4.1 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Artriti reumatoid, trajtimet e reja për sëmundjen

Më të lexuarat

Bisedoi: Denisa Canameti

Artriti reumatoid është sëmundja më e shpeshtë nga grupi i sëmundjeve që prek sistemin muskuloskeletik, e cila prek 1 deri në 3% të popullatës mbi 15 vjeç. Është sëmundje kronike, multisistemike, deri tani me shkaqe jo të njohura mirë.

Në një intervistë për gazetën “Shëndet+”, mjeku Argjend Tafaj, reumatolog pranë Qendrës Spitalore Universitare ‘Nënë Tereza’, thotë se artriti karakterizohet nga inflamacioni i vazhdueshëm i cipës sinoviale, është membranë që mbështjell artikulacionet, sjell dëmtim të kapilarëve, erozion kockor, deformime kockore me pasojë pamundësinë në lëvizjen e artikulacioneve. Ai shpjegon se si duhet të veprohet në rastet që kjo sëmundje prek dhe cilat janë zgjidhjet më të fundit të shkencës për të.

Doktor, cilat janë shkaqet e artritit reumatoid?

Si shkaktarë për shpërthimin e sëmundjes përmendim disa:

Faktorët gjenetikë
Faktorët endokrinë dhe riprodhues
Faktorët infeksioz
Faktorët e mjedisit
Faktorët social-ekonomik
Te faktorët infeksioz kryesisht akuzohen si shkaktarë të sëmundjes disa viruse, mykoplazmat, retroviruset, virusi Epstein barr etj.

Te faktorët mjedisorë dhe socio-ekonomik përmenden disa shkaktarë, për shembull është vënë re që te punonjësit që punojnë te minierat e qymyrgurit, ata në industrinë e peshkut, kanë incidencë më të lartë të artritit reumatoid.

Morboziteti (shpeshtësia e sëmundjes) dhe mortaliteti (vdekshmëria) është rritur shumë. Sëmundshmëria dhe vdekshmëria është më e lartë tek femrat sesa tek meshkujt dhe te ata me nivel të ulët arsimor. Sa më i paditur, aq më keq mjekohesh.

Lidhur me faktorët gjenetikë, është vënë re se ka një prevalencë mjaft të rritur tek pjesëtarët e një familje. Vuan nëna, vajza, djali, motra. Sëmundje në pjesëtarë të së njëjtës familje. Është vënë re te binjakët që ngjasojnë, që quhen monozigotë, shpeshtësia e sëmundjes është 4 herë më e rritur se tek ata që nuk ngjasojnë, që quhen bizigotë.

Jeni shprehur më parë se shtatzënia i përmirëson simptomat e artritit…

Janë disa të dhëna mjaft interesante, ku te gratë shtatzëna rastet e reja të fillimit të sëmundjes janë më të ulëta. Pra, gjatë shtatzënisë rrallëherë fillon artriti reumatoid. Por menjëherë pas lindjes, shpeshtësia e sëmundjes është 5 herë më e shpeshtë sesa gjatë shtatzënisë. Ndërsa gjatë shtatzënisë, të sëmurat me artrit reumatoid përmirësohen shumë mirë, aq sa mund të ndërpresin dhe mjekimin. (Sigurisht, e kam theksuar edhe më parë, gratë që vuajnë nga artriti reumatoid dhe marrin mjekim, duhet të flasin patjetër me mjekun para se të ngelin shtatzënë, që të mos kenë probleme)

Gjithashtu, ka mjaft të dhëna për kontraceptivët apo terapinë zëvendësuese hormonale, ku thuhet se rëndojnë apo ndikojnë në ecurinë e sëmundjes. Do të thotë që estrogjenët (hormonet estrogjenike) kanë efekt stimulues në sistemin imunitar, rrisin aktivitetin e sistemit imunitar dhe mund të agravojnë së tepërmi sëmundjen. Të sëmurat me artrit reumatoid kanë vënë re që edhe gjatë periudhës menstruale kanë rëndim të simptomave të sëmundjes.

Si fillon sëmundja?

Mund të fillojë në çdo moshë, por më e shpeshtë është midis moshës 30-60 vjeç. Prek më tepër femrat sesa meshkujt, deri në raportin 4:1.

Ka disa forma të fillimit të sëmundjes. Ajo më e shpeshta është forma poliartikulare, që do të thotë se prek shumë artikulacione. Është forma që prek pak artikulacione, si dhe forma me një artikulacion.

Karakteristikë e sëmundjes është prekja e artikulacioneve të vogla të duarve dhe të këmbëve. Nga pikëpamja e shpejtësisë së fillimit të sëmundjes, ka disa forma klinike. Është forma me fillim të ngadaltë, që është dhe forma më e shpeshtë, në rreth 60% të sëmurëve, ku simptomat vendosen me muaj, siç është lodhja, dhimbja, temperaturë subfebrile, rënia në peshë, anoreksia, gjendja e ankthit, ngurtësimi mëngjesor.

Kemi dhe formën me fillim akut, që është në 15-20% të rasteve, ku situata shëndetësore përparon brenda pak ditësh.

Është dhe forma me fillim të ndërmjetëm, as të ngadaltë , as akute, është një numër 15-20% të të sëmurëve. Shenjat klinike të të sëmurëve vendosen për një kohë të ndërmjetme.

Nga pikëpamja e shfaqjes klinike, ka disa forma artriti reumatoid. Ato kanë specifika të veçanta sa i përket shenjave klinike.

Artriti reumatoid juvenil: i fëmijëve dhe i të rinjve;

Forma still, te të rriturit;

Artriti reumatoid i të moshuarve.

Është dhe artriti reumatoid që prek të sëmurët që kanë paraliza të ekstremiteteve. Ka një prekje karakteristike ku artikulacionet në anësitë e paralizuara nuk preken nga artriti reumatoid.

Është sëmundje që prek artikulacionet. Por është sëmundje që përveç artikulacioneve, ka dhe prekje jo të artikulacioneve. Te prekja e artikulacioneve ka një karakteristikë që duhet përmendur: është prekja simetrike e kyçeve. Pra, prek të dyja anët e duarve, të dyja anët e këmbëve; kur prek gjunjët, nuk prek vetëm njërin, por të dy. Kjo është e përgjithshmja.

Artikulacionet e duarve dhe të këmbëve preken deri në 90% të rasteve;

të gjunjëve deri në 80% të rasteve;

shpatullat deri në 50% të rasteve;

preken edhe artikulacionet e nofullave në 30% të të sëmurëve.

Prekja e artikulacioneve të duarve jep disa pamje karakteristike, ku të sëmurët që vuajnë nga kjo sëmundje janë të familjarizuar, i dinë mirë. Dora devijohet, sheh nga jashtë, dora mund të bëhet si kurrizi i gamiles me dy gunga ose, nga edema që mund të ketë dora, bëhet si doreza e boksit. Gishtat mund të marrin formën si qafa e mjellmës, si shkronja Z ose në formë çekiçi.

A dalin artikulacionet jashtë funksionit?

Po, komplikacioni i fundit fare është dalja jashtë funksionit e artikulacioneve të duarve, të këmbëve, aty ku prek sëmundja.

Te këmbët ndodhin deformime të tilla ku mund të bëhen shkak që i sëmuri nuk vesh dot këpucët. Kërcejnë gishtat njëri mbi tjetrin. Gishtat e mëdhenj të këmbëve shohin nga jashtë, gjë që e bën shumë të vështirë veshjen e këpucëve. Këmba merr një formë deformimi, bëhet dystaban, sheshohet tabani i këmbës.

Si pasojë e deformimit të këmbës, formohen kallo të cilat bëhen akoma më problematike në ecjen e të sëmurit. Gjithashtu krijohen, hapen plagë aty ku këmba fërkohet me tokën, me këpucën etj. Dëmtimi i gjunjëve gjithashtu bëhet problem për të sëmurin. Gjunjët ënjten në mënyrë simetrike në përgjithësi, kanë likid (ujë) apo cipa sinoviale trashet.

Po ashtu artikulacionet koskofemorale preken në mënyrë simetrike nga artriti reumatoid, kryesisht te të rinjtë.

Faza përfundimtare e tyre është ankiloza, që do të thotë bllokim total i artikulacioneve, mungesë totale e lëvizjeve, çka flet që i sëmuri është invalid.

Prek dhe artikulacionet e tjera, siç është artikulacioni i grykëve. Të sëmurët shpesh kanë ngjirje zëri.

Përveç prekjes së artikulacioneve, artriti reumatoid ka dhe shfaqje të tjera që mund të jenë shumë problematike. Ato shfaqje janë të pranishme në 30-40% të të sëmurëve. Mund të fillojnë edhe pa filluar vetë artriti reumatoid si sëmundje.

Te shfaqjet ekstraartikulare janë kryesisht këto shenjat sistemike: temperaturë, lodhje, dobësi trupore, janë nodujt reumatoid (formacione të buta, të rrumbullakëta, që flasin për formë të rëndë të sëmundjes). Janë alternimet e gjakut, ka dëmtime të sistemit respirator, të sistemit kardiovaskular, preken të gjitha shtresat e zemrës, mund të preket sistemi nervor , si ai qendror, periferik, preken sytë, preken jo rrallë dhe organe si mëlçia, veshkat, muskujt.

A ka formë parandalimi kjo sëmundje?

Jo, për fat të keq nuk ka formë parandalimi. Por te masat parandaluese mund të përmendet rëndësia e kapjes së sëmundjes në kohë. Nëse kapet shpejt në kohë, mundësia e trajtimit është shumë më e mirë dhe ecuria është e mirë. Me mjetet që disponon mjekësia sot, një i sëmurë me artrit reumatoid mund të mbahet në gjendje të qëndrueshme që sëmundja të mos përparojë.

Trajtimi?

Ka disa lloje trajtimesh. Është e rëndësishme që i sëmuri të njihet me sëmundjen se çfarë është. Ka shumë të sëmurë që abuzojnë: përdorin barna popullore, nuk duan ta besojnë që u ka filluar një sëmundje e rëndësishme , e nënvlerësojnë ndonjëherë situatën që kanë për arsye objektive ose subjektive. Problemi është se ka shumë raste kur pacientët vijnë në gjendje të rëndë.

Në rastin e artritit reumatoid mjeku ka disa qëllime:

Të qetësojë dhimbjet përmes medikamenteve.

Qëllim tjetër është parandalimi i dëmtimit përfundimtar të artikulacioneve.

Të informohet pacienti për sëmundjen.

Duhet të bëhen terapi me ushtrime, të cilat ndikojnë mbi lëvizshmërinë e artikulacioneve.

Terapi me pajisje ndihmëse për aktivitetin ditor në punë dhe në shtëpi: përdorimi i qaforeve, i gjunjëzave, të patericave.

Trajtimi duhet të fillojë sa më herët dhe duhet të jetë i personalizuar, nuk ka skema fikse për të gjithë të sëmurët me artrit reumatoid.

Te barnat që përdoren ka disa linja mjekimi dhe të parët janë anti-inflamatorët josteroidë. Një grup barnash që frenojnë inflamacionin.

Pra, stadi i parë fillon me anti-inflamatorët josteroidë: qetësojnë dhimbjen, inflamacionin, janë barna të cilat kanë efekt të përkohshëm ose kryesisht simptomatik, nuk shërojnë sëmundjen. Vetëm qetësojnë simptomat.

Meqë këto medikamente nuk japin atë rezultatin e duhur, te të sëmurët shtohet doza, të vogla jo më shumë se 10 ml kortizonik. Në varësi të stadit të sëmundjes, mjeku vlerëson barnat e tjera që përdoren. Janë disa barna që quhen barna modifikues të sëmundjes, të cilat janë: metotraxati, aziatoprina, salazopyrina etj. Prej këtyre, disa janë citostatikë, imunosupresorë, përdoren dhe në sfera të tjera të mjekësisë, në patologjitë malinje, por janë barna që gjejnë përdorim të gjerë në reumatologji, sepse frenojnë hiperaktivitetin e sistemit imunitar.

Kur këto barna nuk japin përsëri efekt, për fat të mirë janë zbuluar dhe një grup i madh medikamentesh që quhen barnat biologjike.

Janë barna përafërsisht me efekte të njëjta, siç ishin dhe barnat imunosupresorë që përmendëm më lart, që veprojnë në sistemin imun, veprojnë në hallka të ndryshme të inflamacionit dhe frenojnë sëmundjen.

Janë barna shumë të shtrenjta, me kosto të madhe por që kanë efektivitet.

Në mjekimet që duhet të përmend, është edhe mjekimi kirurgjikal që u bëhet këtyre të sëmurëve. Kirurgjia korrigjon pozicionet vicioze të artikulacioneve, deformimet e artikulacioneve, deri në protezim të artikulacioneve të cilat kanë dalë jashtë përdorimit./ Shendeti.com.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit