10.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Nga Ermir HOXHA: Si e njoh Mustafa Nanon dhe si nuk e njohim Skënderbeun

Më të lexuarat

Një pohim i Mustafa Nanos mbi origjinën sllave të nënës së Skënderbeut, ka rihapur debatin mbi figurën e heroit tonë kombëtar, poaq sa mbi ofruesit dhe interpretuesit e atyre të dhënave që me gojët e tyre bëjnë të trazohen ujrat e qeta të një limontie nacionaliste. Dhe në kërë rast, ky është Muçi.

E thëna e tij dhe reagimet ndaj saj, bën që Skënderbeu të ngjajë me atë jastëkun e butë ku breza të tërë mbështesin kokën, për t’u kredhur në ëndrrat edhe me sy hapur të një heroizmi kinse triumfalist, me efekte dhe në të tashmen e mangët në shumëçka. Ti jua heq jastëkun dhe bëhet hataja. Më pas debati nuk është mbi llojin e jastëkut, efektet e tij anësore, përpos rehatit që të dhuron, limontisë më saktë, por mbi vënësin dorë mbi të, duke tentuar linçimin me çdo çmim, mbi të gjitha moral.

Kështu, pakkush po merret me të dhënën e ofruar nga Nano, për t’iu kundërvënë atij me një oponencë faktike, edhe në mos qoftë ekstra-shkencore, por shkojnë e ja çajnë kraharorin me kamën e inatçillëku irracional, për t’i nxjerrë prej aty atë që mendojnë se ka shtyrë drejt blasfemisë nacionale.

Dhe ka prej atyre që e kanë bërë këtë, dikush duke thënë se Nano është i etur për famë e dikush tjetër si Ngjela, që tek Muçi ka parë një investim beogradas.

Me Mustafa Nanon me lidh një miqësi mbi 15-vjeçare. Jemi njohur salloneve të medias dhe, edhe pse nuk kemi punuar kurrë me afërsi fizike, raporti ynë shoqëror ka qenë koherent, jo falë bindjeve të njëjta që na ndajnë, ku madje ka shumë të kundërta, sidomos kur është fjala për aspekte besimi, por falë disa principeve etike. Ti mundesh të mos jesh dakort me Muçin, në atë që ai mbron apo thotë, por nuk mundesh kurrë t’i vesh në dyshim qasjen e sinqeritë në pikëpamjen që mbron. Dhe më kryesorja është motivimi. Këtë të fundit e ka pastërtisht, edhe nëse është gabim në qasje kritike. Që do të thotë, se nëse ai ka kritikuar rregullisht Berishën, për këtë nuk e nxit askush tjetër veç bindjeve të tij; e që për me tepër është meraku i tij shoqëor mbi mbrapshtitë e vendit ku jeton, ajo çfarë e shtyn të jetë gjithë oponent i fortë ndaj tij dhe jo ndonjë antipati e rëndomtë njerëzore.

Si shembull tjetër mund të merret një lloj kriticizmi i tij karshi aspekteve fetare, gjegjësisht muslimane. Është kokë e këmbë gabim në termat e dijes dhe rrjedhimisht në termat e perceptimit të pambështetura në dije, por nuk ka ndonjë gjë, po ashtu inatçore të rëndomtë me ata që besojnë e që ndjekin rituale besimi. Përkundrazi, jo pak herë jua çmon etikën, moralin, produktin shoqëror.

Ndërsa sa për “dëshirën për famë”, kush e njeh nga afër Muç Nanon e di që ai nuk ka vuajtur ndonjëherë nga vaniteti. Mund t’ia ngjisje këtë xanxë ahere kur nuk njihej, 20 vjet më parë, por sot nuk ngjit. Ndaj, mos të merremi me atë se ç’fsheh në gjoks, pasi lënda e ofruar prej tij me pohime që përbëjnë sfida intelektuale, është e mjaftueshme për t’ju kundërvënë, nëse ndokush mendon që e posedon këtë fuqi, gjithnjë intelektuale.

Mos ka gënjyer gjë Muçi kur ka thënë se nëna e Skënderbeut është me origjinë serbe? Deri më tani askush nuk ka dalë t’ja provojë këtë gënjeshtër.

Në fakt, tematika është mjaft e komplikuar. Skënderbeu sa është një mit romantik mesjetar, marrë e sanksionuar si hero kombëtar në periudhën e Rilindjes Kombëtare, është poaq më pas i sanksionuar dhe nga komunizmi në funksion të një nacionalizmi enverian. Dhe fakti që, historiografia komuniste nuk e luajti ngjyresën sllave të emrit të nënës së tij, do të thotë se mori në konsideratë ca rrethana mesjetare të cilat nuk mund të gjykohen me kutin e sotëm të raporteve nacionale mes dy kombeve.

Mjaft të kujtohet e pohohet se Shqipëria është dingas me toponimi sllave, gjë që nuk të thotë se ky është një truall sllav. Ngjashëm dhe me ngjizje të tilla gjaku.

Në Ballkan por jo vetëm, vështirë të hasësh pastërti të kulluar etnike nder deje njerëzish të brezave të ndryshëm. Sa janë zënë e luftuar mes vedi, aq dhe kanë bashkëjetuar. E kur është fjala për këtë të fundit, është e natyrshme që të ketë kruqëzime gjakrash me etnitet të ndryshëm. Dhe në këtë pikë Skëndërbeu më nënë sllave nuk përbën ndonjë rast të hatashëm. Në çdo kohë kemi emra të mëdhenj, personalitete me status heroi, edhe nacionalë madje, ku “papastërtia” etnike ka qenë prezente. Dhe në këtë pikë, Skënderbeu nuk ka pse gjykohet mbi origjinën e nënës së tij, por mbi protagonizmin e tij. E para, por dhe më kryesorja, nëse ka patur vërtet moral atdhetar në afshin e tij luftarak? Dhe e dyta, nëse në formatin e tij heroik ka teprime?

Tek “Beni ecën vetë”, xha Thomai e çmitizon Skënderbeun kur nipçes së vogël, Benit pra, ia sqaron se ajo puna e kalit dhe e kalërimeve të tij ciklopike, nuk janë ashtu siç thuhen.

Mirëpo ne, një pjesë e mirë shqiptarësh, ndoshta dhe në dominancë, vijojmë të jemi në nivelin e Benit naiv në perceptimin mbi Skënderbeun.

Ta kesh nënën sllave, makar dhe serbe, nuk është një kompromentim moral, aq më tepër kur është fjala për një kohë tjetër, me kontekste tërësisht të tjera shoqërore.

A nuk ndodhi ky keqkuptim dhe me Shmidin e “Skënderbeun” e tij? Shmidi, ashtu siç sqaroi xha Thomai në dialog me Benin, thjesht e uli në tokë për një moment Skënderbeun, për ta parë më nga afër, më qartësisht e jo në mjergullën e një nacionalizmi folklorik. Dhe e bëri shkencërisht, në respekt të profesionit të tij dhe të së vërtetës që mëton se i shërben.

Por në të gjithë këtë debat, më të bezdishmit janë ata që e mbrojnë Skënderbeun bash si mit, pra duke qenë të ndërgjegjshëm se është i tillë, dhe u vërsulen çmitizuesve si blasfemues kombëtarë. Po a mundet kush ta provojë se ruajtja e miteve, në çdo kohë, i ka sjellë vendin këto e ato të mira, e ka bërë më iluminuar, më të mbrothësuar, më të zhvilluar…dhe ne, falë shumë përfitimeve, ia vlen të riskojmë në moral shoqëror? Dhe kur themi “moral shoqëror” kemi parasysh të jetuarit me gënjeshtra, madje të dhënit me vetëdije ndaj tyre.

“E kundërta e së bukurës është gënjeshtra”, thoshte Alia Izetbegoviç, një gjetje brilante për të përcaktuar çmimin e saktë të gënjeshtrës.

Ne ia urrejmë serbit mitet e veta nacionale. Falë njerës prej tyre, Vidovdanit (Betejës së Fushë Kosovës), është viktimizuar një popull si ai i Kosovës, e që ende e ardhmja e dy popujve është e varur nga këto mite me plot gënjeshtra në konstruktin e tyre. Ia kërkojmë serbit që mos jetojë me këto mite, duke e ndihmuar dhe me të dhëna shkencore për t’i afruar kah e vërteta e larguar prej gënjeshtrës, por vetë nuk e bëjmë të njëjtën gjë. Shikoni se si nuk shkulet dot miti i “turqve pushtues të Shqipërisë për 500 vjet”! Mjaft që më e pakta gjë që mund të thuhet është se asnjë turk nuk e ka pushtuar Shqipërinë, ngase në atë kohë nuk ka ekzistuar as “turku” si nocion nacional, në daç dhe si term, e po ashtu dhe Shqipëria. Kjo është shkencë dhe shkenca nuk shkon gjithnjë me folklorin. Ndërkohë që është e provuar se një vend mund t’i hapë vetes udhën e mbrothësisë, me shkencë më shumë se sa me folklor.

E vërteta sakaq, thërret në ndihmë shkencën për të ushqyer moralin. Dhe meqë jemi tek morali, a mundet dikush të na thotë se ç’përfqësonte Skënderbeu në jetën e përditshme, si familjar e si qënie sociale: ç’bashkëshort ishte, ç’familjar, ç’prind, ç’mik, ç’shok, sa ishte njeri i fjalës, ç’sjellje kishte në komunikim me njerëzit etj.? Ja kjo që ha debat, në një qasje krejt të munguar të historiografisë sonë që është marrë me figurën e Skënderbeut. Të shpallësh një hero kombëtar, duke injoruar aspekte të qenësishme dhe thelbësore të karakterit të tij, kjo është e papranueshme. Atdhetarë si Skënderbeu shfaqemi të gjithë, por mungesa e theksuar e një morali shoqëror, na ka bërë që mu këtij atdheu, “t’i bëjmë munë”, siç thonë lebërit.

Vërtet, pak rëndësi ka se çfarë ishte Vojsava, nëna e tij, por ka shumë rëndësi të dijmë se ç’ishte Skënderbeu tej shpatës… /tesheshi.com/      

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit