Lufta kineze kundër Islamit – kush hyn në kamp, nuk del kurrë

0
120

Shkruan: Abdullah Nasup

Gazeta britanike The Guardian publikoi artikullin me titull: “Nëse hyni në kamp, ju nuk do të dilni kurrë prej aty: Brenda Kinës ka luftë ndaj Islamit”në të cilin flitet sesi regjimi komunist kinez përmes kampeve të burgimit po kryen indoktrinimin ideologjik komunist ndaj muslimanëve me qëllim të “korrigjimit” të tyre, përkatësisht, largimit nga Islami. Në vazhdim lexoni pjesët më interesante të artikullit.

Rajoni Luop, Qendra për trajnim dhe aftësim profesional, nr. 1, është e vështirë të anashkalohet. Shfaqet papritur, kampusi i madh dominon mbi hektarët e tokës bujqësore. Jashtë kompleksit, të rrethuar me mure të larta betoni të bardhë, të veshur me tela me gjemba dhe me kamera të vëzhgimit, patrullojnë makinat e policisë, derisa disa roje të pajisur me shkopinj të gjatë, qëndrojë dhe shikojnë. Qendra është më e madhe se shumica e fshatrave përreth, dhe shtrihet në sipërfaqe prej 170.000 metra katrorë.

Një grup njerëzish qëndrojnë në rrugë, duke shikuar në ndërtesa. Askush nuk është në gjendje të thotë se çka është në të vërtetë ky kompleks i objekteve, i cili i ngjan burgut, apo pse ata po presin aty. Një vajzë e re me dy vëllezër, thotë se kanë ardhur për të parë babanë. Por, nëna e saj e hesht shpejt.

Kompleksi nuk është formalisht burg ose universitet, por është kamp internimi, në të cilin autoritetet kineze e dërgojnë pakicën muslimane, kryesisht Ujgurët, ku i mbajnë kundër vullnetit të tyre dhe pa gjyq, me muaj apo edhe me vite.

Studiuesit dhe banorët thonë se Xinjiangu Jugor është fokusi i qërimit të hesapeve të qeverisë me muslimanët, për shkak të numrit të madh të Ujgurëve muslimanë. “Në Hotan, ekziston një thënie: “Nëse shkoni në kamp përqendrimi në Luopu, kurrë nuk do të dilni prej tij”, ka thënë Adil Awut nga Hotani, i cili tani jeton jashtë vendit.

Në dhjetor, Kombet e Bashkuara kanë kërkuar qasje të drejtpërdrejtë në kampe, pasi që  studiuesit thanë se kanë “raporte të besueshme” se 1.1 milion Ujgurë, Kazakë, Huij dhe pakica të tjera etnike gjenden në paraburgim.

Në Luop, një zonë rurale pak e populluar, me rreth 280,000 banorë, të cilët pothuajse tërësisht janë Ujgurë, gjenden 8 kampe, zyrtarisht të etiketuara si “qendra për arsimin profesional”.

Administrata në Luop, gjithashtu, planifikon të shpenzojë rreth 300 milionë juanë (44 milionë $) për “kontroll të stabilitetit”, duke përfshirë edhe rreth 300.000 $, për sistemin e kontrollit në të gjitha xhamitë dhe financimin e punës së gati 6,000 zyrtarëve policorë, për të punuar në pikat e kontrollit të sigurisë, si dhe për t’i vizituar zonat e banimit.

Masat e sigurisë dhe lartësia e kostos tregojnë sesa është e përkushtuar Kina ndaj politikës së saj kontradiktore në Xinjiang, përkundër kritikave në rritje. Përgjatë gjithë provincës, shpenzimet e sigurimit janë dyfishuar në vitin 2017, që nga fillimi i fushatës së sigurisë.

Zona e Luoput e ka tejkaluar buxhetin e saj për gati 300% në vitin 2017. Megjithatë, shpenzimet vazhdojnë të rriten. Instituti Australian i Politikave Strategjike, ka analizuar 28 kampe në Xinjiang, dhe ka gjetur të dhëna, se shpenzimet janë rritur për 465%, nga viti 2016.

Në Luop, qeveria lokale ka punësuar më shumë se 2.700 asistentë policorë, në 224 fshatra dhe qytete. “Studentët” janë të vëzhguar nga afër nga: rreth 2.000 punonjës dhe policë janë punësuar për t’i mbikëqyrur 12.000 të burgosur.

Autoritetet, gjithashtu, shpenzojnë para për t’i paguar imamët dhe njerëzit e tjerë fetarë, të cilët i rekrutojnë si “patriot fetar”, për t’i penguar njerëzit nga shkuarja në haxh, jashtë organizatave të cilat i menaxhojnë autoritetet kineze. Ata për këtë paguhen me 4.200 juan në vit (rreth $ 600), duke pasur parasysh, se paga mesatare vjetore në disa nga këto zona është 6.800 juan.

Burimi: saff.ba

Përkthim: Miftar Ajdini