16.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Ndalimi i shamisë muslimane: çudira nga zbatimi i ligjit në Austri

Më të lexuarat

Në fillim të vitit, Austria përballej me një dilemë. Ashtu si edhe kombe të tjera europiane, vendi kërkonte të ndalonte burkan, mbulesën e plotë apo mbulesa të tjera që mbahen nga gratë muslimane. Në kundërshtim me këto vende të tjera, sidoqoftë, Austria nuk dëshironte ta quante veprimin ndalim të burkës, me frikën e padive të mundshme ligjore për diskriminim.

Në vend të kësaj, Austria doli me një ligj kontrovers që ndalonte gjithkënd në këtë vend të mbulonte fytyrën, me disa përjashtime për qëllime mjekësore apo profesionale. Ligji hyri në fuqi këtë muaj, por duket se nuk po funksionon sipas qëllimit – duke vënë në pah problemet me të cilat përballen kombet europiane ndërsa kërkojnë të nxjerrin jashtë ligjit disa simbole fetare që shihen si në kundërshtim me vlerat perëndimore e në të njëjtën kohë duke kërkuar përputhshmëri me kushtetutat e tyre, që shpesh shenjtërojnë lirinë e besimit.

Sa për fillim, austriakët sërish i referohen ligjit të ri si “ndalimi i burkës”, pavarësisht përpjekjeve zyrtare për t’i paraprirë mospërdorimit të termit.

Për më tepër, targetimi i mbulesës muslimane të fytyrës, pa e etiketuar si të tillë, ka çuar në disa situata të çuditshme në Austri. Ndërsa zgjedhjet parlamentare janë shumë pranë, – ku partia e ekstremit të djathtë, partia e Lirisë do të fitojë me gjasa pothuajse 25 për qind të votive – policia duket se po e zbaton ligjin me tepër rreptësi, duke e interpretuar në një mënyrë ekstreme.

Zyrtarët e policisë po ndalojnë njerëzit me biçikleta se mbajnë shalle. Të premten, policia gjobiti një burrë me rreth 175 euro pasi kishte veshur një kostum krokodili për qëllime reklame në qytetin e Vjenës. Lajmi për gjobën u bë publik nga punëdhënësi i personit në fjalë, – një agjenci marrëdhëniesh publike – dhe u konfirmua nga autoritetet.

“Ai ishte veshur si një kafshë e animuar dhe jo si terrorist”, tha Jakob Kattner, drejtues i agjencisë. Kompania sipas tij, nuk do ta apelojë gjobën, duke pranuar se kostumi kishte shkelur një nen të ligjit.

Duke reflektuar çoroditjen që ka sjellë ligji, sidoqoftë, policia tha se do të tërhiqte akuzat ndaj personit në fjalë.

“Ky ligj nuk aplikohet ndaj profesionistëve që kanë nevojë të mbulojnë fytyrat e tyre për shkak të punës”, tha zëdhënësi i policisë, duke pranuar disa mangësi të ligjit. Disa çiklistë u ndaluan për të mbajtur shalle si masë mbrojtëse kundër të ftohtit, konfirmoi zëdhënësi, por shtoi se asnjë prej tyre nuk u gjobit.

“Eshtë e vërtetë që oficerët e policisë duhet të procedojnë me logjikë kur zbatojnë këtë ligj. Nuk është i krahasueshëm me ligjin e gjobave kur tejkalon shpejtësinë. Në vend të këtij zbatimi, çdo rast duhet të merret individualisht në konsideratë”, tha policia.

Ndërkohë, autoritetet konfirmuan se aktivitetet për Hallouinin nuk do të ndikohen nga ligji i ri.

Konfuzioni i madh që ka nxitur ligji ka sjellë kritika të reja, por duket se për arsye të ndryshme nga ato që u thanë publikisht kur ai u propozua. Shumë gra muslimane dhe kundërshtarë të tjerë të ligjit, që u kalua në parlament si pjesë e një “pakete të integruar” e cila synon të ndihmojë integrimin e të sapoardhurve në kulturën austriake, e kanë konsideruar atë diskriminues dhe rracist.

Përpara se të miratohej ligji, presidenti Alexander Van der Bellen deklaroi publikisht se ai mbështeste të drejtën e grave për të mbajtur shaminë islame – e madje, u duk se ai sugjeroi se të gjitha gratë duhet të mbajnë shaminë në shenjë solidariteti për të luftuar paragjykimet ndaj muslimanëve. Në fund, ai e nënshkroi ndalimin e mbulesës së fytyrës, duke thënë se nuk e mirëpriste, por që megjithatë ligji nuk ishte në kundërshtim me kushtetutën.

Nëse fillimisht kundërshtia ndaj ligjit ishte më e zëshme brenda komuniteteve muslimane, tashmë zemërimi është përhapur shumë më gjerë.

“Absurditeti i incidenteve të fundit tregon sesa i padobishëm është në të vërtetë ky ligj”./Tesheshi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit