6.7 C
Pristina
Tuesday, October 15, 2024

Zgjedhjet në Amerikë, ethet në të gjithë botën

Më të lexuarat

 

Viti 2024 është viti i zgjedhjeve. Në katër kontinente të botës, në mbi 30 vende të ndryshme që në shkëmbimet ekonomike e tregtare mes tyre realizojnë dy të tretat e ekonomisë globale, rreth 2.5 miliardë njerëz janë thirrur të votojnë më 2024. Nga Tajvani, në Rusi, Indi, Afrikën e Jugut, Bashkimin Evropian dhe në ShBA, banorët do t’u drejtohen kutive të votimit për të përcaktuar me votë lidershipin politik që do t’i drejtojë në katër vitet e ardhshme.

E fundit në kalendarin vjetor të këtyre votimeve, por aspak e fundit për nga rëndësia, është zgjedhja e presidentit të ShBA-së. E gjithë vëmendja e opinionit publik, mediave, politikës, biznesit, ka kohë që është fokusuar tek ecuria para zgjedhore, mesazhet e kandidatëve, parashikimet për ecurinë e garës dhe projeksionet për të ardhmen. Kjo edhe për faktin se nga rezultati i zgjedhjes do të vendoset për politikat e ShBA-së në disa linja delikate, ku prania e tyre është jetike si në angazhimin në kuadër të NATO-s, në Tajvan, në Lindjen e Mesme, në konfliktin në Gazë, në Ukrainë, në problemet e emigrimit, marrëveshjeve të tregtisë, të mjedisit e deri tek angazhimi i saj në ruajtjen e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.

Kur kanë mbetur edhe tetë muaj nga dita e votimit, gjasat janë të kemi një ripërballje mes dy kandidatëve të katër vite më parë. Vetëm se këtë herë me pozicione të ndryshuara. Pavarësisht se po shkohet drejt kësaj përballjeje, sondazhet e fundit tregojnë se 70 përqind e amerikanëve nuk duan që as Biden dhe as Trumpi të konkurrojnë për Shtëpinë e Bardhë. Pavarësisht kësaj preference të amerikanëve, demokratët nuk kanë ndonjë figurë tjetër përveç Bidenit për garën për Shtëpinë e Bardhë.

Këtë e pranon edhe vetë presidenti në një takim elektoral në Boston, ku deklaron: “Nëse Trump nuk do të kandidonte, unë nuk jam i sigurt nëse unë do të rikandidoja, por ne nuk mund ta lemë atë të fitojë”. Po kështu, edhe republikanët të paktën deri tani me më shumë se 60 përqind të tyre preferojnë që të garojë ish-presidenti Trump.

Por, nëse Trumpi ka katër vite që nuk qeveris dhe gjatë kësaj kohe ka qenë më tepër i angazhuar me proceset gjyqësore kundër tij, Bideni ka bilanc qeverisjeje që mund të analizohet dhe të nxirren konkluzionet. Gjatë presidencës së tij, Bideni, presidenti më i moshuar në historinë e ShBA-së, tashmë 81 vjeç, i është dashur të përballet me shumë vështirësi, para se gjithash në politikën e jashtme, në krahasim me paraardhësin e tij. Këto konflikte kanë pasur ndikimin e tyre para së gjithash edhe në një ekonomi të fuqishme si ajo amerikane.

Me gjithë këto pengesa …

Disa nga pikat më të forta të administratës së tij përmenden se janë: në gjashtë mujorin e fundit të 2023 u vu re një rritje ekonomike me rreth pesë përqind, mesatarja e pagave është më e lartë se gjatë pandemisë, ndërsa papunësia njeh një nga nivelet më të ulëta qysh nga vitet 1950 me vetëm 3.8 përqind. Në dhjetor u vu re një ulje e ndjeshme e inflacionit krahasuar me muajin qershor. Pikë tjetër e fortë e presidentit Biden është se ai arriti të stabilizojë marrëdhëniet me aleatët që pësuan goditje gjatë presidencës Trump.

“Ne arritëm të rindërtojmë aleancat tona që Trump i dëmtoi aq keq në të gjithë botën”, deklaroi Biden nga Bostoni. Por, dihet që qeverisja bart në vetvete kosto, të cilat edhe mund të kenë ndikimin e tyre në rezultatin e votimit në nëntor. Bideni jo në pak raste është kritikuar për dështime dhe mosmbajtje premtimesh.

Përveç angazhimit në Ukrainë që ka një perceptim paksa pozitiv, në fushat e tjera vlerësimet janë negative, si në ekonomi, në politikën e jashtme në tërësi, luftën në Gazë si dhe situatën në kufirin me Meksikën. Kritika ka pasur edhe në lidhje me menaxhimin e situatës së inflacionit që në dy vitet e fundit ka arritur ndër nivelet më të larta në historinë e ShBA-së. Emigracioni i paligjshëm ka qenë gjithashtu një fenomen të cilin administrata e tij nuk arriti asnjëherë ta vërë nën kontroll. Vetëm gjatë muajit dhjetor kanë hyrë ilegalisht 250 mijë emigrantë në ShBA. Po kështu, angazhimi në mbështetje të Izraelit dhe pavendosmëria për t’i dhënë një zgjidhje sa më të shpejtë konfliktit në Gazë, ka lëkundur mbështetjen e Bidenin te votuesit myslimanë që jetojnë në ShBA. Sipas asaj që raporton Fox News, “amerikanët arabë dhe myslimanë kanë refuzuar të takojnë drejtuesin e fushatës së Bidenit në një shtet kyç për zgjedhjet e ardhshme. Arabët në Miçigan thonë se ata nuk do ta mbështesin Presidentin Biden deri në momentin që ai do t’i bëjë thirrje Izraelit të ndalojë luftimet”.

Gjithashtu, edhe mënyra sesi janë menaxhuar problematikat që kanë të bëjnë me rininë, komunitetet hispanike dhe afro-amerikane, i kanë lënë këto grupe sociale të pakënaqur me administratën Biden, duke shpënë në rënien e numrit të mbështetësve të tij. Në këtë situatë të ngarkuar për administratën Biden, si brenda dhe jashtë vendit, po zhvillohen primaret republikane.

Me fitoren në Nju-Hempshër pak ditë më parë ndaj sfidantes Nikki Haley, tashmë është hapur rruga për një ripërballje në nëntor mes Bidenit dhe Trumpit. Me një mbështetje që varion tek 60 përqind të elektoratit republikan, Donald Trump pritet të marrë nga konventa kombëtare republikane mandatin për të qenë kandidati i tyre për president.

Pse trembet bota nga Trumpi?

Një riardhje e Trumpit në krye të ShBA-së, vlerësohet nga shumë media dhe politikanë si brenda dhe jashtë ShBA-së, jo shumë pozitivisht, madje në disa raste si sfidë shumë e vështirë për shkak të së kaluarës së tij dhe premtimeve që vazhdon të bëjë në rast rizgjedhjeje. Revista e njohur britanike The Economist, në faqen e saj të parë të datës 16 nëntor 2023 shkruan: “Donald Trump përbën rrezikun më të madh për botën në 2024”. Edhe gjermanët, nisur nga eksperienca e vështirë e marrëdhënieve dypalëshe gjatë presidencës së Trump, e shohin me shqetësim një rizgjedhje të tij. “Në Berlin po përgatiten për më të keqen”, shkruhet në revistën më të madhe gjermane Der Spiegel. Por kundër rikandidimit të Trumpit janë edhe figura shumë të njohura republikane. Ndër ta mund të përmenden ish-presidenti George W Bush e deri tek ish-zëvendëspresidentët Dick Cheney apo Mike Pence. Për ta është e papranueshme që republikanët të përfaqësohen nga një politikan mbi të cilin rëndojnë akuza penale dhe që ka disa çështje ende të pazgjidhura me drejtësinë, pavarësisht se ai këto procese i konsideron si të motivuara politikisht. Një ndër konservatoret më kritike ndaj kandidaturës se Trumpit është ish-kongresmenia republikane Liz Cheney. Mes saj dhe Trumpit ka pasur replika shumë të ashpra në distancë. Ajo në deklaratat e saj ka qenë shumë e drejtpërdrejtë duke thënë se “… me daljen e tij si favorit për t’u nominuar nga republikanët për president, ShBA-ja po ecën symbyllur drejt diktaturës…”!

Po cilat janë arsyet që kaq shumë media, politikanë, analistë, e shohin me kaq skepticizëm, madje në disa raste me frikë një rikthim të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë. Qysh në daljet e para kur Trumpi vendosi të rikandidojë për postin e presidentit, retorika e tij ndaj kundërshtarëve politikë, institucioneve të rëndësishme vendase dhe të huaja, ka qenë e mbushur me kërcënime, shantazhe, premtime ekstreme, dhunë verbale. 2024-ën ai e konsideron si “viti i betejës finale”.

“Ose ata fitojnë, ose ne fitojmë. Dhe nëse ata fitojnë, ne nuk kemi më një vend”. Kur e dëgjon, të duket si pjesë nga Bibla që të kujton ditën e gjykimit dhe betejën finale të Armagedonit. Ndaj kundërshtarëve ai shpeshherë përdor termin “parazitë” dhe zotohet se në rast fitoreje “do të kërkojë ndëshkim për kundërshtarët politikë”, pasi e ndjen veten të persekutuar politikisht prej tyre. Ndaj këtij etiketimi për kundërshtarët ka reaguar në editorialin e saj The Washinton Post, duke i quajtur ato si “të ngjashme me të diktatorëve Hitler dhe Musolini”.

Përpos asaj që lidhet me ato fakte të ditura mbi eksperiencën e administratës së parë Trump, si në politikën e brendshme, ashtu edhe në atë të jashtme, ajo që shqetëson, tremb dhe që konsiderohet deri në një “tërmet” nga shumë politikanë dhe analistë, është retorika, premtimet dhe vizioni që ka ai për politikën e brendshme dhe të jashtme në rast rizgjedhjeje. Edhe pse ende nuk ka një program të detajuar elektoral, është e qartë se dokumenti ku ai do të mbështetet në fushatën elektorale, por në rast fitoreje edhe si program qeverisës, është përgatitur nga think-tanku i njohur konservator The Heritage Foundation dhe quhet Project 2025. (Ky program mund të gjendet ‘online’ https:// www.project2025.org/)

Në politikën e brendshme ai dhe mbështetësit e tij nisen nga premisa se vendi është në kaos dhe kërkon një politikan të fortë për ta mbrojtur atë. Sipas tij, ShBA-ja nuk është më shtet normal, por një “deep state” (shteti hije), një koncept ky që zakonisht bën pjesë te teoritë konspirative. Realitetin amerikan Trumpi e konsideron si “kënetë”. Një përcaktim i saktë i konceptit “shteti hije” gjendet në Merriam Webster që e vlerëson si: “Një rrjet i supozuar sekret i zyrtarëve qeveritarë të pazgjedhur dhe nganjëherë subjekteve private (si në shërbimet financiare dhe industritë e mbrojtjes) që operojnë në mënyrë ekstralegale për të ndikuar dhe miratuar politikat e qeverisë”. Sipas Trumpit, ShBA-ja nuk qeveriset nga ata që janë zgjedhur, por nga njerëz të fuqishëm që qëndrojnë në prapaskenë në administratë, drejtësi, financa, polici, shërbimet sekrete, ushtri, të cilët manipulojnë dhe kontrollojnë politikat qeveritare në interes të tyre dhe të disa politikanëve kryesorë. Për të, rrugëdalja nga ky shtet i kapur është implementimi i së ashtuquajturës “Schedule F”, që synon riformatimin e administratës sipas vizionit trampist. Këtë urdhër ekzekutiv për administratën, Trumpi e ka dekretuar fillimisht pak ditë para se të humbte zgjedhjet më 2020, por që u shfuqizua menjëherë nga Bideni sapo erdhi në pushtet. Trumpi premton se në rast rizgjedhjeje do ta kalojë sërish për miratim si një ndër dekretet e tij të para. Në thelb kjo nënkupton largimin nga pozicionet administrative të rëndësishme të punonjësve të administratës publike, duke i zëvendësuar ata me besnikë të presidentit.

Pra, politizimi i administratës publike, përmes largimit nga puna të atyre që nuk kanë të njëjtin qëndrim me atë zyrtar dhe zëvendësimi i tyre me militantë dhe besnikë partiakë në shërbim të numrit një të shtetit – duke dëmtuar kështu profesionalizmin dhe shmangur llogaridhënien. Një ndër synimet kryesore të këtij dekreti është të vë institucione të tilla si p. sh., Departamentin e Drejtësisë, në shërbim të presidentit duke prishur balancat e pavarësisë së pushteteve.

Një tjetër premtim i tij është ai që lidhet me miratimin e menjëherë të të ashtuquajturit “insurrection act” (ligji në rastin e protestave). Një dekret ky që i jep të drejta ligjore presidentit të dislokojë ushtrinë brenda vendit në rastet kur ka protesta për t’i shtypur apo shpërndarë ato. Në një analizë në The New York Times-it lidhur me këtë akt dhe rrezikun që ai mund të bartë, pasi anashkalon përgjegjësitë ligjore vendimmarrëse të Kongresit dhe mekanizmave institucionalë të përcaktuar në ligj në rastet e protestave, analistët Bob Bauer dhe Jack Goldsmith shkruajnë: “Akti për protestat është një statut federal shekullor i rrezikshëm, i cili autorizon presidentin, me pak kufizime, të dislokojë ushtrinë brenda ShBA-së për të shtypur kërcënimet që presidenti i percepton si rrezik për rendin kushtetues”.

Analistët dhe politikanët janë të shqetësuar se përmes miratimit të këtij akti, Trumpi do të godasë në radhë të parë kundërshtarët politikë dhe çdo revoltë që mund të shpërthejë kundër politikave të tij qeverisëse. Një pikë tjetër, që nga shumë konsiderohet e rrezikshme, ksenofobe, madje dhe raciste, është qëndrimi edhe më i ashpër i Trumpit lidhur me çështjen e emigracionit. Në një takim elektoral në një qytet të shtetit Ajova, Donald Trumpi deklaroi: “Nëse ne lejojmë të hyjnë dhe jetojnë tek ne 15-16 milionë të huaj, atëherë ata helmojnë gjakun e vendit tonë”.

Shumë të ashpra kanë qenë reagimet për deklarata të tilla. Një prej tyre ka qenë ajo e kongresmenit demokrat nga Kalifornia, Robert Garcia, i cili e konsideron retorikën e Donald Trumpit mbi emigracionin si “reminishenca të fjalimeve të Adolf Hitler”. Edhe përfaqësues të lartë republikanë në Kapitol Hill u shprehën të pakënaqur me deklaratat e Donald Trumpit. Këto qëndrime ekstreme mbi emigracionin kanë bërë që shumë ta konsiderojnë atë diktator. A je vërtet diktator e pyetën gazetarët? Trump u përgjigj: “Jo, jo, jo, përveç ditës së parë. Ne do të mbyllim kufirin, pas kësaj dite unë nuk jam më diktator”. Trump ka premtuar se në rast fitoreje, ai do t’i grumbullojë emigrantët në qendrat pranë kufirit dhe do të miratojë ligjin që kërkesa për emigrim të përpunohet për disa ditë ose javë dhe paskëtaj, të gjithë ata që nuk plotësojnë kriteret do të përzihen nga vendi. Një vend të rëndësishëm në narrativën e tij politike zë dhe ajo që lidhet me dhënien e nënshtetësisë amerikane për të lindurit në ShBA. Ai premton se do ta ndryshojë këtë ligj dhe nënshtetësinë do të kenë mundësi ta fitojnë vetëm ata fëmijë që kanë njërin nga prindërit me shtetësi amerikane, ose në rastin kur prindërit kanë një kohë të gjatë që jetojnë e punojnë në ShBA. Edhe shtetasve që vijnë nga vendet ku mbizotëron feja myslimane, në rast fitoreje të Trumpit, do t’u refuzohet në shumicë e drejta e hyrjes në ShBA. “Nëse ulem në zyrën Ovale, do të filloj menjëherë ‘kontrollin ideologjik’ për të gjithë emigrantët dhe do të ndaloj ata që simpatizojnë Hamasin dhe ekstremistët myslimanë”.

Gjatë presidencës së tij të parë, Trumpi nxori ShBA-në nga Konferenca e Parisit për mbrojtjen e klimës. Sapo erdhi në pushtet, Bideni e rifuti përsëri ShBA-në në këtë marrëveshje dhe është në rrugën e ndërmarrjes së nismave dhe politikave, së bashku me vendet anëtare të konferencës, për uljen e nivelit të emetimeve të dioksidit të karbonit nga ana e fuqive të mëdha. Bideni ka premtuar se deri në fillim të 2030, gjysma e automjeteve që do të qarkullojnë në ShBA do të jenë nga ato që nuk emetojnë gazra. Por, Trumpi premton se në rast rizgjedhjeje, ai do të nxjerr sërish ShBA-në nga Konferenca e Parisit, ndërkohë që do të subvencionojë me buxhetin federal kompanitë amerikane për nxjerrjen përpunimin dhe prodhimin e lëndëve djegëse për industrinë dhe automjetet, duke synuar të rrisë pavarësinë e ShBA-së në këtë sektor. Një qëndrim ky që ka shqetësuar të gjithë komunitetin ndërkombëtar, kur dihet se Kina dhe ShBA-ja janë ndotësit më të mëdhenj mjedisorë në botë.

Një Amerikë që sheh punët e veta?

Por, ajo që ka ngjallur shqetësim te partnerët ndërkombëtarë lidhet me qëndrimet e deklaruara nga ish-presidenti Trump në fushën e politikës së jashtme, nëse ai zgjidhet president. Siç duket, Trumpi nuk do t’u largohet qëndrimeve të tij izolacioniste dhe proteksioniste në politikën e jashtme. Së pari, ka të bëjë me angazhimin amerikan ndaj krijesës së saj të sigurisë, NATO-s. Çështja e marrëdhënieve ShBA-NATO gjatë periudhës së presidencës Trump ka qenë e vështirë dhe shpeshherë e tensionuar. Bideni arriti t’i normalizojë marrëdhëniet, por deklaratat e kohëve të fundit të Trumpit po e rikthejnë edhe njëherë pështjellimin për të ardhmen e aleancës. Trumpi i është rikthyer idesë së tij se nëse vendet anëtare nuk shpenzojnë dy përqind të GDP së tyre për mbrojtjen, atëherë nuk përjashtohet mundësia për të nxjerrë ShBA-në nga NATO-ja. Ai gjithashtu deklaron se në rast se një vend anëtar i Aleancës do të sulmohet, ShBA-ja nuk do të ndërhyjë, duke shkelur kështu nenin 5 të Aleancës (sulmi kundër një vendi konsiderohet sulm ndaj të gjithë Aleancës) që është dhe shtylla kurrizore dhe motivi kryesor i krijimit të saj.

Së dyti, në fushën e marrëdhënieve ekonomike, Trumpi vazhdon të mbrojë idenë proteksioniste se me ardhjen e tij në pushtet, ai do të vendosë një tarifë të re doganore prej 10 përqind për të gjitha mallrat që ShBA-ja importon. Por, shumë specialistë dhe analistë mendojnë se një politikë e tillë doganore jo vetëm që nuk do sjellë dobi për ekonominë amerikane, por përkundrazi ajo do të ketë pasoja negative. Profesori dhe ish-ministri i Punës në administratën Clinton shkruan në faqen e tij në Facebook se “Trumpi e konsideron ekonominë si një lojë me shumën zero (zero sum game) ku vetëm Amerika fiton ndërsa kombet e tjera humbasin. Kjo lojë e Trump është e gabuar dhe e rrezikshme”. Ndërkohë që një think-tank i qendrës së djathtë (American Action Forum) thotë që plani i tij do të “deformonte tregtinë globale, do të dekurajonte aktivitetin ekonomik dhe do të kishte pasoja të gjëra negative për ekonominë e ShBA-së”.

Së treti, me shumë interes po ndiqet gara për në Shtëpinë e Bardhë edhe nga shtetet e tjera me peshë në arenën ndërkombëtare. Për Pekinin, të dy kandidatët, sipas AP-së, janë “kupa me helm”. Pavarësisht përpjekjeve të kohëve të fundit për përmirësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, sërish për Kinën duket se Trumpi është më i pranueshëm për faktin e qasjes së tij proteksioniste në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke nënkuptuar se ai nuk do të jetë kaq shumë i angazhuar të paktën ushtarakisht siç po bën Biden së bashku me aleatët e tij perëndimorë në mbrojtje të ishullit të Tajvanit. Për Moskën, sipas zëdhënësit të Kremlinit, Dimitry Peskov, “Putini dëshiron një president amerikan i cili është ‘më tepër konstruktiv’”.  Vetë kjo deklaratë tregon një preferencë të nënkuptuar për kandidatin republikan. Edhe vetë Trumpi gjatë fushatës së tij e ka cituar disa herë Putinin teksa ky i fundit ka deklaruar se “paditë penale ndaj ish-presidentit tregojnë ‘kalbësinë e sistemit politik amerikan’”.

Në fund të fundit, fushata për presidentin e ShBA-së sapo ka nisur dhe zhvillimet mund të sjellin të papritura. Por, ajo që duket se në masën më të madhe e kristalizuar është përcaktimi i kandidatëve që do të konkurrojnë në finalen për Shtëpinë e Bardhë, pikërisht Biden vs Trump. Nëse po, a do të kemi në nëntor ripërsëritjen e historisë së para 130 viteve kur presidenti Glover Cleverland u ul për herë të dytë në Shtëpinë e Bardhë pas një mandati të humbur më parë? Të gjitha pyetjet e momentit do të fillojnë të davariten me kalimin e ditëve dhe muajve deri në ditën e votimit, ku amerikanët do të zgjedhin të vazhdojnë të qeverisen nga Biden apo do të zgjedhin një rrugë të re plot sfida të brendshme dhe të jashtme, por që pritet të japin efekte që mund të riformatojnë aleancat, armiqësitë dhe marrëdhëniet e reja në nivel global.

Agron Loci

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit