Ndihma e rusëve për Zogun Majko: Princi tha të vërtetën

0
63

 

 

TIRANE- Ish-kryeministri shqiptar, njëherësh një nga zërat më të fortë në PS, Pandeli Majko shprehet se Leka Zogu II me deklaratën e tij se “rusët e bardhë” ndihmuan Ahmet Zogun për të rrëzuar Fan Nolin dhe për të ardhur në pushtet në vitin 1924, ka thënë një të vërtetë historike.

 I vetmi kryeministër shqiptar që ka përballuar një luftë, atë të Kosovës me Serbinë dhe i shquar për një nacionalizëm ekuilibrist, Majko ka nënvizuar faktin se nipi i Ahmet Zogut në mënyrën më të sinqertë dhe më me edukatë ka pranuar atë që e dinë të gjithë dhe që është një fakt historik, që Zogu u rikthye në pushtet përmes bajonetave ruse dhe serbe. Gjë të cilën sipas tij e ka shkruar në shtypin amerikan dhe ish-ambasadori amerikan në Shqipëri, Bernstein. Dhe për më tepër që sipas Majkos, historia ka vijuar pastaj me rusët e kuq të Stalinit, por që sërish nënvizon se vijon ende kjo mbështetje e rusëve në Shqipëri, duke lënë për të kuptuar dhe qeverisjen aktuale.

“Deklarimi i Princit për “rusët e bardhë” është një e vërtetë historike. Ajo ka ndodhur dhe në këtë pikë komentet janë të tepërta. Sigurisht momenti për të cilin flitet ishte një luftë “civile”, midis të majtës dhe të djathtës shqiptare në fillesat e veta. Ishte raundi i parë dhe fitoi e djathta e Ahmet Zogut…! Një parathënie e zymtë për marrëdhëniet midis palëve në vazhdim.! Ku përsëri jugosllavët dhe rusët (të kuqtë) herën tjetër nuk do të mungonin. Historia vazhdon akoma, ndaj nuk kemi pse të vrerosemi nga një deklarim i sinqertë dhe me edukatë (po fliste për mediat ruse) të një princi shqiptar!. Nuk është ai fajtori i historisë më gabime dramatike të Shqipërisë”, ka qënë deklarata e djeshme e ish-kryeministrit, njëherësh anëtar i kryesisë dhe deputetit socialst, Pandeli Majko dhënë për gazetën “Shqiptarja.com”. Majko, si për të përforcuar atë që deklaron, ka futur në faqen e tij të rrjetit social facebook dhe një artikull të ish ambasadorit amerikan në Shqipëri në periudhën kur Ahmet Zogu ka qënë Mbret. “Një artikull i jashtëzakonshëm në Gazetën “The Neë York Times” i datës 28 Janar 1934 për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai është shkruar nga ish-Ambasdori i SHBA në Shqipëri Herman Bernstein. Ai ishte ambasador i SHBA në Shqipëri në periudhën Shkurt 1930-Shtator 1933 dhe një autoritet i kohës së tij. Ishte njëkohësisht një gazetar, shkrimtar, përkthyes, botues e diplomat i famshëm me origjinë hebraike. Albert Ajnshtain ishte mik dhe bashkëpunëtor i tij. Herman Bernstein ishte një veprimtar i spikatur për të drejtat e hebrenjve dhe redaktor i dy gazetave hebraike”, shkruan Majko. “…Ahmet Zogu ishte një nga udhëheqësit e rinj të dalluar dhe qeveria, në të cilën ai ishte Ministër i Brendshëm dhe më pas Kryeministër, u dallua prej emrit të tij. Më 1924, regjimi i Zogut u përmbys prej një kryengritje të udhëhequr nga peshkopi shqiptar Fan Noli. Ahmet Zogu me disa kolegë të tij u largua me nxitim në Beograd për strehë dhe ndihmë. Qeveria kryengritëse e Fan Nolit zgjati nga Qershori deri në Dhjetor 1924, kur Zogu, të cilin ajo e kishte dënuar me vdekje, u rikthye fitimtar në Tiranë në krye të një ushtrie të vogël që ai e kishte organizuar në Jugosllavi. Brenda një muaji nga kthimi i tij, Zogu u zgjodh President i Republikës Shqiptare për shtatë vjet. Qeveria e tij filloi të riorganizojë dhe të përmirësojë vendin, megjithëse shpërthimet e pakënaqësive vazhduan të ndodhnin herë pas here. Jugosllavët, duke e bërë mik Ahmet Zogun dhe duke e ndihmuar atë të rifitonte pushtetin, pritën që ai të merrte një drejtim të fortë që anonte nga Jugosllavia ose kundra Italisë. Duke e kuptuar rrezikun e madh për vendin e tij nëse ndiqte këtë politikë, Presidenti Zog u përpoq ta ngiste timonin në mes, të mbante anën e Shqipërisë…”, shkruan ish-ambasadori i SHBA i asaj kohe Herman Bernstein.

Shkrimi u botua sot ne gazetën Shqiptarja.com