16.1 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Stamboll, përfundon Samiti i Pakicave Muslimane në Botë

Më të lexuarat

STAMBOLL (AA) – Samiti i Pakicave Muslimane në Botë që u mbajt në Stamboll ditëve të fundit përfundoi sot me shpalljen e një deklarate përfundimtare, në të cilën theksohet nevoja për zbatimin e projekteve dhe strategjive për zgjidhjen e problemeve të pakicave muslimane në botë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Mbi 200 përfaqësues nga 103 vende morën pjesë mes datave 16 dhe 19 prill në samitin e organizuar nga Kryesia e Çështjeve Fetare e Turqisë (Dijanet), i cili kishte për qëllim të diskutojë problemet kryesore të pakicave muslimane, zgjidhjen e tyre dhe rritjen e bashkëpunimit ekzistues në arsim dhe shërbimet fetare.

Në samit morën pjesë akademikë, aktivistë, gazetarë dhe shkrimtarë muslimanë, të cilët synojnë të lehtësojnë ringjalljen e marrëdhënieve midis Turqisë dhe pakicave muslimanëve të vendeve të ndryshme.

Në deklaratën përfundimtare e cila u lexua nga kreu i Dijanetit turk, Ali Erbaş, thuhet se bota është duke pësuar ndryshime të shpejta dhe rrënjësore në dy shekujt e fundit dhe se politikat okupuese të imperializmit dhe kolonializmit kanë shkaktuar uri, varfëri dhe vuajtje në pjesën më të madhe të popullsisë botërore.

“Projektet politike të pista dhe të interesit të krijuara mbi racizëm dhe etnicitet veçanërisht në rajonet ku muslimanët janë pakicë, vazhdimisht ngushtojnë hapësirat e lëvizjes dhe lirisë së muslimanëve, kufizojnë të drejtat e tyre dhe i defunksionalizojnë institucionet e tyre sociale dhe kulturore”, thekson deklarata, duke shtuar se Dijaneti turk në këtë drejtim do të jetë themeli i një plani aksional për zgjidhje për problemet e komuniteteve muslimane dhe të gjithë njerëzve.

Sipas deklaratës, të gjitha shtetet dhe institucionet dhe organizatat ndërkombëtare kanë përgjegjësi të parandalojnë dhunën ndaj vendeve të adhurimit pa marrë parasysh autorët dhe qasjet që shpërfillim të drejtat dhe liritë e muslimanëve.

“Terrori dhe lufta në vende si Arakani, Palestina, Iraku, Siria, Afganistani, Somalia, Libia dhe Jemeni, ka shkaktuar vdekjen e miliona muslimanëve, braktisjen e shtëpive dhe vuajtjen e tyre. Viktima më të mëdhenj të kësaj tabloje të dhimbshme dhe të turpshme fatkeqësisht janë fëmijët, gratë dhe të moshuarit”, thuhet në deklaratën përfundimtare të samitit.

“Është përgjegjësi dhe detyrë emergjente e çdo njeriu, institucioni, shoqërie, shteti dhe organizate ndërkombëtare që në emër të dinjitetit njerëzor t’i jepet fund çdo okupimi, sulmi, terrorizmi dhe lufte që pamundësojnë jetesën në tokë “, thuhet më tej.

Deklarata thekson rëndësinë e hedhjes së hapave nga kominitetet muslimane në botë, konkretisht themelimin e institucioneve arsimore dhe qendrave të hulumtimit për rritjen e bashkëpunimit të tyre veçanërisht në fushën e arsimit dhe kulturës, në mënyrë që, siç thuhet, të kontribuohet në ndërtimin e një bote dhe jetese më të mirë dhe më paqësore.

“Këto institucione duhet të jenë qendra që prodhojnë dhe zhvillojnë punime për detektimin e problemve të pakicave muslimane dhe zgjidhjen e tyre, bëjnë analiza, projekte, strategji dhe publikime shkencore-edukative”, thuhet në deklaratë.

“Për të zhvilluar aktivitete dhe punime në fushat e lartëpërmendura, Kryesia e Dijanetit në Ankara ka themeluar Fondacionin Ndërkombëtar për Solidarizim me Komunitetet Muslimane (MUSDAV)”, njoftohet në deklaratën përfundimtare të Samitit të Pakicave Muslimane në Botë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit