10.7 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Arbër Vokrri: Si shoqëri, kemi nevojë për edukim, besim, moral, shpresë e veprim

Më të lexuarat

Arbër Vokrri është mjek me profesion. Por prej kohësh i angazhuar edhe në politikë. Është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, që nga themelimi i saj.
Duket që angazhimi i tij në politikë, i ka dhënë më shumë puls, duke e bërë mjaft aktiv në jetë përgjithësisht. Ka, po ashtu, një pasion të pashuar për historinë.

Këtu në këtë intervistë për Gazeta e Re, ka folur kryesisht për gjendjen e sektorit shëndetësor, degradimin, por edhe për variantet se si të dalim nga situata politike në të cilën ndodhemi.

GER: z.Vokrri, meqë jeni mjek me profesion, si e shpjegoni dukurinë e ikjes së vazhdueshme të mantel-bardhëve drejt vendeve perëndimore, më saktë, ajo çka na intereson është kjo: sa ka rrezik që të mbesim pa kuadro mjekësore?

A.Vokrri: Po të shërbehemi me terma të kapitalizmit, mjeku është produkti më i shtrenjtë i një shoqërie. Edukimi e trajnimi i një mjeku në Evropë kushton mes 200.000 – 500.000 €, e më pastaj mbrojtja dhe përmirësimi i shëndetit të popullatës që e shton produktivitetin e saj e bën profesionin apo profesionistin mjekësor një prej aseteve më të mëdha të shtetit.

Paramendojeni shpëtimin e një jete njeriu. Paramendojeni koston që vije me një person të hendikepuar shkaku i mungesës së ndërhyrjes mjekësore në momentin e duhur… Dhe kur një popull e një shtet nuk i bën këto llogari atëherë këtu gjendet shpjegimi për ikjen e mantelbardhëve. Në Kosovë ka plot punëtorë shëndetësorë të papunë (mund të ju kujtohen edhe protestat e specialistëve të papunë), kurse ata që janë të punësuar vlerësohen sa një shërbyes civil në një ofiçinë të panevojshme. Madje edhe koeficientët e caktuar me ligjin e ri për pagat e barazojnë shkollimin superior 11 vjeçar të mjekësisë me atë 5 vjeçar të jurisprudencës, që është ofenduese dhe është reflektim i trajtimit që u bëhet mjekëve edhe nga vetë populli.

Rrjedhimisht vendi po ballafaqohet me eksodin e personelit shëndetësor. Janë rreth 500 mjekë që e kanë braktisur vendin (përfshirë ata që kanë marrë nënshtetësi të huaj), duke bërë që mosha mesatare e mjekëve në Kosovë të jetë rreth 55 vjeç. Unë nuk e njoh ndonjë koleg që mendon ta vazhdojë jetën në Kosovë. E vura spikamën tek mjekët, por po aq alarmuese është situata edhe me infermierët, në mos edhe më keq. Nëse ndodhë liberalizimi i vizave, atëherë do të na duhet të importojmë punëtorë shëndetësorë nga Afrika – nëse ata do të pranojnë.

GER: Ju jeni edhe aktivist i vjetër i Lëvizjes Vetëvendosje, më konkretisht asambleist në Kuvendin Komunal të Prishtinës. A besoni që subjekti juaj e ka një përgjigje për këtë problem?

A.Vokrri: Jam aktivist i Lëvizjes që nga themelimi, aktualisht edhe anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të saj, kurse për pozitën publike në Kuvendin Komunal u votova parvjet. Kam kontribuar edhe në përpilimin e pjesës programore të Lëvizjes për shëndetësi kur u shkrua Alternativa Qeverisëse. Natyrisht se si Lëvizje kemi përgjigje për problemet e shëndetësisë, dhe do ta kthjellojmë e pastrojmë rrëmujën e grumbulluar qe 20 vjet.

GER: …pikërisht, shëndetësia e ka vuajtur tranzicionin, si asnjë tjetër sektorë vend. VV-ja kurrë nuk e ka pasur pushtetin qendror, prandaj edhe nuk është përgjegjëse për sa i përket asaj që cilësohet si degradim i sistemit. Si do të rregullohet ky problem nëse veç bëhet që qeveria e ardhshme të udhëhiqet nga subjekti juaj?

A.Vokrri: Në thelb, një organizim më i mirë i shërbimeve shëndetësore, eliminimi i korrupsionit, sigurimi i dinjitetit të punëtorit shëndetësor, rritja e buxhetit për shëndetësi përbëjnë pikat kyçe për rritjen e satisfaksionit të infermierëve, mjekëve, farmacistëve dhe profesionistëve tjerë që kujdesen për shëndetin e shoqërisë.

Në qendër të projekteve do të jenë ndërtimi i Sistemit Informativ Shëndetësor ku fatkeqësisht qeveritë e deritashme me bashkëpunëtorë i kanë vjedhë mbi 30 € milionë donacione pa e bërë asnjë punë, dhe funksionalizimi i sistemit të sigurimeve shëndetësore ku po ashtu qeveria po i harxhon 8 milionë në vit pa e bërë as edhe një punë. Koeficientët e vlerësimit të profesioneve mjekësore duhet të korrigjohen, pra të rriten dhe të jenë më të drejtë në raport edhe me njëri-tjetrin e edhe në raport me profesionet jo-mjekësore. Ne synojmë edhe ta forcojmë organizimin sindikal të punëtorëve shëndetësorë në mënyrë që edhe kur të mos jemi ne në pushtet, ata ta kenë një mekanizëm të fuqishëm për t’i mbrojtur interesat e tyre.

GER: Po flitet rreth një koalicioni të mundshëm parazgjedhor ndërmjet LDK-së dhe VV-së, sa ka gjasa të ndodh ky akt, tash në rrethanat e reja, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt?

A.Vokrri: Për atë koalicion është folur që nga koha para zgjedhjeve të kaluara, kur edhe patëm formuar grupe të përbashkëta punuese për të harmonizuar pikat programore të qeverisë të cilën synonim ta bënim.

Qëndrimi i Lëvizjes nuk ka ndryshuar. Përkundër dallimeve serioze në konceptet politike, mendojmë se një koalicion VV-LDK do të ishte zgjidhja më e mirë, në mos e vetme për këtë periudhë. Ne kemi vijë të kuqe për PDK-në dhe nuk kemi ndonjë simpati të veçantë për subjektet tjera të qeverisë në ikje. Shkatërrimi i vendit nga partitë që thirren në luftën çlirimtare do të duhej të ndërpritej nga një koalicion ndryshe, ku ndershmëria, guximi e ekspertiza do ta lironin shtetin nga kapja aktuale dhe do të çanin rrugën për zhvillim ekonomik e të gjithëmbarshëm.

Fatkeqësisht LDK jo rrallë duket shumë konfuze dhe ende jemi pa përgjigje.

GER: VV-ja shpesh është cilësuar si një subjekt i kontaminuar nga “neomarksizmi”, sa është i qëndrueshëm ky cilësim?

A.Vokrri: Njëkohësisht jemi cilësuar edhe të kontaminuar nga “islamizmi”. Ne jemi organizatë me bindje social-demokrate, e para nga partitë serioze në Kosovë që është profilizuar kësisoj, pra i takojmë qendrës së majtë. Teoria marksiste për të gjitha lëvizjet e majta mund të jetë vetëm një nga burimet e pikëpamjeve të cilat i nënshtrohen kritikës kontekstuale, dhe jo një dogmë. Në Lëvizje i mirëpresim edhe neomarksistët nëse do të donin të kontribuonin, e madje edhe të djathtit, por me kushtin që veprimtaria e tyre të jetë në përputhje me programin tonë.

GER: Krejt për fund, si mendoni ju, për çka ka nevojë më së shumti shoqëria jonë?

A.Vokrri: Edukim, besim, moral, shpresë, veprim.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit