9.2 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Nga Dr. Bled KOMINI: Çmimi i fjalës së lirë

Më të lexuarat

Të gjitha qeveritë që mundohen ta ndalojnë fjalën e lirë, apo dhe të drejtën për t’u shprehur, qoftë në formën verbale apo të shkruar, janë qeveri kriminale. Nuk ka shërbim më të madh që mund t’i bëhet autoritarizmit se heqja e lirisë së të shprehurit, si në variantin klasik të saj, apo dhe në atë modern e teknologjik përmes medias sociale. Kjo pasi liria e të shprehurit nuk simbolizon në vetvete vetëm të drejtën për ta pasur të legjitimuar në kushtetutë, por dhe të drejtën për ta përdorur atë sa herë që demokracia e liria vihen në rrezik.

Fjala kushton po aq sa vlen dhe liria e atij që e thotë! Ishte fjala e para. Po! Fjala ishte e para edhe në Bibël, edhe në Kur’an… Ajo ishte e para në të tëra shkrimet e shenjta, sepse pa fjalën njerëzimi nuk do kishte asnjë mundësi të ndërtonte qytetërime. E kundërta e fjalës është robëria e saj, e përmes robërisë së fjalës robërohen dhe qytetërimet. Mjafton të shihet ajo që ndodhi në dy luftërat botërore, prej 1914-s gjer në 1945-n, për të kuptuar se mungesa e lirisë, e të shprehurit, e vendimmarrjes së lirë, i shkatërroi ato vlera qindravjeçare që Europa kishte prodhuar dhe, për më tepër, kishte eksportuar në Amerikën Veriore e më tej.

Kenneth Clark, në librin e tij “Civilizimi”, e përshkruan revolucionin e fjalës (si e “drejta për t’u shprehur”) si një ndër arritjet më të mëdha të njerëzimit. Jo vetëm përpunimi i fjalës (në prozë), por e drejta për t’u shprehur, do të thoshte K. Clark, i bëri fiset barbare që pushtuan Romën të ishin po aq të barabartë sa romakët e vjetër e të urtë. Eric M. Barendt, profesor i University College London, e autor i “Freedom of Speech” (Liria e të Shprehurit, 2007), e quan të drejtën për t’u shprehur si një nga teoritë më të mëdha të demokracive moderne perëndimore, ku përmes saj arrihet drejtësia mes atij që e ushtron pushtetin dhe atij që e legjitimon atë nëpërmjet votës së tij. Një tjetër studiues i njohur, Thomas I. Emerson, e cilëson të drejtën e të shprehurit si një “valvul shpëtimi”, e cila qëndron mes stabilitetit dhe ndryshimit. Është pikërisht ajo që shtyn ndryshimin, por dhe bëhet mbrojtësja më e madhe e stabilitetit, duke përplasur idetë dhe mendimet, që përmes tyre të lindin vendimet e shoqëria të ecë përpara. Sipas tij, principi i diskutimit të hapur është metoda më e mirë e arritjes për ta mbajtur një komunitet të qëndrueshëm përpara se të shpërthejnë pakënaqësitë e pashprehura. E megjithatë, është “konsesusi për lirinë e shprehjes e mbrujtjen e konceptit” ai që kthehet në levën më të rëndësishme të demokracisë, duke u dhënë mundësi kuptimeve të drejta që të mbijetojnë mbi ato të deformuara prej atyre që nuk e shohin zgjidhjen tek e drejta e të shprehurit, por e gjejnë atë tek autokracia e mendimit.

Për ta zgjeruar disi panoramën, këtu nuk po shkruhet për “Criminal Speech”-in (të shprehurin e jashtëligjshëm), apo dhunimin e lirisë përmes të shprehurit të pakufi, pasi detyra e demokracisë vërtet është triumfi i lirisë, por ajo nuk e mbështet kurrë autokracinë e mendimit. Kushdo ka mendimin e tij dhe mund ta shprehë atë, e kjo është një e drejtë e fituar tashmë që pas revolucioneve të egra të shekujve XVII-XIX në Britani e Francë, por askush nuk mund ta përdorë fjalën për të cenuar, goditur e përdhosur dinjitetin e tjetrit. Pavarësisht kësaj, Xhon Stjuart Milli rreshtohet bindshëm përkrah atyre që mendimin e tyre e shprehin hapur, sado imoral që ai të jetë, vetëm që liria e të shprehurit të mbijetojë. Kjo sakrificë e Xh. S. Millit nuk është aspak një favor që i bëhet lirisë dhe fjalës së lirë, por është një sakrificë, që kur e padrejta të mbizotërojë, të ketë mundësi që të dëgjohet dhe etikja e moralja (e drejta). Është një balancë e përsosur e dialektikes, natyrës njerëzore; një ambigë e të patëhuajsueshmes.

Liria për t’u shprehur e për t’i deklaruar hapur bindjet është një arritje e madhe e njerëzimit përmes një dokumenti historik që e sanksionon qartë atë në artikullin 19 të “Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut”, adaptuar më 10 dhjetor 1948 në Palais de Chaillot në Paris. Në këtë drejtim, asnjë qeveri nuk mund ta hedhë poshtë mundin e atyre që dhanë jetën për të shkulur diktaturat e diktatorët që uzurpuan pushtetin anekënd Europës e botës mbarë. Ndaj dhe në Shqipëri mbrojtja e këtij parimi themelor, të çimentuar edhe me “Konventën Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile e Politike” të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (hyrë në fuqi më 23 mars 1976), kthehet në detyrë për të tërë ata që e quajnë veten “dishepuj të lirisë”.

Kësisoj, asnjë lloj qeverie nuk duhet lejuar që të kufizojë lirinë e shprehjes, përmes së cilës mbrohen të drejtat civile dhe ato politike. Asnjë qeveri nuk duhet lejuar që të kufizojë fjalën e lirë, qoftë ajo e shkruar në letër apo elektronikisht në mediat online, çka do të ishte një regres i vërtetë për eshtrat e etërve tanë, që dhanë jetën për ardhjen e demokracisë. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit