9.2 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Ramazani dhe durimi

Më të lexuarat

Lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve, Shkaktar i shkaqeve, i Cili i shpërblen të durueshmit pa masë. Atë e lavdëroj për atë që e ka caktuar dhe paracaktuar. Atë e falënderoj për dhuntitë dhe mirësitë e Tij.

Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin për zotërinë e krijesave, Pejgamberin tonë Muhamed, për familjen e tij, shokët e tij si dhe për të gjithë ata që ndjekin rrugën e tyre deri në Ditën e Gjykimit.

Vërtet, Ramazani i bekuar është shkollë e imanit, në të cilën besimtarët mësojnë mësime të vlerave të lavdëruara dhe cilësive të çmuara, si dhe në të edukohen për sinqeritet dhe devotshmëri.

Agjërimi e kujton muslimanin për çështje madhore, të cilat mund t’i harrojë në ditët e tij. Dhe vjen ky adhurim madhor që ta zgjojë nga kjo shkujdesje, ta përkujtojë nga harresa si dhe ta ndihmojë për atë që është kujtuar.

Ndër mësimet më të rëndësishme, të cilat i përfiton muslimani nga shkolla e agjërimit dhe Ramazanit është: Durimi. E ç’di ti se ç’është durimi? Durimi është veti e lavdëruar dhe cilësi fisnike, që nuk mund ta e mbizotërojnë vetëm se të rrallët dhe të mëdhenj, nuk stolisen me të përveç të suksesshmit dhe ata me besim të fortë. Ndërmjet durimit dhe agjërimit ekziston një raport i fortë dhe lidhje e qëndrueshme. Durimi ka gjendje, lloje, fryte dhe rezultate, ndaj, me këtë raport, me ato gjendje dhe fryte do të ndalemi në ndalesat vijuese:

Ndalesa e parë:

Siç dihet me agjërim nënkuptojmë të ndaluarit nga ushqimi, pija dhe të gjitha kënaqësitë e gjërat e tjera që e prishin atë nga koha e agimit e deri në perëndimin e diellit.

Agjëruesi me këtë rast ndalohet nga kënaqësitë e tij, e mposht veten, i kontrollon teket e tij si dhe përmbahet nga dëshirat e tij.

Shpirti, nga natyra e tij anon drejt asaj që e kënaq dhe e josh, nëse nuk e mposht robi do të përballet me vështirësi, ndërsa nëse e mposht atë do të ketë sukses, do të shpëtojë dhe do ta kontrollojë veten, mendja do ta mposht ndjenjën e tij si dhe besimi i tij mbizotëron ndaj tekeve të tij. Kjo, është një ndër frytet e agjërimit.

Në këtë rast, robi ka kaluar në këtë mësim madhor, i është afruar Zotit të tij, ka bashkuar ndërmjet dy gjendjeve të durimit; durimin e nënshtrimit ndaj Allahut të Lartësuar me agjërimin e tij si dhe me durimin nga mëkatimi i Allahut të Lartësuar përmes agjërimit të tij. Kjo, pa dyshim se është mirësi e madhe, të cilën ia jep Allahu kujt të dojë nga robërit e Vet.

Ndalesa e dytë:

Vërtet, Allahu i Lartësuar i ka krijuar njerëzit në këtë jetë, nuk i ka lënë më kot të jetojnë në tokë siç duan ata; nuk njohin Zotin, nuk ndjekin një fe, nuk sillen moralisht, por i ka krijuar, i ka ngarkuar dhe i ka sprovuar mbi këtë detyrë:

“Qoftë i lartësuar Ai, në dorën e të Cilit është pushteti suprem dhe që është i Fuqishëm të bëjë çdo gjë, Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë;” (Mulk, 1-2)

“Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?!” (Ankebut, 2)

Allahu i ka obliguar me adhurimin e Tij në këtë tokë, në të cilën i ka caktuar si zëvendësues:

“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” (Dharijat, 56)

Adhurimi i Allahut është: Urdhër e ndalesë, veprim e lënie, kryerje e urdhrave të Allahut të Lartësuar dhe largim e përmbajtje nga ndalesat e Tij.

Prej mëshirës së Tij u ka treguar të dobishmen dhe të mirën dhe rrugët e saja, që ta njohin dhe punojnë sipas saj, u ka treguar të dëmshmen dhe të keqen, që ta lënë dhe të largohen prej saj. Të dobishmen e ka bërë lidhësen drejt xhenetit dhe kënaqësisë së Tij dhe këtë e ka rrethuar me (gjëra) të papëlqyera dhe e ka bërë të dëmshmen lidhësen për dënimin e ndëshkimin e Tij dhe këtë e ka rrethuar me dëshira dhe kënaqësi. Secili që punon të mirën dhe të dobishmen dhe e lë të keqen dhe të dëmshmen ka nevojë për përpjekje dhe durim, durim ndaj kryerjes së urdhrave, durim në lënien e mëkateve dhe dëshirave si dhe durim ndaj paracaktimeve, të cilat kundërshtojnë dëshirat dhe kërkesat e shpirtit të tij.

Durimi i tillë konsiderohet faktor themelor, element i rëndësishëm dhe mjet i domosdoshëm i muslimanit në ecurinë e rrugëtimit të tij në jetë në mënyrë që të dalë prej tij i shëndoshë dhe me sukses të plotë. A thua e kuptojmë këtë, muslimanë të nderuar? Ta vëmë para syve tanë në të gjitha situatat, të na lehtësohet kryerja e urdhrave dhe lënia e të këqijave?

Ndalesa e tretë:

S’ka dyshim se nënshtrimi ndaj Allahut të Lartësuar dhe zbatimi i urdhrave të Tij kanë nevojë për durim, për faktin se prej tyre ka që e largojnë shpirtin për shkak të përtacisë, si namazi, ose për shkak të koprracisë, si zekati, ose për shkak të këtyre dyjave bashkë, si haxhillëku dhe lufta në rrugën e Allahut, ose për shkak të dobësisë së gjendjes shpirtërore para dëshirave të saj, si agjërimi. Kësisoj, çdo adhurim ndaj Allahut të Madhërishëm në të cilin ka veprim ka nevojë për vendosmëri dhe durim.

Gjithashtu, s’ka dyshim se vendosmëria e shpirtit kundrejt mëkateve me llojet e tyre, e veçanërisht drejt atyre që anon shpirti dhe i dëshiron ato – qoftë edhe të ketë dëm në to për shpirtin – ka nevojë për zmbrapsjen e këtij shpirti dhe detyrimin për lënien e tyre. Shpirti në natyrën e tij anon drejt dëshirave, kënaqësive dhe kërkesave të tij, madje edhe mund të shtyjë drejt gjërave të ndaluara dhe të papëlqyeshme.

Sa ka nevojë besimtari që ta detyrojë vetveten në lënien e këtyre dëshirave të ndaluara dhe të papëlqyeshme! Sa ka nevojë për durimin ndaj këtyre gjërave, e veçanërisht për ato gjëra që janë të rënda dhe të vështira për shpirtin; si, përgojimi, gënjeshtra, dyfytyrësia, vetëmburrja, nënçmimi, tallja dhe përulja e të tjerëve, kujdesi i tepërt për pasurinë, reputacionin e të ngjashme me këto.

O ju muslimanë të nderuar!

Njeriu në këtë jetë nuk e di se çka i ekspozohet nga përcaktimi i Allahut të Lartësuar, i cili nuk ndodh me zgjedhjen e tij; sëmundjet e dhimbshme, vdekja e të afërmit ose e mikut, humbja e pasurisë dhe gjëra të tjera që i cakton Allahu i Madhërishëm për ndonjë urtësi që Ai e di, i sprovon robërit e Tij me këtë:

“Për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë;” (Mulk, 2)

Shpirti anon në pakënaqësi, zemërim, shqetësim dhe kundërshtim të asaj që është caktuar. Kjo, pa dyshim, se kërkon dhe ka nevojë për rezistencë dhe përpjekje me durim dhe me qenien e të kënaqurit dhe të dije besimtari se ajo që e ka goditur, nuk ka mundur të mos e godasë, ndërsa ajo që nuk e ka goditur, as që ka mundur ta godasë, dhe se ky përcaktim i tij është sprovë nga Allahu i Madhërishëm me qëllim që të shoh raportin e tij me Të.

Besimtari është i durueshëm, i kënaqur dhe mirënjohës ndaj Zotit të tij, që nëse e godet diçka e mirë, falënderon dhe kjo është mirë për të, ndërsa nëse e godet diçka e pakëndshme duron dhe kjo, sërish, është mirë për të.

Dije – vëllai im musliman – se bindja dhe nënshtrimi ndaj Allahut me llojet e tij, të lidhurit me Krijuesin në kryerjen e urdhrave të Tij dhe lënien e ndalesave të Tij, të kujtuarit e vlerës së durimit dhe mirënjohjes, meditimi mbi krijesat dhe çka i godet ata, të kujtuarit e madhështisë së Allahut të Lartësuar dhe asaj çka u ka përgatitur të durueshmëve, e gjithë kjo, të ndihmon ty në përballimin dhe durimin me lejen e Allahut të Lartësuar. Allahu mos na privoftë nga kjo!

Ndalesa e katërt:

Le ta dinë të durueshmit se frytet e durimit të tyre nuk mund të kufizohen me kufizime të caktuara. Shpërblimi i tyre është i shumëfishuar dhe pa llogari. Dëgjoni fjalën e Allahut të Madhërishëm:

“Vërtet, Ne do t’i shpërblejmë ata që kanë duruar sipas veprave më të mira që kanë bërë.” (Nahl, 96)

Fjalën e Tij:

“Atyre do t’u jepet shpërblim i dyfishtë, për shkak të durimit që kanë treguar.” (Kasas, 54)

Gjithashtu fjalën e Tij:

“Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë.” (Zumer, 10)

Kush duron, Allahu është me të, ndërsa me atë që është Allahu, me të është edhe shpëtimi dhe fitimi në të dy botët:

“Në të vërtetë, Allahu është me të duruarit.” (Bekare, 153)

Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë:

“Ata do të shpërblehen me bekim dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!” (Bekare, 157)

Të durueshmit janë prijës me durimin e tyre. Allahu i Madhërishëm thotë:

“Ne zgjodhëm prej tyre prijës, të cilët udhëzonin me urdhrat Tanë, për sa kohë që ishin të durueshëm.” (Sexhde, 24)

Le ta dijë muslimani i nderuar se këto gjëra nuk arrihen veçse me zell, seriozitet, përpjekje, vendosmëri dhe vullnet.

Mos e konsidero lavdinë si një hurme që ti e ha

Lavdinë nuk do ta arrish derisa ta përpin durimin

Këto janë disa shembuj të fryteve të arritura të durimit në këtë botë dhe në tjetrën.

Ndalesa e pestë:

Vërtet, Ramazani i bekuar të kujton me dhuntitë e shumta dhe begatitë e panumërta të Allahut të Lartësuar me të cilat të ka begatuar ty. Ndaj, bëj përpjekje dhe duro në bindjen dhe nënshtrimin ndaj Allahut të Madhërishëm.

A nuk sheh spitale dhe të sëmurët në to, të cilët kanë nevojë kush do t’i ngushëllonte, e ti ta falënderosh Allahun për shërim dhe shëndet të mirë? A nuk i sheh ata nëntokë, të cilët i kanë humbur të dashurit e tyre, e ti të kujtosh begatinë e të qenit tënd në mesin e familjes dhe fëmijëve tu? A nuk i sheh refugjatët e të pastrehët, të cilët i kanë humbur pasuritë dhe vendlindjen e tyre e të njohësh begatinë e të qenit i sigurt, e ta falënderosh Allahun e Lartësuar dhe të jesh mirënjohës ndaj Tij?

Dije – vëllai im musliman – se çdo i goditur me ndonjë fatkeqësi, në mesin e njerëzve ka nga ata që janë të goditur më shumë se tjetri me ndonjë fatkeqësi, kështu që fatkeqësia e tij i lehtësohet para tij. Merr nga rinia jote për pleqërinë tënde, nga shëndeti yt për sëmundjen tënde, nga pasuria jote për varfërinë tënde, nga jeta jote për vdekjen tënde.

Allahu na bëftë prej të durueshmëve në ndonjë pakënaqësi, prej mirënjohësve në mirëqenie, ashtu siç e lus Atë të na falë dhe të na shpëtojë në fe, në këtë botë dhe në botën tjetër. Ai është Dëgjuesi, Pranuesi i lutjeve dhe Atij i kërkohet ndihma.

Autor: Dr. Falih Muhamed es-Sugajr

Përgatiti: Almedin Ejupi

/krenaria.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit