8.2 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

10 Prill 1999, 18 vite më parë

Më të lexuarat

(Prill i thyer)

– Erdhën serbët e veshur me uniformë ushtarake, duke bërë thirrje që të largohemi nga shtëpitë tona, si shkak që kjo ushtri nuk garanton sigurinë tonë, derisa do të vijnë militar të tjerë në këto anë të Fushë Kosovës. “Secili të dal me çfarëdo që mundet”, kështu u bë e qartë prej këtyre ushtarëve serb. Të gjithë u ngarkuam me ushqime të nevojshme për rrugë, kishte edhe ‘gurabia’ (ushqim i pëlqyer për neve fëmijët). Drejtimet, fillimisht ishin drejt Maqedonisë për Bllacë, por kjo dështoi, duke na orientuar për Shqipëri, si destinacioni përfundimtar.
– Të renditur traktorët rend, të mbushur me familje plotë e përplot, sa si zinte rimorkio e traktorit. E babi në atë kohë, synonte të ndalet, të qëndroj, duke mos dashur të largohet nga vendi. Kërkon nga bashkëbanorët tjerë që t’i bashkëngjitet dikush. Axha i madh, thotë edhe unë po qëndroj, por ky detyrohej të shkonte me familjen për ta vozitur traktorin. Bali Be, si i moshuar dëshiron të ndalet, por këtë se lejoi babi. E i vetëm kthehet, dhe siç thotë “i lëshova lopët”, në atë kohë. Por, brenda kësaj dite, vëllai dhe djali i xhaxhait kthehen tek shtëpia duke ia bërë të qartë “eja edhe ti, se shkuam të gjithë”. Dhe vepra e fundit, para nisjes së babit ishte: lidhja e dy qenve me konop të ligë, me pretekstin se në rast rreziku të këputen qentë lehtë dhe të shpëtojnë nga ndonjë plumb serb. Kështu në ora 12:00 dolëm nga vendlindja.
– U nisëm për Morinë, kufi me Shqipërinë (mbërritëm në ora 19:00). Në rimorkio të traktorit ishim hipur dy familje, dy baba, dy nëna dhe 8 fëmijë, që të gjithë meshkuj. Një të rij e morëm gjatë rrugës, pasi kishte mbetur në këmb. Kur kaluam nga Malisheva, nuk kishte njeri, përveçse disa ushqime të rëna nëpër tokë. Ndërsa, kur kaluam nga Krusha e Madhe, disa njerëz që ishin të pakët na than “ikni sa ma shpejtë që mundeni”.
– Kështu, traktori nuk kishte drita. Dhe për fat, dy gazetarë të Norvegjisë nga Merdara hipin me ne, duke na parë që të gjithë ishim fëmijë, në këtë mënyrë edhe donin të solidarizohen me ne. E si shkak që traktori s’kishte drita, gazetarët (kameraman dhe gazetare) lëshuan dritën e kamerës për të na ndriçuar rrugën, në atë natë me shi deri në Kukës. Në Kukës (mbërritëm mbas mesnate), pushuam në traktor deri të nesërmen (11 Prill 1999).
– Të nesërmen, disa nga grupi, u nis për Durrës, Peshkopi, Kavajë, ndërsa ne u nisëm për në Mal të Robit. Në javën e parë, kryefamiljarët morën nga një Librezë Qëndrimi në Kampin e udhëhequr nga KFOR-i Italian. E në të shkruhej se do të qëndronim për 3 muaj. (Një koeqidencë, pasi që pas 3 muajve u nisëm për tu rikthyer në Kosovë).
– Tre muaj qëndrimi, për neve si fëmijë ishte hera e parë që prekëm ujin e njelmët të detit. E aty, kishte disa momente argëtimi. Një prej tyre ishte që, ne të një gjenerate që ishim 4 fëmijë, bënim gropa në plazh, dhe i mbulonim me ndonjë qese për të sharruar kalimtarët. E nëpër këto gropa shumë e këmba binte. E për neve, gazi e qeshja nuk kishin të ndalur.
– Një veprim tjetër ishte, momenti kur Kryetari i Kampit u largua nga Kampi, e ne po 4 fëmijët më problematik, ndoshta në kamp, i morëm të gjitha letrat që ishin në Tendën e Kryetarit që u largua. Dhe dolëm nëpër Kamp duke thirrur se “Pa këto letra nuk mundeni me ngrënë ushqim në Menzë”. Por ne, nuk ua jepnim banorëve, por iknim rreth e rreth kampit. Në këtë mënyrë, banuesit mendonin se nuk do të kenë mundësi të hanë më ushqim në Menzë.
– Problem tjetër fëmijërie në këtë Kamp qëndrimi ishte, vjedhja e shumë lojërave nëpër shkollat e improvizuara. Kjo pasi që, nuk na interesonin mësimet që na ofronin, e as lojërat e “atyre palaçove të veshur si klaune” që fare nuk na lënin përshtypje me ato hundët e rrumbullakëta me të kuqe. Por, ne kishim interesimin vetëm tek rrëmbimi i ndonjë lojëre, topi, e figurave të tjera. E këto, më në fund i sollëm në Kosovë, për të luajtur edhe kohë të gjatë me to. Mbase, po të shikonim mirë nëpër disa kënde të shtëpive tona sot, mund të gjejmë ndonjë lojë të “vjedhur” në atë kohë.
– Besa, një ngjarje tjetër, ishte hyrja e një gjarpri në shator, ku prezent ishim vetëm ne fëmijët. Por, disi shpëtuam.
– Rast tjetër ishte, që tri tenda më tutje ishin edhe 4 fëmijë të tjerë, të së njëjtës moshë me neve. Me këta, sa herë shiheshim e gjuanim njëri tjetrin me gurë, ku edhe vëllai pësoi më së keqi pasi që, nga një gurë i rënë e preu buzën. Por, me të zënë po të njëjtin person, që hodhi gurin mbi vëllain, në det e mbajta disa minuta nën ujë. Për pak sa s’mbeti pa frymë. (Një gabim fëmijërie)
– E një rrezik tjetër nga mbetja pa frymë ishte momenti kur, gjatë larjes në det, tereni brenda detit ishte gropa-gropa, diku më poshtë e diku më lart. Dhe duke mos ditur të notoja, mbeta pa pritur në një teren të tillë, ku rashë në gropë, dhe fillova të shkavërdisja ujin, e besa e mbusha barkut me atë ujë të njelmët që s’na pëlqente fare. Por, po të mos ishte një komshi më i madh me trup që më shpëtoi, nuk do të shkruaja këto fjalë kujtimi të asaj periudhe.
(Fotografi e rastit)
Kujtime nga mosha 7 vjeçare.

Enis Reçica

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit