8.8 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Xhamia e Gazi Husrev Beut, vula e osmanëve në Sarajevë

Më të lexuarat

KEMAL ZORLAK, EMRE BAŞTUĞ

SARAJEVË (AA) – Xhamia e Gazi Husrev Beut, një nga shembujt më të dalluar të arkitekturës islame në Bosnjë e Hercegovinë që u ndërtua gjatë periudhës së Shtetit Osman në kryeqytetin e vendit Sarajevë, ngjall interesim të madh me bukurinë e saj.

E ndërtuar në vitin 1530 nga beu i Sanxhakut të Bosnjës, Gazi Husrev Bej me anë të arkitektit nga Tebrizi Axhem (Esir) Ali, vazhdon të jetë qendër kryesore në Bashçarshinë historike në zemër të qytetit.

Edhe pse nuk është xhamia e parë e ndërtuar në qytet pas ardhjes së Shtetit Osman, Xhamia e Gazi Husrev Beut ka pasur kontribute të rëndësishme në urbanizimin e Sarajevës, e cila atëbotë ishte një qytezë e vogël.

Xhamia, në afërsi të së cilës gjendet një sahat kullë e ndërtuar në shekullin XVI, edhe pse ka pësuar sulme të ndryshme pas shkuarjes se osmanëve nga rajoni, ka arritur të ruajë madhështinë e saj pas çdo rinovimi.

Bukuria e xhamisë është shfaqur në karta postale, suvenire dhe madje në shumë filma dokumentarë. Ajo tërheq vëmendjen me zbukurimet dhe shkrimet kaligrafike brenda dhe jashtë xhamisë, si dhe me formën e dritareve dhe kupolën elegante.

“Zemra” e qytetit në muajin e Ramazanit

Xhamia e Gazi Husrev Beut njihet si vend ku janë vazhduar shumë tradita islame për shekuj me radhë. Nga minarja e xhamisë ende thirret ezani pa mjete zërimi. Sipas testamentit të Gazi Husrev Beut, çdo ditë pas namazit të drekës në xhami bëhet një hatme.

Xhamia po ashtu vizitohet edhe nga turistë të shumtë të huaj. Ajo është xhamia e parë në botë që ka përdorur energjinë elektrike, konkretisht gjatë periudhës së sundimit të Perandorisë Austro-Hungareze.

Në muajin e Ramazanit, xhamia shndërrohet në “zemrën e qytetit”, pasi ka vend të posaçëm te muslimanët. Ajo tubon muslimanët nga shumë vende përmes mukabeleve që lexohen gjatë ditës dhe namazit të teravisë gjatë mbrëmjes.

“Pas Gazi Husrev Beut, Sarajeva u shndërrua në qendër mes Lindjes dhe Perëndimit”

Mustafa Vatrenjak, administrues i besuar i Vakëfit Gazi Husrev Bej, tha për Anadolu Agency (AA) se sipas dokumentit të parë të themelimit të vakëfit, xhamia kishte një bujtinë dhe një vend për tubim ndërsa më pas është shtuar edhe medreseja.

Vatrenjak tha se rreth 200 dyqane ndodheshin në rrugët përreth bezistanit, hanit, hamamit dhe xhamisë që bënin pjesë në kuadër të vakëfit, duke mundësuar të ardhura për vakëfin.

“Gazi Husrev Beu ka dhënë kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e Sarajevës si qytet”, shprehet Vatrenjak, duke shtuar se pas vdekjes së tij, Sarajeva u shndërrua në një qendër mes Lindjes dhe Perëndimit në ushtri, administratë dhe arsim.

Ai rikujton se xhamia është dëmtuar disa herë në të kaluarën dhe më pas është restauruar.

“Xhamia u dëmtua në masë të madhe kur qytetit iu vu flaka nga Princi Eugjen i Savojës në vitin 1697. Restaurimi i parë për shkak të këtij dëmtimi i realizua në vitin 1737. Xhamia u dëmtua edhe në zjarre të tjera në periudha të ndryshme. Së fundmi, xhamia u qëllua mbi 100 herë në Luftën e Bosnjës (1992-1995)”, tha Vatrenjak.

Sipas tij, xhamia është vizituar nga 40 mijë turistë vitin e kaluar ndërsa kjo shifër vazhdon të rritet çdo ditë.

Ndërkohë, Hafëz Ismet Spahiç, imam i xhamisë në periudhën mes viteve 1985-2009, tha se xhamia ka rëndësi të madhe për muslimanët e Bosnjës.

Duke theksuar se Gazi Husrev Beu ka bërë shumë të mira për Sarajevën, Spahiç tha se “Ai ende është njeri i gjallë i Bosnjë e Hercegovinës, pasi ka bërë më së shumti të mira”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit