15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Zbritja e sures Fatiha – Dobitë dhe rëndësia e Fatihasë

Më të lexuarat

Zbritja e sures Fatiha

Surja Fatiha ka zbritur në Mekë. Kështu ka thënë Ibn Abasi, Katade dhe Ebu Alije. Kështu, ajo konsiderohet si sure mekase. Kanë thënë, gjithashtu, se është sure medinase, ashtu siç kanë thënë gjithashtu se ka zbritur dy herë, fillimisht në Mekë, dhe pastaj në Medinë.

Dobitë dhe rëndësia e Fatihasë

Nuk ka shpallur Allahu i Lartësuar as në Teurat, as në Ungjill, as në Zebur dhe as në Furkan si surja Fatiha.

Imam Ahmed Ibn Hanbeli, – Allahu e mëshiroftë! – sjell thënien nga Ebu Hurejra: 10 “Një ditë, Profeti doli për vizitë tek Ubej Ibn Keabi dhe e gjeti atë duke falur namaz. Ai i thirri: “O Ubej!” Ubeji ktheu kokën, por nuk iu përgjigj Profetit. Profeti përsëri i foli dhe i tha: “O Ubej!” Atëherë, Ubeji e fali shpejt namazin dhe shkoi tek Profeti dhe i tha: “Es-selamu alejke, o Profet i Allahut!” Profeti tha: “Ue alejkes-selam! Çfarë të pengoi të më përgjigjeshe kur të thirra, o Ubej?” Ai tha: “O Profeti i Allahut, unë isha duke falur namaz.” Profeti tha: “A nuk e di ti atë që më është shpallur mua: “…përgjigjuni Allahut dhe Profetit kur ju ftojnë në atë që ju jep jetë!”? Ubeji tha: “Po, o Profeti i Allahut, dhe nuk kam për ta përsëritur këtë gabim!” Profeti pastaj i tha: “A dëshiron të të tregoj për një sure, që nuk ka të ngjashme me të as në Teurat, as në Ungjill, as në Zebur dhe as në Furkan?” “Po, o Profeti i Allahut.” Profeti i tha: “Unë shpresoj që, pa dalë nga kjo derë, ta mësosh cila është ajo sure.”. Ubeji thotë: “Profeti më kapi për dore dhe po më fliste, kurse unë ngadalësoja hapin nga frika se do të mbërrinim tek porta pa përfunduar fjalën Profeti. Kur u afruam afër portës, i thashë: “O Profet i Allahut, cila është surja që më premtove të më tregoje?” Ai tha: “Çfarë lexon në namaz?” Unë i lexova Ummul Kur’an (Fatihanë).” Atëherë, Profeti a.s tha: “Betohem në Atë në Dorë të të Cilit është shpirti im, se Allahu i Lartësuar nuk ka shpallur as në Teurat, as në Ungjill, as në Zebur dhe as në Furkan si surja Fatiha. Ajo është Shtatëshja që përsëritet.” Këtë hadith e ka sjellë edhe Tirmidhiu, që shton: 11 “… Ajo është Shtatëshja që përsëritet, është Kur’ani madhështor, që m’u dha.” Tirmidhiu shton se ky është hadith hasen sahih.

Imam Ahmed Ibn Hambel, – Allahu e mëshiroftë! – shënon në Musnedin e tij hadithin e Ebu Seid el Mual-lâ (Allahu qoftë i kënaqur prej tij!): 12 “Unë isha duke falur namaz, kur Profeti më foli. Unë nuk iu përgjigja, derisa e mbarova namazin. Kur i shkova, ai më tha: “Çfarë të pengoi të vish tek unë?” – “O i Dërguari i Allahut, unë isha duke falur namaz.” Ai tha: “Po a nuk ka thënë Allahu i Madhëruar: “O ju që keni besuar! Përgjigjjuni Allahut dhe të Dërguarit të Tij, kur ju ftojnë në atë që ju jep jetë!”? Pastaj tha: “Kam për të ta mësuar më madhështoren sure që gjendet në Kur’an para se të dalësh nga xhamia.” Atëherë, ai më kapi për dore dhe kur po bëhej të dilte nga xhamia, i thashë: “O i Dërguari i Allahut, po ti më the që do të të mësoj më madhështoren sure që gjendet në Kur’an?” Ai më tha: “Po, ajo është: El ĥamdu lil-lâhi Rab-bil âlemin”. Ajo është ‘Shtatëshja që përsëritet’ dhe Kur’ani madhështor.’ Kështu e ka sjellë këtë hadith edhe Imam Buhariu, Ebu Daudi, Nesaiu dhe Ibn Maxhe me rrugë të ndryshme transmetimi.

Fatihaja dhe fundi i sures Bekare janë dy drita, të cilat nuk i janë dhënë kurrë asnjë profeti tjetër para Profetit tonë.

Në Sahihun e Muslimit dhe në Sunenin e Nesaiut shënohet hadithi prej Ibn Abasit r.a., që ka thënë: 13 “Një ditë, Profeti a.s ishte ulur me Xhibrilin, kur dëgjuan një zhurmë që vinte nga sipër. Xhibrili ngriti shikimin drejt qiellit dhe tha: “Sot u hap një portë e qiellit, që nuk është hapur kurrë më parë.” Prej saj – rrëfen Ibn Abasi – zbriti një melek tek Profeti dhe i tha: “Gëzohu! Vërtet ty të janë dhuruar dy drita, të cilat nuk i janë dhënë kurrë asnjë profeti tjetër para teje: Fatihaja dhe fundi i sures Bekare. Çdo gërmë që ke për të lexuar prej atyre të dyjave ka për të t’u dhënë.” Ky është teksti i sjellë nga Nesaiu. Edhe Muslimi e ka sjellë të ngjashëm me të.

Muslimi sjell hadithin e Ebu Hurejrës, – Allahu qoftë i kënaqur prej tij! – që tregon: “E kam dëgjuar Profetin të thotë: 14 “Kush fal namaz pa lexuar në të Ummul Kur’an (Themelin e Kur’anit), e ka namazin ħadâxh (jo të plotë) – tri herë.” Dikush i tha Ebu Hurejrës: “Po kur ne falemi pas imamit?” Ebu Hurejra tha: “Lexoje në veten tënde, sepse unë e kam dëgjuar Profetin të thotë: “Allahu i Lartësuar ka thënë: “Unë e kam ndarë namazin në dy gjysma, dhe adhuruesit Tim do t’i jepet ajo që kërkon: “Kur adhuruesi thotë: El ĥamdu lil-lâhi Rab-bil âlemîn (Lavdërimet i qofshin plotësisht dhe vetëm Allahut, Zotit të botëve!), Allahu thotë: “Më lavdëroi dhe falënderoi adhuruesi im!”. Kur adhuruesi thotë: Er-Raĥmânir-Raĥîm të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit, Allahu thotë: “Më përlëvdoi shumë adhuruesi Im”. Kur adhuruesi thotë: Mâliki jeumid-dîn (Sunduesit të Ditës së Gjykimit), Allahu thotë: “Më lartësoi e madhëroi Mua adhuruesi Im”. Ose tha: “M’i besoi Mua adhuruesi Im të gjitha punët e tij.” Kur adhuruesi thotë: Ijjâke nea’budu ue ijjâke nesteaîn (Vetëm ty të adhurojmë dhe vetëm tek Ti ndihmë kërkojmë), Allahu thotë: Kjo është mes meje dhe adhuruesit Tim dhe adhuruesit Tim do t’i jepet ajo që kërkon. “Kur adhuruesi thotë: Ihdinaŝ-ŝirâţal musteķîm. Sirâţal-ledhîne enamte alejhim ĝajril maĝđûbi alejhim ue leđ-đãl-lîn. (Na udhëzo në rrugën e drejtë. Në rrugën e atyre të cilët i begatove, jo në rrugën e atyre që merituan zemërimin dhe as në rrugën e të humburve!)”, Allahu thotë: “Këto janë për adhuruesin Tim, dhe adhuruesit Tim do t’i jepet ajo që kërkon”.” Kështu e ka sjellë Nesaiu.

Leximi i Fatihasë gjatë namazit

Për këtë çështje janë dhënë tri mendime:
1. Leximi i Fatihasë është detyrë për imamin, për xhematliun dhe për atë që falet vetëm. Kjo është ajo që tregojnë përgjithësisht hadithet e sjella në këtë temë. 15. “Nuk ka namaz për atë që nuk lexon Fatihanë”. 16 “Ai që fal një namaz dhe nuk lexon në të Ummul Kur’anin, ai namaz është ħadâxh (jo i plotë).” 17 “Nuk vlen një namaz në të cilin nuk lexohet Ummul Kur’an-i.” Ky është mendimi ekzistues i Shafiut (Allahu e mëshiroftë!).

2. Anëtari i xhematit nuk e ka detyrë që të lexojë as Fatihanë dhe as ndonjë sure tjetër, as në namazet me zë e as në ato pa zë. Për këtë tregon hadithi i sjellë nga imam Ahmed Ibn Hambel, nga Xhabir Ebu Abdilah, nga Profeti që ka thënë: 18 “Ai që falet me imam, leximi i imamit është edhe lexim për të.” Por në senedin e këtij hadithi ka dobësi. Maliku transmeton nga Uehb Ibn Kejsan, nga Xhabiri se kjo është prej fjalës së Xhabirit e jo nga Profeti a.s. Ky hadith është sjellë përmes rrugësh të ndryshme, por asnjëra nga ato nuk është e saktë. Allahu është më i ditur për gjithçka.

3. Leximi i Fatihasë është detyrë për anëtarin e xhematit në namazet pa zë, e nuk është detyrë në namazet me zë. Për këtë tregon hadithi i sjellë në Sahihun e Muslimit, nga Ebu Musa el Eshariu, i cili tregon tregon Profeti i Allahut ka thënë: 19 “Imami është vendosur që të udhëhiqeni pas tij. Kur ai bën tekbir, bëni dhe ju tekbir dhe kur ai të lexojë, atëherë heshtni!” Hadithi vazhdon. Edhe autorët e Suneneve, Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu dhe Ibn Maxheh, sjellin hadithin e Ebu Hurejrës, se Profeti a.s ka thënë: 20 “… kur të lexojë imami, heshtni!”. Këtë hadith e ka gjykuar si sahih imam Muslimi. Këto dy hadithe tregojnë për saktësinë e këtij mendimi. Në fakt, ky është edhe njëri nga mendimet e hershme të imam Shafiut (Allahu e mëshiroftë!).

SHKEPUTUR NGA “MUHTESAR TEFSIR IBNI KETHIR” I SHEJH MUHAMED NASIB EL RIFAIJ

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit