiah”, “nerxhu shefaate” apo “verzukna shefaatehu jevmel kijameh”. Sepse, lutjet e (vërteta) të Pejgamberit janë për t’iu afruar Allahut.
– Lutja në mes ezanit dhe ikametit.
Lidhur me këtë Pejgamberi ka thënë: “Nuk e refuzon Allahu lutjen, e cila bëhet në mes ezanit dhe ikametit”. (Shënon Ahmed bin Hanbel, 3/225; Ibën Huzejme, 426-427; Ibën Hibbani e ka bërë tahsis këtë hadith).
– Marrja e abdesit me përpikëri.
Në fillim është sunet të themi Bismil-lah dhe në fund të lexohet kjo lutje: “Dëshmoj se Allahu është Një i vetëm dhe nuk ka shoq, po ashtu dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i Dërguar i Tij”. (Shënon Muslimi, 234).
Këndimi i besmeles në fillim të marrjes së abdesit, edhe pse është sunet, shumë pak njerëz e praktikojnë këtë, mirëpo Pejgamberi alejhi selam për këtë ka thënë: “Nuk ka abdes ai, i cili nuk fillon me të përmendurit e emrit të Allahut”. (Shënon Ebu Davudi, 110; Hafidh Mundhiri, dhe të tjeret e kanë cilësuar këtë hadith si hasen.). (Këtu bëjnë përjashtim ata, të cilët e harrojnë. Shënim i përkthyesit.).
Në një transmetim tjetër: “Filloni abdesin me Bismil-lah”. (Shënon Nesaiu, 78; Neveviu për senedin e këtij hadithi ka thenë se është xhejjid-i mirë). Pastaj hadithi: “O Zot! Më bën mua prej atyre që pendohen dhe pastrohen”. (Shënon Tirmidhiu, Sunen, 55).
– Përdorimi i misvakit.
Me keqardhje shprehemi se përdorimi i misvakut në mesin e dijetarëve muslimanë është një sunet i braktisur, mirëpo duhet ditur se lidhur me këtë çështje ka afër 100 transmetime të haditheve. Pastrimi i dhëmbëve mund të bëhet edhe me brushë apo diç tjetër, mirëpo bartja me vete e këtyre në namaz apo gjatë marrjes abdes nuk është praktike. Pejgamberi alejhi selam urdhëron: “Po të mos kisha frikë se do i mundoja muslimanët, do i urdhëroja për përdorimin e misvakut në çdo namaz”. (Shënon Muslimi, 252).
Misvaku nuk është vetëm për abdes apo namaz, por atë duhet ta kemi në çdo çast dhe ta bëjmë adet bartjen e tij, sepse Aisheja radijallahu anha ka thënë: “Puna e parë, të cilën e ka vepruar Pejgamberi alejhi selam kur ka hyrë në shtëpi është pastrimi i dhëmbëve me misvak”. (Shënon Muslimi, 253).
Në këtë mënyrë pra, goja jonë do të jetë e pastër dhe do ketë një erë të mirë, sepse pak më vonë do fillojmë leximin e Kur’anit (kur të fillojmë namazin), sepse Pejgamberi ka urdhëruar: “Pastroni gojët e juaja për Kur’anin”. (Keshfu el-esrar, 1/242; Albani për senedin e hadithit ka thënë se është i mirë, shih: Silsiletu el-ehadith es-sahiha, 1213).
– Veshja e rrobave te bukura dhe pastra.
Në lidhje me këtë Allahu thotë: “O bijtë e Ademit vishuni bukur për çdo namaz (lutje)”. (A’rafë, 31).
Allahu është Ai, i Cili e meriton që për të të zbukurohemi, njashtu veshja e rrobave të mira dhe përdorimi i erës e qetëson edhe trurin, kurse rrobat e punës apo fjetjes nuk ndikojnë mirë në tru.
– Të jenë rrobat dhe vendi i pastër për namaz.
Transmetohet nga Ebu Seid el-Huderiu radijallahu anhu se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “E gjithë sipërfaqja e tokës është xhami përveç varrezave dhe banjove-hamameve”. (Shënon Ebu Davudi, 496; Tirmidhiu, 317).
Ndalimi i faljes së namazit në varreza është frika nga shirku, sepse në shumë vende të botes janë përhapur varrperestet apo me një thënie tjetër adhuruesit e varrezave. Në momentet e vështira dhe kritike, është shirk që të kërkohet ndihmë nga ndokush tjetër përveç Allahut, t’i bëhet dua dikujt tjetër, apo edhe t’i mbështetet dikujt tjetër. Shkaku i ndalimit të faljes së namazit nëpër hamame është se ato janë vende të papastra. Në këtë kontekst përveç hamameve hyjnë edhe vendet tjera ku kryhet nevoja. Ka edhe vende tjera përveç këtyre dy vendeve ku është e ndaluar falja e namazit. Dhe nuk duhet të futemi në mendime apo vesvese për vendin se a është i pastër për namaz apo jo.
– Të dilet me kohë nga shtëpia.
Sepse transmetohet nga Ebu Umame se Pejgamberi ka thënë: “Ai, i cili del nga shtëpia e tij me qellim të faljes se një namazi farz në xhami merr sevape sikurse ai, i cili është veshur me ihram dhe shkon në haxh”. (Shënon Ebu Davudi, 558, me sened hasen). Nga ky hadith kuptohet se marrja e abdestit në shtëpi është më mirë.
– Të shkohet në xhami dalëngadalë dhe me kujdes.
Sepse transmetohet nga Ebu Hurejre se Pejgamberi alejhi selam ka thënë: “Mos vraponi gjatë shkuarjes në xhami, por shkoni me kujdes. Pjesën e namazit, të cilën e arrini falne (me xhemat), kurse pjesën tjetër e plotësoni (në vete)”. (Shënon Muslimi, 602; Nesaiu, 861).
– Të mos i kërcasim gishtat.
(Shënon Ibën Maxhe, Ikame, 42; Ahmed bin Hanbel, 5/163; Po ashtu është ndaluar kërsitja e gishtave në namaz, apo duke qenë në pritje të namazit. Shih; Tirmidhiu, 283).
– Ta presim namazin.
Transmetohet nga Ebu Hurejre se Pejgamberi të ketë thënë: “Nëse ka diçka që juve ju mbraps për të shkuar pran familjes suaj, e nëse ky është namazi, të cilin ju e pritni (për ta falur), ai llogaritet se është në namaz gjatë asaj kohe kur pret”. (Shënon Buhariu, 647; Muslimi, 275).
– Të drejtohen rreshtat-safat.
Transmetohet se Pejgamberi në lidhje me këtë ka thënë: “Drejtoni safat, sepse drejtimi i tyre është pjesë nga namazit”. (Shënon Buhariu, 723; Muslimi 433).
– Të mos lihet hapësirë në mes.
Sepse në atë hapësirë depërton shejtani. Për këtë Pejgamberi ka thënë: “Pasha Atë, i Cili e ka në dorë shpirtin tim, po e shoh një shejtan, i cili endet në mes të safave tuaj sikur një dele e zezë”. (Shënon Ebu Davudi, 667; Ibën Hibban, 387; Ibën Huzejme, 1545).
Pejgamberi alejhi selam shumë shpesh i këshillonte sahabët që t’i renditin rreshtat gjatë namazit. Për këtë shkak, sahabët kur falnin namazin i bashkonin shpatullat dhe këmbët. Për këtë Enesi radijallahu anhu thotë: “Çdo kush nga ne shpatullat dhe këmbët e veta i bashkonte-mbështeste për shpatullat dhe këmbët e tjetrit”. (Shënon Buhariu, 718, 725). Po ashtu këtë e transmeton edhe Nu’man bin Beshiri. (Shënon: Ebu Davudi, 662; Ibën Hibban, 396).

Shkruar nga Muhammed Salih el-Munexhxhid (Përktheu: Zymer Ramadani)
(Vërejtje: Ky artikull është shkëputur nga një broshurë, e cila shpjegon 33 shkaqe, të cilat sigurojnë qetësinë dhe lumturinë në namaz, nga autori: Muhammed Salih el-Munexhxhid.)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit