5.5 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Fotoja e palestinezit bëhet virale në botë, “lidhet” me një ngjarje historike të Francës (Foto)

Më të lexuarat

Fotografia e gazetarit të Anadolu Agency (AA), Mustafa Hassona, e cila shfaq një palestinez në Rripin e Gazës teksa mban flamurin e Palestinës në njërën dorë dhe një llastik në dorën tjetër, është bërë virale si në rrjetet sociale, ashtu edhe në median botërore, pasi është karahasuar me pikturën e famshme të piktorit francez Eugene Delacroix, “Liria udhëheq popullin”, që simbolizon Revolucionin Francez.

Fotografia është shkrepur gjatë protestave ditën e hënë kundër bllokadës ilegale të Izraelit ndaj Gazës. Për shkak të ngjashmërisë me pikturën e Delacroix të vitit 1830, ajo fillimisht u bë virale në rrjetet sociale, ndërsa më pas bëri bujë edhe në mediumet e botës.

Në pikturën me famë botërore “Lira udhëheq popullin”, shfaqet një grua e cila simbolizon lirinë, duke mbajtur në njërën dorë flamurin francez, dhe një pushkë me bajonetë në dorën tjetër.

Ndërkaq, personi në fotografinë e gazetarit të AA-së është 22-vjeçari palestinez Aid Ebu Amr, i cili tërheq vëmendjen me flamurin, llastikun dhe tymin e zi të ngritur në sfond.

Pas përhapjes së madhe në rrjetet sociale, për fotografinë në fjalë raportuan shumë media të njohura botërore, përfshirë Al Jazeera dhe BBC.

Me interesimin e saj të madh, fotografia është duke u bërë një nga simbolet e rezistencës palestineze.

“Përhapja e fotografisë rritpi dëshirën time për të marrë pjesë në demonstrata”

Protagonisti i ngjarjes, i riu palestinez Ebu Amr, tha për AA se ndihet tejet i lumtur që fotografia që shfaq atë ka zënë hapësirë të madhe në rrjetet sociale dhe median botërore.

Ebu Amr, një nga mijëra të rinj të papunë në Gaza, tha se shpreson që nëpërmjet demonstratave, ta arrijnë heqjen e bllokadës izraelite në rajon dhe në këtë mënyrë të mundësojnë një jetë më të mirë për secilin duke i rritur mundësitë e punës.

Ai merr pjesë vazhdimisht në protestat që organizohen nën moton “Marshi i Kthimit të Madh” që nga 30 marsi i këtij viti në kufirin e Rripit të Gazës.

“Përhapja e fotografisë së bashku me pikturën e piktorit francez më ka inkurajuar të vazhdoj të marr pjesë në demonstratat që organizohen për ta fituar lirinë tonë”, thekson Ebu Amr.

“Askush nuk mund të ma marrë flamurin nga dora”

Ebu Amr thotë se gjatë demonstratave, asnjëherë nuk i lëshon nga dora flamurin dhe llastikun.

“Asnjëherë nuk lë të ma marrin flamurin nga dora. Edhe po të jemë shënjestër e plumbave izraelitë, ai do të vazhdojë të jetë në dorën time”, shton i riu palestinez.

Dëshira më e madhe e tij, siç thotë, është që një ditë të shoh çlirimin e të gjitha trojeve të Palestinës.

“Ëndërroj që një ditë ta vendos flamurin tonë në trojet palestinezë të pushtuara nga Izraeli”, thotë Ebu Amr.

Fotografia “lidhet” me një ngjarje historike të Francës

Është një foto që ka sjellë mijëra komente në internet.

E shkrepur nga fotoreporteri Mustafa Hassona, tregon një palestinez të zhveshur që mban një flamur të madh që valëvitet mbi kokën e tij në Gaza të hënën. Fotoja erdhi pas një proteste të dhunshme afër kufirit me Izraelin. Demonstruesit dogjën goma dhe hodhën gurë në drejtim të forcave izraelite, të cilat u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe zjarr të vërtetë të armëve.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha se 32 palestinezë u plagosën.

Imazhi është shpërndarë gjerësisht në mediat sociale që e krahasojnë atë me pikturën e famshme të Revolucionit Francez të Eugene Delacroix (fotoja poshtë).

Al Jazeera e identifikoi njeriun në fotografi si 20-vjeçari Aed Abu Amro.

“Jam i befasuar që kjo foto e imja u bë virale”, i tha ai transmetuesit pan-arab.

“Unë marr pjesë në protesta në baza javore, ndonjëherë edhe më shumë. As që e dija se kishte fotograf pranë meje. Flamuri që po mbaja ishte i njëjti që mbaj në të gjitha protestat që kam ndjekur. Miqtë e mi tallen me mua, duke thënë se është më e lehtë të hedhësh gurë pa mbajtur një flamur me dorën tjetër, por unë e mbaj atë”.

Profesori Laleh Khalili, lektor për Lindjen e Mesme në Universitetin SOAS në Londër, ndau imazhin në Twitter të martën.

Vetëm tweet e saj ka tërhequr më shumë se 30,000 retweets dhe 80,000 pëlqime, ndërsa fotografia ka mbledhur edhe dhjetëra mijëra të ardhura në Reddit.

“Fotografia reflekton realitetin që përjetojnë palestinezët në tokat e veta”

Nga ana tjetër, shkrepësi i fotografisë, gazetari i AA-së Mustafa Hassona, tha se fotografia ka rëndësi të madhe nga aspekti i reflektimit të realitetit që ndodh në atë rajon.

Ai e cilësoi si të rëndësishme shpërndarjen e fotografisë në rrjetet sociale, pasi, siç tha, ato janë bërë një nga mjetet më të rëndësishme të informimit dhe komunikimit në ditët tona.

“Menjëherë pasi u shpërnda në faqet në fjalë, kolegët tanë francezë e krahasuan me pikturën franceze që ka të bëjë me kulturën e revolucionit dhe thanë se i ngjan shumë kësaj pikture. Por, kjo fotografi reflekton realitetin që e përjetojnë palestinezët në tokat e veta”, tha Hassona, duke folur për krahasimin me pikturën franceze.

Ndryshe, palestinezët në baza të rregullta organizojnë demonstrata që nga 30 marsi në kufirin e Rripit të Gazës së bllokuar nën moton “Marshi i Kthimit të Madh”.

Demonstruesit kërkojnë “kthimin e palestinezëve të dëbuar në tokat e tyre dhe heqjen e bllokadës ilegale të vendosur në Gaza që nga viti 2006”.

Ushtarët izraelitë intervenojnë ndaj protestuesve civilë duke përdorur plumba të vërtetë. Mbi 200 palestinezë kanë rënë dëshmorë gjatë demonstratave paqësore si pasojë e intervenimit të trupave izraelitë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit