16.1 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Nga na vjen e keqja më e madhe?

Më të lexuarat

Justinian Topulli

 

Në këto kohë të vështira për shumë muslimanë në botë, ku shumë prej tyre janë duke u vrarë, masakruar, përzënë nga shtëpitë e tyre e duke vuajtur fatkeqësi të panumërta, nuk po na mungon edhe një bela e përgjithshme, nga e cila po vuajmë të gjithë, që është shëmtimi që i bëhet Islamit, ca nga mediat armiqësore e materialiste, e ca nga ata që nuk na duan, e ca nga ata që nga padija e tyre na urrejnë, e padyshim edhe nga ajo pjesë e vogël e jona, e cila me pavetëdijen e të paditurit, me zellin dhe emocionet e atij që ka humbur e i mungon maturia e urtësia,  janë bërë – qoftë edhe pjesërisht – shkak që ky sulm denigrues dhe poshtërues ndaj muslimanëve të marrë përmasa gjithmonë e më të mëdha.

Ku qëndron problemi më i madh, që edhe ne të dimë të përdorim kurën e duhur?

Përgjigja shpesh është e gatshme: Kemi braktisur fenë, nuk jemi në rregull me Zotin dhe Ligjin e Tij, na qeverisin njerëz të prishur, kemi lënë përpjekjen për hir të Zotit, iu nënshtrohemi qafirëve, jemi bërë njëlloj si jobesimtarët…etj, kështu që po meritojmë dënimin e Zotit!

Natyrisht që këto fjalë janë të vërteta, sepse Allahu thotë: “Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë.” (42:30)

Padyshim për këto fatkeqësi që përjetojnë sot muslimanët, shkaqet janë ato që përmendëm e të tjera, por unë këtu dua të ndalem veçanërisht tek ajo që vetë shpallja hyjnore e ka konsideruar si më të dëmshmen për ne, më të rrezikshme edhe se krimet e armiqve dhe gjenocidin e tyre, më të keqe edhe se çdo tirani diktatori, e më të ligë se edhe çdo fatkeqësi natyrore, sado e madhe qoftë ajo.

E kush është ajo? Le ta lëmë shpalljen hyjnore të flasë:

Përcillet nga Sad ibn Ebi Uekas se Profeti (alejhi salatu ue selam) një ditë po kthehej nga (lagjja) el-Alije, derisa mbërriti te xhamia e fisit Beni Muavije. Ai hyri në të dhe fali dy rekatë dhe ne u falëm me të. Ai iu lut gjatë Zotit të tij dhe më pas u kthye nga ne dhe tha: “Iu luta Zotit tim për tri gjëra dhe Ai më plotësoi dy e më refuzoi njërën. E luta Zotin tim të mos e shkatërrojë umetin tim me thatësirë dhe Ai ma pranoi; e luta Zotin tim të mos e shkatërrojë umetin tim me përmbytje dhe Ai ma pranoi; dhe e luta Zotin tim që të mos i dërmojë ata me njeri-tjetrin dhe Ai nuk ma pranoi.” (Muslimi nr. 2890)

Duket se kjo lutje e Profetit nuk ka qenë rasti i vetëm, pasi në një hadith tjetër që përcillet nga Theubani thuhet se Profeti (alejhi salatu ue selam) ka thënë:

“Allahu ma paraqiti tokën dhe unë pashë lindjen dhe perëndimin e saj, e umeti im do arrijë sundimin e asaj që unë pashë. Mua më janë dhuruar dy thesare: i kuqi dhe i bardhi (ari dhe argjendi). Dhe unë iu luta Zotit tim për umetin tim që Ai të mos e shkatërroj atë me thatësirë të përgjithshme; të mos hedhë mbi ta një armik të huaj për ta (jomuslimanë) që t’i shfarosë ata. Dhe Zoti im më tha: “O Muhamed! Unë kur vendos diçka ajo nuk kthehet mbrapsht. Unë i kam dhuruar umetit tënd që të mos e shkatërroj atë me thatësirë të përgjithshme; të mos hedhë mbi ta një armik të huaj për ta që do t’i shfarosë ata, edhe nëse do të mblidhen nga cepat e tokës, derisa ata vetë do ta shkatërrojnë dhe robërojnë njeri-tjetrin.” (Muslimi nr. 2889)

Këto dy hadithe qartësohen edhe më shumë nga një i tretë, që përcillet nga Xhabiri se kur zbriti ajeti (6:65) që thotë:

“Thuaj: “Ai ka fuqi t’ju ndëshkojë prej së larti”

i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) tha: “Kërkoj mbrojtje tek Ty!”,

“ose nga poshtë këmbëve tuaja,”

Ai tha: “Kërkoj mbrojtje tek Ty!”,

“ose t’ju përçajë në grupe e të vuani nga duart e njëri-tjetrit.”

I Dërguari i Allahut tha: “Kjo është më e lehtë.” (Buhariu nr. 4628)

Konkluzioni i këtyre tre haditheve është se muslimanët nuk mund të shuhen nga asnjë fatkeqësi natyrore, qoftë kjo thatësira që shkaktojnë uri dhe vdekje apo përmbytje etj…, por as edhe nga luftërat dhe gjenocidet masive që mund të ndodhin ndaj tyre, sado të egër dhe të shumtë e të fuqishëm të jenë armiqtë e tyre, por ata do të dëmtohen më shumë mes tyre, pra duke u ndarë, përçarë dhe vrarë mes vetes. Natyrisht në krahasim me të parat, që mund të jenë shfarosëse, kjo e treta në mënyrë relative është më pak e keqe, sepse siç thotë edhe një fjalë e urtë popullore “vëllai vëllait mishin ia ha, por kockat ia lë”, ndërkohë që fatkeqësitë e tjera nuk lënë pas asnjë gjurmë.

Kështu pra Allahu me mëshirën e Tij, na favorizoi ne si njerëz se do të na ruaj nga fatkeqësitë shfarosëse dhe sa për ilustrim mjafton këtu të përmendim se vetëm gjatë luftës së fundit në Gaza edhe pse u vranë mbi 2100 njerëz, po në ato ditë atje lindën dyfishi i atyre që u vranë (http://www.al-akhbar.com/node/213129)!

Nga ky caktim i Zotit për ne, mësojmë se cila është e keqja më e madhe dhe më e dëmshme për ne, së cilës ne duhet t’i japim më shumë përparësi, sidomos në këto kohë, natyrisht pa lënë mënjanë të tjerat.

E pra, fatkeqësia më e madhe nga e cila vuajnë muslimanët sot dhe më e dëmshme për ne, nuk janë armiqtë tanë dhe krimet që ata bëjnë ndaj nesh, por janë krimet që bëjnë një pjesë prej nesh ndaj pjesës tjetër, krimet fizike dhe morale, krimet me të cilat ata shëmtojnë Islamin dhe shtojnë urrejtjen mes muslimanëve. Padyshim në krye të këtyre krimeve nuk janë ata që bëjnë gjynahe të çdo lloji mes nesh, por ata që vrasin dhe presin muslimanët në emër të Islamit, ata që në emër të tij nxjerrin njerëzit nga feja dhe cenojnë gjakun dhe pasurinë e tyre. Kështu pra, tekfiri i muslimanëve me pa të drejtë dhe derdhja e gjakut të pafajshme mes tyre, përçarja dhe konfliktet që çojnë deri në këtë gjendje, janë armiku ynë më i keq dhe më i rrezikshëm sot, ndaj të cilit nuk duhet heshtur, ashtu siç nuk heshti Profeti (alejhi salatu ue selam) për hauarixhët dhe që ishte i vetmi soj njerëzisht, për të cilët ai foli dhe paralajmëroi për rrezikun e tyre, si për asnjë rrezik dhe grupim tjetër.

Nëse vetë muslimanët nuk i japin fund këtyre fitneve mes tyre, këtyre përçarjeve, ekstremizmave, përleshjeve dhe vrasjeve të pavenda, duke vënë  përpara përgjegjësisë fajtorët e vërtetë dhe duke ndaluar ata nga kjo histeri injorante, të tjerët edhe pse nuk mund të na shfarosin, nuk kanë për të pasur kurrë më shumë mëshirë për ne, sesa ne për njeri-tjetrin dhe bashkë me të thatin do të djegin me zjarrin e tyre të armëve, të mediave, të ligjeve, të arrestimeve dhe çdo gjëje tjetër që kanë në dorë, edhe të njomin mes nesh, e kjo mund ta ndez edhe më keq fitnen, në përmasa të atilla që flakët e së cilës vetëm Allahu mund t’i shuaj! Ata duan që të gjithë neve të na radikalizojnë dhe ekstremizojnë, duke na provokuar dhe nxitur ashtu siç nxitet tërbimi i një kafshe në mënyrë që të përligjet vrasja e saj në sytë e botës dhe askush të mos të thotë asnjë fjalë të mirë për ne! Nëse e duam këtë fe dhe e duam njeri-tjetrin, të bëjmë sa të mundim, qoftë edhe në nivel lokal, aq sa na takon, që të mos ia japim me duart tona këtë shans, atyre që nuk na duan dhe që pa u hyrë gjemb në këmbë presin të na shkatërrojnë mes vetes.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit