5.5 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

EMRAT E SURES EL FATIHA

Më të lexuarat


– “El Fâtiĥa” – Domethënë, Hapësja ose Çelësi, sepse lexuesi i Kur’anit e hap leximin apo shkrimin e Kur’anit me suren Fatiha. Po me suren Fatiha hapet edhe leximi i Kur’anit në namaz.

– “Ummul Kur’an ”- “Themeli i Kur’anit” dhe “Ummul Kitab”- “Themeli i Librit”. Umm quhet çdo gjë që është themel dhe që çdo gjë tjetër ndërtohet mbi të. Kështu, Fatihaja është themeli i Kur’anit dhe çdo gjë ndërtohet mbi të. Të gjitha kuptimet e mesazhet e Kur’anit kthehen në përmbajtjen e kësaj sureje.

– “El Seb’ul Methânij” (Shtatëshja që përsëritet) dhe “Kur’ani i madhërishëm”. Eshtë një hadith i saktë në Xhamiun e Tirmidhiut, që e ka gjykuar si të saktë, se Ebu Hurejra tregon se Profeti a.s ka thënë: 5 “El ĥamdu lil-lahi rab-bil âlemin është Ummul Kur’an, Ummul Kitâb, Es-Seb’ul Methâni dhe Kur’ani i madhërishëm.”

– Ajo quhet “El Hamdu” – “Lavdërimi” dhe “Es-Salâtu” – “Namazi. Në hadithin kudsij, që Profeti a.s e transmeton nga Allahu i Madhëruar, thuhet: 6 “Unë e kam ndarë namazin në dy gjysma. Kur adhuruesi thotë: El ĥamdu lil-lâhi Rab-bil âlemîn (Lavdërimet i qofshin plotësisht dhe vetëm Allahut, Zotit të botëve), Allahu thotë: “Më lavdëroi dhe falënderoi adhuruesi Im. …”.

– Gjithashtu, ajo quhet edhe “El Shifau”- “Shëruese”, sikurse ka ardhur ky përshkrim në hadithin e përcjellë nga Darimiu, nga Ebu Seidi, që përcjell nga Profeti a.s, që ka thënë: 7 “Hapësja e Librit është “Shifâun”, pra, shëruese për çdo helmim.”

– Fatihaja quhet edhe “Rukje” – domethënë, shërim përmes lutjeve, sipas hadithit të Ebu Seid Hudrij, kur ai i bëri rukje një burri të helmuar nga pickimi i akrepit. Kur e njoftuan Profetin a.s për këtë ngjarje, ai i tha Ebu Seidit: 8 “…ku e dije ti se ajo është rukje?!”

– Ajo quhet edhe “Esâsul Kur’an” – “Baza e Kur’anit”, sikurse tregon El Sha’biju se e ka quajtur Ibn Abasi, që më pas ka shtuar: “Baza e saj është Bismil-lâhir-Raĥmânir-Raĥim.”

– Sufjan Ibn Ujejne e ka quajtur këtë sure “Uâkijeh”, Mbrojtësja, ndërsa Jahja Ibn Ebu Kethir e ka quajtur “Kâfijeh”, e Mjaftueshmja, sipas disa haditheve mursele, ku thuhet: 9 “Umul Kur’an mund të zëvendësojë çdo sure tjetër, por asnjë tjetër nuk mund ta zëvendësojë atë.” Gjithashtu, ajo quhet Surja e Namazit ose edhe “El Kenz” “Thesari”, siç ka thënë Zemahsheriu në librin e tij El Keshaf.

Zbritja e sures Fatiha

Surja Fatiha ka zbritur në Mekë. Kështu ka thënë Ibn Abasi, Katade dhe Ebu Alije. Kështu, ajo konsiderohet si sure mekase. Kanë thënë, gjithashtu, se është sure medinase, ashtu siç kanë thënë gjithashtu se ka zbritur dy herë, fillimisht në Mekë, dhe pastaj në Medinë.

SHKEPUTUR NGA “MUHTESAR TEFSIR IBNI KETHIR” I SHEJH MUHAMED NASIB EL RIFAIJ

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit