14.8 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Obligimi i kujt është Islami?

Më të lexuarat

Shumë njerëz derisa flasin kanë dëshirë që përgjegjësinë ta hedhin mbi supe të huaja. Fjalët /kjo është detyrë e tyre/ janë fjalët që më së shpeshti i dëgjojmë kur flasim apo kur diskutojmë me ta. Fjalë të ngjashme dëgjohen edhe në media; i shqiptojnë zyrtarët kulturorë, politikë dhe fetarë; profesorët, mësuesit, imamët, prindërit, studentët, nxënësit, adoleshentët, fëmijët, … Askush prej tyre nuk mund ta pastrojë gjuhën e vet nga fjalët /këtë patjetër dikush duhet ta kryejë/ ose /kjo nuk është detyra ime/. Mirëpo, është çudi se si askush prej tyre nuk pyet se a gjendet edhe ai/ajo ndër ata që patjetër duhet ta bënin “atë”. A do të thotë kjo se obligimi i tyre përfundon vetëm me ndarjen e obligimeve për të tjerët, dhe pastaj ata vetë mund të flenë të qetë, sepse të tjerëve ua kanë përkujtuar se çka duhet të bëjnë!?

Shpesh takojmë persona eminentë, fjalët e të cilëve njerëzit i respektojnë dhe të cilëve u drejtohen për të gjitha aspektet e jetës, për vendimet e tyre, për qëndrimet, dilemat apo edhe për problemet. Prej atyre njerëzve eminentë shpesh dëgjohen fjalët:
ai profesor patjetër duhet ta bëjë këtë e këtë;
kryetari i organizatës patjetër duhet ta bëjë këtë nëse dëshiron këtë e atë…;
vetëm politikanët sikur të merreshin vesh…;
unë mendoj se kështu është dashur të veprohet…;
Mirë. Kush janë këta njerëz eminentë? E kush janë, prapë, ata njerëz të cilët të gjitha këto do të duhej t’i zbatojnë në vepër?

Posaçërisht do të duhej të brengosemi kur të vërejmë se një numër i madh i njerëzve të tillë nuk i ka zgjidhur as dëshirat më të ulëta njerëzore dhe krejt ajo për çka flet ai, flet nga prizmi i promovimit personal, ose i interesit material. Pastaj, edhe kur të hetoni se muslimanët në sferën e arsimimit, ekonomisë, mediave dhe të gjitha aspektet tjera të jetës njerëzore shënojnë rezultate shumë të dobëta, atëherë pashmangshëm shtrohet pyetja:
Kush janë, pra, përgjegjësit për këtë gjendje?
Kënd duhet ta presim për tu kryer këto projekte të rëndësishme?
A duhet ndoshta ata të cilët e kanë detyrë zyrtare?!
Jo, ky nuk do të jetë interesimi i tyre, derisa në të nuk e shohin interesin e vet personal.
Apo ndoshta t’i presim biznesmenët?

Jo, sepse krejt ajo në çka ata mendojnë është puna dhe profiti. Pak ka në mesin e tyre të atillë që janë të gatshëm të planifikojnë dhe ekzekutojnë programe me dobi të gjithmbarshme.
A të presim që publiku t’i zbatojë këto reforma?

Natyrisht, jo. Veprat e këtij lloji janë mbi mundësitë e të kuptuarit të tyre, dhe njerëzit e rëndomtë as nuk janë të edukuar e as nuk kanë përvojë që me kualitet t’i zbatojnë projektet.
Kush janë pra, ata që do ta investojnë kohën e tyre, të hollat, diturinë, me një fjalë – jetën e tyre – me qëllim të përmirësimit të gjendjes së gjithmbarshme të muslimanëve në mbarë botën?
Kjo është rinia muslimane e vetëdijshme, e edukuar dhe e arsimuar, e cila është e gatshme të jetojë dhe të vdesë për Islam.

Po ku është kjo rini?

Shumica e tyre janë formalisht të inkuadruar nëpër organizata lokale, ndërsa vetëm një pjesë e vogël diçka konkretisht punon. Gati askush nuk mendon as nuk planifikon. Disa janë preokupuar me pyetje sekondare për shkak të cilave i neglizhojnë të gjitha të tjerat, ndërsa disa, prapë, konsiderojnë se janë të thirrur dhe të apostrofuar vetëm t’i sulmojnë dhe t’i qortojnë ata përgjegjësit, në vend se ta kryejnë ndonjë punë të thjeshtë për të cilën nuk nevojitet shumë.

Për shembull:

– të ushqehet një plak/plakë i/e varfër për të cilin/ën dimë se jeton i/e vetmuar;
– të ndihmohet kolegu student për ta përgatitur një provim të vështirë;
– të vizitohet një i sëmurë në spital, sidomos njerëzit e rinj dhe tu ofrohet miqësi e sinqertë;
– t’i lëshohet vendi i uljes personit të vjetër në mjetin e udhëtimit me fjalë të mira;
– bashkë me disa shokë të pastrohen varrezat te xhamia më e afërt.
Ajo që dëshiroj kësaj here është që bashkë me lexuesit e këtij teksti ta ndaj mendimin dhe së bashku të përpiqemi të gjejmë përgjigje në pyetjen:

Kënd po e presim ne të na i bëj këto projekte dhe të bëjë vepra të cilat për Islamin janë shumë të rëndësishme?
Dikush që tjetrin e këshillon dhe i propozon çka të bëjë, mendon se dhënia e këshillave dhe propozimeve nga ana e tij është kontribut i mjaftueshëm në realizimin e projekteve konkrete të theksuara dhe të patheksuara.
Mirëpo, nëse TË GJITHË bëhemi të tillë, atëherë TË GJITHË do të gjendemi para njerëzve se si nuk bëjmë asgjë tjetër përveç se ndajmë këshilla dhe sugjerime, se çka duhet të bëjë dikush, pa plan e program komplet apo pa qasje serioze të problemit.
Në të njëjtën kohë, ata të tjerët do të kenë një mori obligimesh, /ai duhet të/ dhe /e ka obligim që/ do të rezultojë se ata të jenë të stërngarkuar dhe të stërobliguar me shumë çështje të rëndësishme. Me atë rast ne do të ulemi nën hijen e përgjegjësisë personale dhe vetëdijes islame. Sepse, do të themi, duhet të jetë edhe grupi i atyre që do të flasin, propozojnë, sugjerojnë, ligjërojnë, …
Gjendja e këtillë e gjërave në mesin tonë na shtynë të bëhemi serioz dhe të mendojmë.
Kur do ta ndjejmë këtë përgjegjësi personale të drejtpërdrejt dhe të fillojmë të veprojmë duke i përdorur të gjitha mjetet e lejuara të kohës moderne me qëllim që t’i shërbejmë Allahut të dashur?
Kur do të largohemi bile një pëllëmbë nga vajtimi dhe më në fund t’i bëjmë hapat e parë në rrugën e veprimit konkret, të planifikuar dhe të urtë?
Dhe për fund po e lëmë tregimin e shkurtër të cilin e kemi gjetur në Udhëzuesin përgatitor për punonjësit islamikë, i cili thekson:

E KUJT ËSHTË DETYRA ?
I.
Ky është një rrëfim për
katër njerëz të quajtur
Çdonjëri, Ndonjëri,
Cilido dhe Asnjëri.
II.
Njëherë duhej bërë
një punë të rëndësishme
dhe u kërkua nga Çdonjëri
që ta bënte atë.
III.
Çdonjëri ishte i sigurt
se Ndonjëri do ta bënte atë.
IV.
Cilido mund ta bënte, por
Asnjëri (nuk) e bëri atë.
V.
Ndonjëri u mllefos për këtë,
për shkak se kjo ishte punë
e Çdonjërit.
VI.
Çdonjëri mendoi se
Cilido mund ta bënte këtë, por
Asnjëri e kuptoi se
Çdonjëri nuk do ta bënte.
VII.
Në fund mbaroi me atë se
Çdonjëri e fajësonte Ndonjërin,
kur Asnjëri (nuk) e bëri atë,
që Cilido mund ta bënte.

Përgatiti ) : Miftar AJDINI

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit