Zaev, ky ‘kazan’ i madh dhe i paturp

0
27

Përkthimi i shpejtë, adekuat që qeveria jonë mund t’i bëjë aktit të fortë të kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, do të ishte, siç e lyp nevoja, se ai është një kazan.

Kazan është, derisa flet të tilla gjëra si: “Unë mbaj përgjegjësi para qytetarëve”. Nëse ke një retorikë që nuk i ngjan një sunduesi tipik ballkanik, mund të rrezikosh më shumë. Mund të përkthehesh madje si; ball kazani.

Do të ishte një guxim i madh, nëse dikush pretendon se qendrimi i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, nuk e ka ndikuar rutinën e përditshme të shefit të rilindjes në Shqipëri.

Edi Rama e di mirë se sot, edhe më militantët, edhe më qendrestarët e majtë, edhe më rilindasit, edhe më nevojtarët e rrogës së shtetit, edhe më anti-pëdeistët, kanë ngritur vetullat, kur morën vesh se pas dështimit për çeljen e negociatave, dikush në këtë truall ballkanik, tha, me përulësi se: Unë mbaj përgjegjësi!

Dhe ai nuk ishte Edi Rama.

Të dy ata, Rama dhe Zaev ishin në të njëjtën skenë. Morën të njëjtin ndëshkim. Dhe ndoshta kishin të njëjtën menu restoranti, hotel të ngjashëm dhe linja të afërta fluturimi për kthimin në atdhe, pas orëve të gjata të Brukselit. Këtu ka shumë të përbashkëta. Edhe pse, po merret vesh çdo orë e më shumë se Maqedonia e Veriut ka vuajtur njëfarësoj, skepticizmin për punët e pabëra të qeverisë tonë.

Aty ku nis një dallim i qartë mes dy udhëheqësve, është kur mbërrijnë në zyrat e tyre, në vilajetet që drejtojnë.

Ai i Maqedonisë ndihet përgjegjës, llogaridhënës, dhe kërkon që qytetarët e vendit të tij ta vendosin, ta ndajnë këtë çështje. Sepse me të drejtë, kauza është shumë e madhe, i kalon përmasat e një individi, qoftë dhe kryeministër. Dhe Zaev këtë bëri. Kërkoi zgjedhje të parakohshme. Ai do të dijë nëse pas këtij dështimi, e ka ende apo jo besimin e qytetarëve.

Nuk ka asnjë dyshim se kjo sjellje europiane e Zaevit është termeti më tronditës i Edi Ramës. Kazani më i madh, sipas terminologjisë rilindase, që mund të ketë prishur rehatinë e tij.

Çfarë bëri në fakt kryeministri ynë, në të njëjtën orë që Zaev njoftoi zgjedhjet e parakohshme? Nxori Ministrin e Jashtëm, i cili përtej kaosit që krijon vetë me turlinë e termave kryesisht jo shqip, ishte fare i qartë në një pikë. Ne, tha ai, nuk japim dorëheqjen, pra nuk mbajmë përgjegjësi, sepse nuk e kemi premtuar çeljen e negociatave. E ka fjalën për të njëjtat negociata, që u bënë nja dy vite, që ata publikisht thonë se janë hapur, e për këtë kanë derdhur jo pak shampanjë e kanë dhënë jo pak dekorata.

Tani këto punët e brendshme ata mund t’i zgjidhin kollaj se propagandën dhe mediat kryesore i kanë gati. Me Zaevin, me standardin që vendosi ai, si do t’ia bëjnë? Mund ta shpallin patjetër armik, të ndikuar nga forca të errëta, dhe ndoshta kazan. Po sa do ngjisë vallë?

/Mapo