1.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

4 shtyllat e suksesit

Më të lexuarat

4 gjërat kryesore që ju nevojiten për të arritur sukses në çdo gjë që bëni

Suksesi, pavarësisht nga objektivi juaj personal, varet nga përmbushja e këtyre katër elementeve.

Psikologu Michael W. Wiederman, ish-profesor dhe autor i rreth 250 librave, kapitujve dhe artikujve, argumenton se ka katër çelësa për të arritur suksesin.

Ata përbëjnë nevoja thelbësore, të cilat, kur plotësohen, na mundësojnë që të jemi të motivuar dhe të vazhdojmë të rritemi, në mënyrë që të arrijmë qëllimet tona.

Por, çështja e parë lidhet me përkufizimin që kemi për suksesin. Suksesi nuk lidhet domosdoshmërisht me gjetjen e mënyrës për t’u bërë miliarder apo për të drejtuar një perandori teknologjike, si Elon Musk apo Jeff Bezos.

Në vend të kësaj, suksesi lidhet me përmbushjen e qëllimeve që i keni vendosur vetes, çfarëdo qofshin ato, duke arritur edhe një gjendje të mirë emocionale, e cila ju bën që të gjeni lumturi në jetën aktuale.

Suksesi nuk është çështje rastësie, aksidenti apo fati. Është diçka për të cilën duhet të punoni rregullisht. Për ta arritur atë, duhet të mësoni që të merrni vendime më të mira dhe të zhvilloni zakone të dobishme.

Këto janë disa gjëra që duhet t’i bëni, si çdo ditë – duke vendosur qëllime të vogla, me objektiva të arritshëm – ashtu edhe përgjatë dekadave.

Përmbushja e këtyre katër kërkesave është një proces thelbësor ku ju duhet të ndërmerrni veprime të vazhdueshme, i cili do t’ju shtyjë përpara dhe do t’ju shtrojë rrugën drejt suksesit.

4 shtyllat e suksesit, sipas një psikologu

Wiederman ka përshkruar katër shtyllat ose nevojat thelbësore që duhen plotësuar për të qenë të suksesshëm në çdo gjë që bëni, si në karrierë, ashtu edhe në jetën personale.

Ai i quan këto nevoja si “katërshja e madhe” dhe ato lidhen ngushtë me aftësinë tonë për ta jetuar jetën në mënyrën më të mirë të mundshme.

1.Kontributi / Misioni: E para ka të bëjë me gjetjen e misionit tuaj në jetë ose në një fushë të caktuar të jetës. Cili është qëllimi juaj dhe cilat janë aktivitetet ku ndiheni sikur po kontribuoni për një objektiv të rëndësishëm? Çfarë mund të bëjmë në mënyrë që t’i japim një mision jetës sonë?

Cilat janë aktivitetet që mund të bëjmë për të përmirësuar jetën e njerëzve përreth nesh, qoftë edhe në mënyra të vogla?

2.Zgjedhja / Kontrolli: E dyta, ju duhet të keni mundësinë e zgjedhjes ose të kontrollit, që do të thotë të keni fuqi kur bëhet fjalë për gjërat që do të bëni, për mënyrën si do t’i bëni dhe për kohën kur do t’i bëni ato.

Kjo lidhet me të pasurit e autonomisë dhe të qenët në gjendje për të marrë vendimet tuaja, në punë dhe në jetën personale. Ju do të ndiheni me më shumë fuqi, si dhe me më shumë përgjegjësi për veprimet tuaja.

3.Kompetenca / Aftësia: Nevoja e tretë është ajo për t’u ndier kompetentë ose të aftë. Kjo nuk do të thotë që të konkurroni dhe të tejkaloni kolegët tuaj ose të tjerët. Bëhet fjalë për të pasur një ndjenjë besimi se jeni kompetentë dhe të aftë për të kryer punën tuaj.

Ju duhet të arrini në atë pikë ku të mos dyshoni më tek aftësitë tuaja dhe, në vend të kësaj, të kuptoni se po e bëni mirë punën tuaj dhe po kontribuoni e po përmirësoheni rregullisht, nëpërmjet kurseve edukative, programeve të mentorimit, bërjes së pyetjeve dhe studimit rreth temave që lidhen me profesionin tuaj.

4.Marrëdhëniet / Lidhjet: Së fundi, ekziston nevoja për lidhje personale dhe për ndjenjën e komunitetit. Është e rëndësishme që të keni pranë vetes njerëz të cilëve mund t’u besoni, të cilët do t’ju dëgjojnë, do t’ju kuptojnë dhe do t’ju mbështesin, si në jetën personale, ashtu edhe në atë profesionale.

Kjo do t’ju ndihmojë të siguroheni që të mos ndiheni të vetmuar, të humbur ose të dëshpëruar në momente të vështira ose përballë pengesave.

Të pasurit e një rrethi miqsh të ngushtë nuk është e rëndësishme vetëm për të arritur suksesin, por është gjithashtu çelësi për të pasur shëndet të mirë mendor dhe për të jetuar më gjatë. Është thelbësore për shumë aspekte të jetës që të siguroheni që e përmbushni këtë nevojë.

Të qenët i vetëdijshëm lidhur me këto katër nevoja është një projekt i përjetshëm, i cili kërkon vigjilencë për të ndërmarrë veprime me qëllimin për t’u afruar pranë synimeve tuaja dhe për të refuzuar zgjedhjet që do t’ju çojnë më larg prej tyre.

Të katër nevojat e përmendura më lart janë çelësi për të arritur atje ku dëshironi të shkoni, pa hequr dorë gjatë rrugës./GQ/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit