14.3 C
Pristina
Saturday, July 27, 2024

“Nafta” e së nesërmes mbi të cilën do zhvillohen luftërat

Më të lexuarat

Uji i pijshëm, gjithnjë e më i pakët nga shpërdorimi dhe ndryshimet e klimës

Nga Manuele Avilloni, Il Giornale

Ndryshimet klimatike, thatësirat dhe procesi i pandalshëm i shkretëtirëzimit të tokave, mund ta bëjë në ardhmen ujin e pijshëm po aq të kushtueshëm sa nafta sot. Madje deri në atë pikë, sa ta shndërrojë atë në një treg të barabartë, nëse mos edhe më të madh se ai i karburanteve fosile.

Me pak fjalë, uji do të jetë “nafta” e pijshme. Uji është tashmë një mall që po shkakton përplasje e konflikte në shumë zona të botës, dhe mungesa e tij, së bashku me rritjen e popullsisë botërore, do të çojë në kriza të reja, por edhe në spekulime të mëdha.

Uji dhe ndryshimet klimatike

Le të nisemi nga një fakt që e kemi përmendur edhe më herët. Nga i gjithë uji i pranishëm në tokë, 97.5 për qind është ujë i kripur dhe vetëm 2.5 për qind është i konsumueshëm nga ne njerëzit, kafshët dhe bimët. Dhe nga kjo sasi e kufizuar, vetëm 30 për qind është në dispozicion të njerëzve.

Uji nuk është një burim i pafundmë, dhe ai është i lidhur me një ekuilibër delikat të rimbushjes. Por kujdes: shkalla e konsumit tonë, ka vite që është në prag të tejkalimit të rimbushjes natyrore të rezervave. Në mbarë botën, disponueshmëria e burimeve ujore në vitin 2023 konfirmoi tendencën negative të regjistruar prej disa vitesh.

Sipas studimeve të ISPRA (Instituti i Lartë për Mbrojtjen dhe Kërkimin Mjedisor), në Itali në vitin 2023 ka pasur një reduktim të disponueshmërisë së ujit me 18 për qind, krahasuar me mesataren vjetore të së njëjtës periudhë gjatë viteve 1951-2023.

Kjo rënie, është rezultat i kombinimit të faktorëve të ndryshëm, duke përfshirë deficitin e reshjeve, si dhe një rritje të vëllimeve të avullimit të drejtpërdrejtë nga detet, liqenet, lumenjtë dhe toka. Në vitin 2021, një raport i Kombeve të Bashkuara mbi zhvillimin e burimeve ujore, theksoi një fakt shqetësues.

Bazuar në të dhënat e një viti më herët, 2020, u parashikua që për shkak të ngrohjes globale dhe rritjes së konsumit, deri në vitin 2030 bota mund të përballet me mungesën më të madhe të ujit që është parë ndonjëherë, një mungesë e barabartë me 40 për qind.

Në rast se kësaj i shtojmë faktin se 10 për qind e popullsisë së botës ka që tani vështirësi në qasjen tek uji i pijshëm, atëherë hapen skenarë edhe më kompleksë të lidhur me krizat gjeopolitike dhe migratore që do të pasojnë njëra-tjetrën.

Përdorimet e ujit të freskët

Gjatë 100 viteve të fundit, përdorimi i ujit të ëmbël është rritur me 6 herë. Dhe nëse kemi parasysh teknologjitë e reja dhe rritjen marramendëse të popullsisë, kjo shifër do të pësojë një rritje të fortë, që do të shkon përtej 1 përqindëshit në vit gjatë 40 viteve të fundit.

Aktualisht, uji i ëmbël përdoret kryesisht për ujitje në bujqësi, rreth 70 për qind. Ndërkohë sektori industrial përdor 22 për qind, dhe vetëm 8 për qind është i destinuar për konsum njerëzor dhe shërbime. Disponueshmëria e kufizuar e ujit të ëmbël e ka shtuar shfrytëzimin e depozitave nëntokësore, duke shkaktuar shterimin progresiv të tyre, sidomos në zonat e mëdha urbane dhe ato me një intensitet të lartë bujqësor. Ndërsa 10 për qind e popullsisë jeton në zona me një mungesë të madhe të ujit, pjesa tjetër e ka rritur drastikisht konsumin e tij, një tendencë që pavarësisht ndërgjegjësimit vazhdon që të rritet.

Konfliktet mbi ujin

Disponueshmëria e ujërave të ëmbla të rikuperueshëm, ndryshon në mënyrë të konsiderueshme rajonalisht, në varësi të faktorëve gjeologjikë dhe klimatikë. Faktori tjetër kryesor përcaktues, është ai sezonal që përcakton nevojën për ruajtje. Midis viteve 2000- 2018, u vu re një reduktim i burimeve të brendshme të rinovueshme të ujit për frymë.

Ky ndryshim, preku më shumë vendet e Afrikën Sub-Sahariane me 41 për qind, Azisë Qendrore me 30 për qind, Azinë Perëndimore me 29 për qind dhe Afrikës së Veriut me 26 për qind. Shumë konflikte janë shkaktuar në zona që kanë tashmë probleme gjeopolitike, të cilave u është shtuar edhe përpjekja për kapjen dhe kontrollin e burimeve të ujit.

Një shembull i tillë është rajoni i Darfurit në Sudan, ku prej 20 vitesh vazhdon një konflikt i përgjakshëm dhe ku shkretëtirëzimi po luan një rol të rëndësishëm në thellimin e tij. Dhe në konflikte, uji nuk është vetëm një nga pasuritë që duhet vendosur nën kontroll, por edhe një objektiv strategjik.

Dhe gjatë historisë së viteve të fundit nuk kanë munguar sulmet konvencionale ndaj infrastrukturës ujore apo edhe ato kibernetike. Nga viti 2020 e deri më sot ka pasur afërsisht 543 konflikte, në të cilat është përfshirë edhe uji. Ato janë kataloguar dhe hartuar nga Instituti i Paqësorit. Pra tensionet e lidhura me kontrollin e ujit të pijshëm janë të destinuara që të rriten ndjeshëm në të ardhmen.

Uji si produkt financiar

Me shtimin e thatësirave, katastrofave mjedisore të lidhura me ndryshimet klimatike, përfshirë përmbytjet, rriten edhe kostot e menaxhimit të furnizimit me ujë, së bashku me vetë çmimin e ujit. Disa investitorë duket se i kanë kuptuar tashmë rreziqet por edhe mundësitë e ardhshme për të bërë biznes.

Kështu që nga dhjetori i vitit 2020, është i mundur prenotimi paraprak në Nasdaq i aksioneve të kompanisë Veles California Water Index Futures, pra i burimeve të ujit në të ardhmen. Pra, në tregun e Wall Street, përveç lëndëve të para si nafta apo ari, mund të gjejmë edhe ujin. Tregtarët mund ta blejnë atë në një datë të ardhshme dhe me një çmim të paracaktuar, pavarësisht nga situata dhe kushtet e tregut në atë datë.

Megjithëse për Nasdaq një çmim për ujin është i pashmangshëm për të mbrojtur konsumatorët nga luhatjet e vlerës, nuk po ngrihen ende pyetjet kryesore mbi menaxhimin e këtij aseti thelbësor për jetën, përfshirë menaxhimin administrativ të burimeve, mbrojtjen e ujit nga ndotja, dhe faktin që shpërdorimi lidhet me mirëmbajtjen e dobët të sistemeve të shpërndarjes.

Sot uji rrjedh lirshëm në tubacionet e financave si dhe në rrjetën e privatizimeve. Ndërkohë një pjesë e madhe e popullsisë civile, midis një dushi të gjatë me ujë të ngrohtë dhe një lavazhi të makinës, kërkon një efikasitet më të madh në menaxhimin e ujit për të eliminuar shpërdorimet.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit