Sot po nisesh për në shkollë…

0
16

Bija ime, e shtrenjta ime…

Akoma pa të lindur e kam ëndërrur momentin kur do të fillosh shkollën, rrugën e dijes dhe përkushtimit ndaj saj…

Edhe pse je akoma e vogël për të kuptuar drejtë shumë gjëra, nga dëshira e madhe e imja ashtu si e çdo nëne tjetër në botë, nuk mund të pres të rritesh pa të të dhënë disa këshilla, të cilat do të burojnë nga zemra e një nëne që për fëmijën e saj gjithmonë e don më të mirën e mundshme për fëmijët e saj!

Duaje librin dhe çdo shkronjë brenda tij, sepse thesaret e dijes janë sikurse diamantet, duhet kohë dhe mund për t’i gjetur, por kur ti gjesh ke fituar pasuri të madhe, e ku ka pasuri më të çmuar se e diturisë.

Ta duash mësuesen, ngaqë do të jetë shëmbëlltyrë dhe bartëse e dijes,do të zërë vend shumë të veçantë në zemrën tënde të vogël e që bart dashuri të madhe.

Duaji shokët dhe shoqet e klasës, ata janë bashkudhëtarët tu të dijes, janë ata me të cilët do të ndash pjesë të madhe të kohës, do të ndash momente të ndryshme. Respekto mendimin e tjetrit, dëgjoje tjetrin me vëmendje dhe mos ndërhyjë në biseda pa e përfunduar tjetri, edhe nëse nuk të pëlqen.

Mos u thyej në veten tënde edhe nëse merr vërejtje, mos u gëzo shumë as kur merr lëvdata, ngaqë të dyja këto duhet të jenë shkas për t’u bërë akoma më e mirë, ruaje gjithmonë modestinë.

Asnjëherë mos u komplekso nga të tjerët nga ajo çfarë je, qoftë në shfaqjen e mendimeve, në zgjedhjen e veshjes etj; sepse ajo që të pëlqen ty mund të mos i pëlqejë tjetrit, mos harro se shijet dhe njerëzit janë të ndryshëm.

Nëna të uron shëndet dhe suksese, ti je e vogla ime dhe përjetë do të mbetesh e tillë, nëna të pret krahëhapur në çdo vështirësi, lehtësim e gëzim, në çdo ulje dhe ngritje, ngaqë këto janë pjesë e jetës dhe do të kalosh në to, pjesë të cilat do të të kalisin por nuk duhet të humbësh asnjëherë vullnetin për të ecur tutje.

Me shumë dashuri:
Nëna jote, Laureta