TOPI BISEDON ME BAN KI MUNIN PËR KOSOVËN

0
45

Kosova dhe siguria në rajonin e Ballkanit ishin në qendër të bisedimeve në takimin që presidenti shqiptar Bamir Topi pati me Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara Ban Ki Mun. Takimi u zhvillua në kuadër të pjesëmarrjes në Debatin e Nivelit të Lartë me temë “Gjendja e Ekonomisë Botërore”.

Presidenti Topi vlerësoi rolin e rëndësishëm të Sekretarit Ban Ki-mun në shërbim të komunitetit ndërkombëtar, forcimit të paqes e sigurisë, inkurajimit të zhvillimit të qëndrueshëm dhe respektimit të të drejtave e lirive themelore të njeriut. Topi theksoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj nismave të tjera dhe hapave të mëtejshëm që Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së do të ndërmarrë gjatë ushtrimit të detyrës së tij të lartë në krye të Organizatës.

Gjithashtu, kreu i shtetit shqiptar vlerësoi mbështetjen e forumit më të madh ndërkombëtar, OKB-së, ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në këtë drejtim, presidenti Topi falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së për rolin mjaft konstruktiv dhe qëndrimin realist në lidhje me Kosovën, duke mbështetur parimin e të drejtës së popujve për vetëvendosje. “Shqipëria mbështet dialogun Kosovë-Serbi mbi çështjet teknike, të cilat duhet të zhvillohen mbi bazën e parimit të fqinjësisë së mirë mes dy shteteve sovrane”, tha Topi me këtë rast./expres/kohaislame