15.3 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Politikani gënjeshtar – Hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat

Politikani gënjeshtar

Çdo herë në kohë fushatash më del para syve të mi ky hadith i Pejgamberi, ﷺ, të cilin e kuptoj edhe si udhëzim por edhe si paralajmërim. Paralajmërim të cilin na e dha ky pejgamber para 14 shekujve, për gjëra të cilat në këtë kohë i shohim shumë shpesh!

Na rrëfen Ebu Hurejre, radijallahu anhu, se Pejgamberi, ﷺ, ka thënë:

ثلاثَةٌ لا يُكَلِّمُهُمُ اللَّهُ يَومَ القِيامَةِ ولا يُزَكِّيهِمْ، ولا يَنْظُرُ إليهِم، ولَهُمْ عَذابٌ ألِيمٌ: شيخٌ زانٍ، ومَلِكٌ كَذّابٌ، وعائِلٌ مُسْتَكْبِرٌ.

“Në ditën e Kiametit tre llojeve të njerëzve nuk u flet Allahu, as i dëlirë ata e as i shikon ata dhe ata do kenë denim të dhembshëm:

  1. Plaku zinaqar.
  2. Mbreti gënjeshtar.
  3. Fukaraja mendjemadh.

Muslimi, nr. 107.

Më shushuritë tani e një javë në vesh ky hadith edhe nuk më le rehat, sepse tani e tre dekada vazhdimisht ballafaqohemi me politikan e pushtetar gënjeshtar, të cilët pa fije turpi dalin edhe kërkojnë vazhdimisht votën, dëshmin e njerëzve, që të vazhdojnë ata edhe një mandat me avazin e tyrë tani më të njohur të zhvatjes, keqpërdorimit, abuzimit, paaftësisë edhe dështimit total, paaftësi e plotë për të shërbyer votuesin e vet edhe popullin në përgjithësi. Përjashtim nga krejt këto dështime bën një sukses i vetëm i tyre, e ai është suksesi i jashtëzakonshm, madje marramendës i përfitimit personal i tyre me shifra milionshe për një mandat, e të mos flasim për ata që kanë bërë më shumë se një mandat në pushtet. Gjithsesi respekt edhe nderime asaj pakice ekstreme të cilët nuk janë ndotur nga pjesmarrja e tyre në pushtet me kategorinë e parë, por ndeja me ta edhe përkrahja e tyre edhe ata i bën përgjegjës.

Ti kthemi hadithit edhe të shohim se si është sqaruar nga dijetarët musliman.

Pejgamberi, ﷺ, zakonisht ua tërhiqte vërejtjen besimtarëve nga vetitë e këqija edhe veprat e liga, krejt kjo sepse ai, ﷺ, kishte kujdes të madh për besimtarët edhe i lajmëronte për çdo vepër e cila i afron tek xhenneti edhe i largonte nga çdo vepër e cila i çon besimtarët në xhehenem.

Në këtë hadith Pejgamberi, ﷺ, na lajmëron për tre lloje të njerëzve, të cilëve “nuk do u flet” në Ditën e Kiametit, që domethënë ata do injorohen edhe nuk do dëgjojnë ndonjë fjali e cila mund ti gëzonte ata, për ti nënçmuar edhe për të shfaqur hidhërimin ndaj tyre. Krejt kjo si dënim ndaj tyre për krimet që kanë bërë.

“Nuk do i shikon”. Kjo fjali tregon zmadhimin e ndëshkimit. Domethënë nuk do i shikon me shikim mëshire e ti mëshiron.

“Nuk i dëlirë”. Nuk i pastron nga mëkatet dhe poshtërsitë të cilat i kanë bërë dhe nuk u falen ato mëkate.

“Ata do kenë dënim të dhembshëm”. Mbi të gjitha këto dënime e ndëshkime ata i pret edhe një ndëshkim i madh në ahiret, jetën pas vdekjes. Aty do u shumfisohet dënimi.

Cilët janë këto personalitete?

I pari: plaku i cili ra në imoralitetin e marrëdhënieve jashtë martesore (prostitucionit). Edhe pse plak, i mençur, me përvojë, epshi i tij i dobët, mirëpo ai përsëri vazhdon të bie nga mëkati në mëkat. I riu, të cilit i vlon epshi, mund edhe të mos ketë fuqi të përmban veten e tij, por plaku, të cilit i është dobësuar epshi, apo i ka ikur tërësisht, edhe bie në këtë mëkat, është një veprim i pakuptueshëm, andaj edhe është mëkat me këso pasojash fatale në ahiret.

E njejta vlen edhe për një grua plakë nëse ajo bie në mëkatin e zinasë, marrëdhënieve jashtë martesore, sepse mëkati i zinasë së plakut dhe plakës është më i madh se i të riut, edhe pse krejt llojet e zinasë janë mëkate të mëdha, qoftë ai në të cilin bie i riu apo plaku, mirëpo kur vie ky mëkat nga plaku, atëherë bëhet edhe më i madh te Allahu.

Kjo kategori e njerëzve që është përmendur në këtë hadith fatkeqësisht në kohën e fundit ishte edhe lajm i cili ka tronditur shoqëritë tona kur mediat lokale na befasonin me lajme të pleqve të vdekur në motele të ndryshme!

Lloji i dytë: Mbreti gënjeshtar.

Një mbret, pushtetarë, politikan, i cili vazhdimisht e gënjen popullin të cilin e sundon. I mashtron edhe në lidhje me fenë edhe në lidhje me çështjet e jetës së përditshme të kësaj bote.

Kjo kategori e njerëzve përfshin secilin që ka pushtet ndaj popullit dhe i rren ata për interesat e tija personale, apo klanore apo partiake.

Në transmetimin e imam Nesaiut qëndron “Prijësi i padrejtë”. Ai prijës i cili e përdorë pushtetin për ti bërë padrejtësi popullatës duke mos u dhënë të drejta të barabarta të gjithëve në shfrytëzimin e shërbimeve të institucioneve të shtetit apo duke ua pamundësuar zhvillimin e popullit me mundin edhe aftësitë e veta për shkak të ligjeve të padrejta apo për shkak të padrejtësisë që u bëhet duke mos i zbatuar edhe ato pak ligje të drejta që gjinden në këto shtete.

Gënjeshtra edhe padrejtësia janë dy shtyllat e dështimit të çdo shoqërie edhe shteti.

E nëse këto veti i ka njeriu që është në kokë të tyre, atëherë shumë shpejt prite shembjen edhe të kësaj shoqërie edhe të këtij shtetit.

Gënjeshtra është mëkat i madh edhe është cilësi e hipokritit, qoftë ai pushtetarë apo jo, mirëpo ky mëkat kur vjen nga një pushtetarë bëhet edhe më i madh, sepse ai nuk ka nevojë për të gënjyer, pasiqë fjala e tij është fjalë me fuqi, pasi vjen nga lartë, andaj ai duhet të jetë i sinqertë edhe i qartë në premtimet të cilat ua jep.

Krahaso këtë me premtimet elektorale të politikanëve edhe pastaj verifikimin e asaj që është realizuar edhe asaj që nuk është realizuar nga krejt ajo që është e premtuar, për të parë se përqindja e premtimeve të parealizuar është aq e madhe, saqë nuk ka regjistër që mund ti mban ato.

Në të kaluarën ishte më lehtë të fshihen deklaratat e politikanëve edhe premtimet e tyre gjatë fushatave elektorale por tani me zhvillimin e teknologjisë edhe aparaturave për regjistrim digjital, audio edhe vizive, krejt po na dalin përpara edhe asgjë më tani nuk fshihet. Për të kuptuar se çka do që merren vesh politikanët në koluare të mbyllura apo pas perdes, qoftë për të mirë apo për te keq, ato gjithmonë kanë qenë të regjistruara nga Zoti, por këtë gjë ata nuk e kanë përfillë, e tani krejt këto dalin në shesh ose nga deklarimet e tyre publike, apo nga përgjimet e vet shtetit, të cilin ata e sundojnë kur janë në pushtet, edhe kur dalin nga pushteti, përvidhen edhe dalin në skenën publike ato përgjime. Për të kuptuar se sa me rëndësi është për një politikan të sodit që të ketë frikë Zotin edhe të punon me drejtësi, sepse vetëm këto parime e mbrojnë atë edhe nga turpërimi para Allahut por edhe nga turpërimi para publikut nga media të ndryshme.

 Lloji i tretë: Fukaraja mendjemadh.

Ky njeri edhe pse është fukara edhe ka shumë fëmijë të cilët nuk arrin as ti ushqen ai sillet me mendjemadhësi, pa ndonjë arsye të zakonshme për mendjemadhësi.

Edhe pse shumë më e përshtatshme për këtë lloj njeriu do ishte të jetë modest edhe para Allahut por edhe para njerëzve, sepse varfëria është një arsye e qartë për modesti.

Kjo pjesë e hadithi mund të ketë edhe kuptimin se ky njeri i varfër, i cili ka shumë fëmijë dhe nuk arrin të siguron kafshatën e gojës për ta edhe tu siguron veshmbathje, ai nga mendjemadhësia që i ka i le të uritur edhe të çveshur e të zbathur sepse refuzon të merr ndihmat e njerëzve apo sadakatë (lëmoshat) e njerëzve, apo nuk e pranon çfarë do lloj pune duke menduar se ajo punë është nënçmim për te. Njeriu që i ka këto karakteristika bie në këtë mëkat, sepse e dëmton familjen e tij, e le të uritur edhe të çveshur, nga kjo mendjemadhësi.

Mendjemadhësia është e ndaluar si për të pasurin ashtu edhe për të varfërin, por për të varfërin është mëkat edhe më i madh. Për këtë arsye kur njerëzit e shohin një njeri të pasur edhe modest ata habiten dhe e vlerësojnë shumë, sepse zakonsiht pasuria është shkak i mendjemadhësisë.

Këto tre personalitete janë përmendur me këto kërcënime të mëdha, sepse që të tre i bëjnë këto mëkate të mëdha pa patur nevojë të madhe për to dhe shtytësi për ti bërë këto mëkate është shumë i dobët, andaj nxitimi për ti bërë ato më shumë i ngjan inatosjes me Zotin edhe nënçmimi i detyrës karshi Zotit dhe se ky mëkat bëhet vetëm për tiu kundërvyer Zotit e jo për ndonjë nevojë që kanë për to.

Përmendja e këtyre tre personaliteteve në këtë hadith nuk domethënë kufizimin vetëm në këto tre lloje, nuk e pengon ekzistimin edhe të llojeve tjera që i meritojnë këto dënime kaq të mëdha, siç është ai që lëshon rrobat zvarrë nga mendjemadhësia, apo ai që e shet një mall duke u betuar rrejshëm, ai që ua përmend të mirat që ua bënë tjerëve, siç përmendet në hadithin e Ebu Dherrit në sahihun e imam Muslimit.

Çka na mëson hadithi:

Hadithi na mëson se Allahu ka cilësi të atilla që i përkojnë madhërisë së Tij, sikurse është Fjala edhe Shikimi i Tij, pasi që nuk i shikon edhe nuk u flet.

Hadithi ua tërhjek vërjetjen besimtarëve nga mëkatet e mëdha, siç janë zinaja, gënjeshtra edhe mendjemadhësia.

Hadithi na paralajmëron ardhjen e këtyre kategorive të njerëzve të cilët janë shumë të dëmshëm për shoqëritë tona dhe se duhet ruajtur prej tyre edhe duhet punuar për pakësimin e tyre në shoqëritë tona.

Hadithi na mëson se pushtetarët edhe politikanët duhet të jenë të sinqertë edhe të drejtë nëse duan që aktiviteti i tyre të jetë i dobishëm për ta edhe popullin nga i cili e marrin pushtetin.

Hadithi na mëson që pleqëria e një populli duhet të jenë më të ndershmit e shoqërisë edhe më të urtit, për të qenë model, të cilin do e ndjekin rinia e atij populli.

Hadithi na mëson se njerëzit duhet të stolisen me vlera morale edhe se nuk duhet të ndikohen nga pozita sociale që kanë.

Bekir Halimi

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit