10.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Protestat e studentëve fitojnë gjithmonë

Më të lexuarat

FITIM ZEKTHI

Shumica në pushtet është bërë shumë qesharake në përpjekjen për ta prishur protestën e studentëve, duke përdorur disa komunistë anakronikë (sidomos për Shqipërinë që ka jetuar 45 vite krime dhe terror nga komunizmi) të organizatës politike, njerëz të FRESH-it apo mekanizma të tjerë njerëzorë ose jo. Kurrë nuk do t’i shkonte ndërmend Presidentit Macron, Kancelares Merkel, Kryeministrit Cipras, Kryeministres May dhe kujtdo drejtuesi tjetër në botën demokratike që të prishte protestat e studentëve në këtë mënyrë.

Protestat e studentëve janë një histori e vjetër në botë dhe ato kanë pasur gjithnjë sukses kur kauza ka qenë e drejtë, me përjashtim të protestave në vende diktatoriale. Protestat e studentëve kanë qenë që të gjitha, pa përjashtim, politike. Protesta e parë studentore ka ndodhur në vitin 1229 në Francë. Studentët e universitetit të Parisit, që ishte një universitet i kishës katolike, gjatë një dite feste, u përleshën me pronarët e një taverne dhe u rrahën keqas. Të nesërmenm studentët shkuan të shumtë në numër dhe rrahën pronarët e tavernës. Studentët ishin të mbrojtur nga ligji dhe institucionet e Francës dhe i nënshtroheshin vetëm ligjit dhe institucioneve të kishës. Mbreti nuk kishte fuqi mbi ta. Megjithatë, mbreti urdhëroi të ndërhynin trupat e gardës, të cilët rrahën dhe disa studentë. Studentët bojkotuan mësimin, u kthyen në shtëpitë e tyre. Përgjatë dy viteve, protesta e tyre nuk u ndal dhe në fund ata fituan. Papa e mori universitetin në varësi të drejtpërdrejtë, duke ia hequr atë klerit lokal dhe mbreti nuk do të kishte më asnjë mundësi t’i prekte. Megjithëse një universitet i kishës, protesta ishte qartësisht politike dhe mbreti, megjithëse me fuqi absolute, nuk u përpoq të blejë apo prishë protestën e studentëve, pavarësisht problemit të thellë politik që ajo krijoi duke e futur në konflikt atë me Papën.

Më pas, historia njeh protesta të pafundme studentësh. Janë të famshme protestat në Poloni dhe Hungari, të cilat nisën prej studentëve dhe u drejtuan regjimeve komuniste në vitet ‘50. Këto protesta u shtypën me dhunë, por ishin plotësisht politike dhe qeveritë komuniste nuk i prishën me njerëz që i futën brenda protestës. Ato nisën si protesta për kushte më të mira më shumë liri në shkollë, por përfunduan në protesta kundër regjimit.

Protestat e majit të vitit 1968 në Francë gjunjëzuan tërë vendin. Studentët flisnin vetëm politikisht dhe ato protesta ndryshuan jo thjesht politikën apo qeverinë e Francës, por një botë të tërë mendimi dhe kuptimi të shoqërisë. Do të ishte çmenduri të mendohej se qeveria do të fuste njerëz brenda studentëve për të prishur protestën. Më lehtë ajo fuste tanket.

Protestat e studentëve në Universitetin Berkley (SHBA) që themeluan lëvizjen për lirinë e shprehjes, lirinë e akademike, lëvizjen për të drejtat civile. Kjo protestë u drejtua nga disa studentë (Mario Savio, Jack Weinback, Brian Turner etej) dhe u mbështet nga mijëra. Jeta universitare u bllokua plotësisht. Për ditë dhe muaj me radhë, vendi u plandos nga protesta. As që mund t’i shkonte ndërmend qeverisë amerikane, drejtuesve të universitetit apo guvernatorit të Kalifornisë, të gjente njerëz si organizata politike apo FRESH për të prishur protestën. Ajo ishte një protestë politike që nisi me kërkesa për rregullat në aktivitetet e universitetit dhe ndryshoi gjithë sjelljen dhe mendimin mbi lirinë akademike dhe të drejtat e njeriut.

Edhe masakra në sheshin Tienanmen në Pekin u krye mbi studentët, të cilët kishin dalë në protesta për më shumë liri. Regjimi komunist i Ten Siaopinit (Deng Xiaoping) i shtypi me gjak, por ato mbeten edhe sot monumentale si protesta studentësh për liri. Regjimi, si për ironi, në fakt, nuk u përpoq kaq shëmtuar t’i prishë ato protesta me futje njerëzish, ndonëse pjesa më e madhe e drejtuesve të protestës ishin eksponentë të partisë komuniste.

Për dy vite me radhë, nga 2011 deri në 2013, në Kili studentët zhvilluan protesta të fuqishme për të ndryshuar sistemin arsimor në vend, për të rritur fuqinë e arsimit publik, për të rritur fondet për të, për të ndryshuar mënyrën e drejtimit dhe financimit etj. Ndonëse protestat ishin në dukje për çështje të ligjit, për arsimin, ato ishin politike dhe i hëngrën kokën qeverisë, çuan në ndryshimin e ligjit dhe në tërë mënyrën sesi shihet arsimi. Protestat donin të rrëzonin një strukturë të tërë socio-ekonomike të ndërtuar që nga vitet ‘80. Protestat përfaqësonin edhe zemërim të njerëzve për gjendjen ekonomike dhe gjithë mënyrën sesi po qeverisja vendi. As qeveria e Pinera-s dhe as qeveria e Bachelet më pas nuk e çuan ndërmend të prishnin protestën me njerëz të tyre.

Protestat e studentëve në dhjetor të 1990 në Shqipëri nisën për batanije dhe ngrohje në konvikte, por përfaqësonin një dëshpërim kombëtar dhe një dëshirë të thellë për liri. Ato vinin pas 45 vitesh krime dhe terror komunist, ato vinin në një gjendje ekonomike të tmerrshme. Ramiz Alia u përpoq me dinakëri t’i prishë, por u dorëzua shpejt dhe u përpoq t’u japë atyre zgjedhjen e vetme, pluralizmin dhe pranimin e rënies së regjimit komunist.

Që të gjitha protestat, si ajo e studentëve të Parisit në vitin 1229, ajo e studentëve në Pragë apo Varshavë, në vitet ‘50, ajo e studentëve të Berkleyt, ajo e studentëve të Parist apo Kilit, ajo e Tienamenit dhe e dhjetorit të Tiranës në 1990, ishin ngritur mbi kauza të drejta. Vetëm regjimet diktatoriale dhe vetëm dhuna e përgjakshme si ajo e regjimit të Kinës, atij hungarez apo polak mund t’i mposhtte.

Edhe protesta e studentëve shqiptarë këto ditë është politike dhe është përfaqësuese e një gjendjeje dëshpërimi në vend. Është e kotë të gënjesh veten me përpjekje për ta prishur atë, pasi papunësia te të rinjtë është rreth 45%, papunësia në shkallë kombëtare është në mbi 30%. Mbi 20% e njerëzve jetojnë poshtë nivelit të varfërisë. Shkolla ka degraduar, është kthyer në vend ku kalohet koha dhe nuk shihet më si mundësi për një punë apo një jetë ku e ardhmja ndërtohet te shkolla. Korrupsioni, koncesionet miliona euroshe, tallja, fyerja, cilësimet ngelësa, shpellarë, kazanë, kadrinj, të paftë etj. kanë çuar në një pikë vlimi.

Protesta e studentëve ndalet vetëm duke hyrë qeveria në rolin që i takon. Qeveria ka detyrë themelore të jetë e ndershme me të vërtetën, të pranojë gjendjen dhe të jetë më e fortë në dhembshuri sesa në “respektimin” e ligjit. Çdo ndalje tjetër e protestës do të jetë e përkohshme sepse problemi jo vetëm do të jetë aty, por do të bëhet më i rëndë. Këto janë protesta kundër gjendjes. Nuk janë protesta për tarifat, as për kushtet në godina. Çdo protestë studentësh, edhe ato në Berkley, apo në Paris, edhe ato në Varshavë apo Athinë nisen nga kërkesa të tilla, por janë shumë më të gjera. Ato janë të gjitha protesta politike dhe të gjitha fitojnë.

*Pedagog, Shkenca politike

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit