Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas bisedimeve me serbët e Kosovës, mbrëmë nga Rashka bëri të ditur se barrikadat do të hiqen, por mosbesimi mbetet
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pas bisedimeve me serbët e Kosovës, mbrëmë nga Rashka bëri të ditur se barrikadat do të hiqen, por mosbesimi mbetet, raporton Anadolu Agency (AA).
“Heqja e barrikadave do të fillojë para mesditës, nuk mund të përfundojë për dy orë, a do të përfundojë për 24 apo 48 orë, barrikadat do të hiqen, por mosbesimi mbetet”, tha Vuçiq.
Ai deklaroi se kanë pasur biseda të vështira, por se kanë qenë shumë të sinqertë.
“Duhet të flasim dhe të përpiqemi të kthejmë besimin. Nuk kemi parë kurrë një rezistencë më të organizuar të popullit serb”, theksoi Vuçiq dhe u tha serbëve të Kosovës se ai dhe shteti do të jenë gjithmonë pranë tyre.
Në takimin me serbët e Kosovës, Vuçiq tha se kishte ardhur për t’i dëgjuar ata dhe se supozoi se do t’i paraqiteshin, siç tha, “kërkesa të pamundura” që do t’i dëgjonte dhe se si do që të jetë, do të qëndronte me ta.
Ai theksoi se të drejtat e tyre janë kërcënuar shumë në ditët e fundit. “Po, kjo është një fitore simbolike, por tani e kemi të shkruar qartë në letër se njerëzit nga barrikadat nuk do të ndiqen”, tha Vuçiq.
Presidenti serb tha se çdo ditë paqeje dhe stabiliteti që ata blejnë do të thotë më shumë jetë dhe më shumë mundësi për të ardhmen, duke shtuar se nuk sheh alternativë për këtë.
Për më shumë se dy javë serbët kanë bllokuar me makineri të rëndë rrugët në veri të Kosovës, për shkak të arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, i dyshuar për sulmin ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës. Disa ditë më vonë, Sllagjan Trajkoviç, një tjetër ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës, u arrestua dhe u akuzua për akte terroriste. Të dyve iu ishte caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Pantiqit të mërkurën iu zëvendësua masa e paraburgimit me arrest shtëpiak ndërsa Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës këtë vendim e ka arsyetuar me gjendjen e keqe shëndetësore dhe faktin se ai nuk mund të gëzojë të drejtat që i takojnë si i paraburgosur.
Gjatë takimit me serbët e Kosovës, Vuçiq ka deklaruar se Pantiq ka mbërritur në shtëpi.
Më 10 dhjetor, kur u vendosën barrikadat në rrugë, Policia e Kosovës mbylli dy pika kufitare në veri të Kosovës, Jarinje dhe Bërnjak, për lëvizjen e njerëzve dhe mallrave.
Arrestimeve dhe barrikadave u paraprinë incidente në veri të Kosovës për shkak të përgatitjeve të autoriteteve kosovare për mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komuna me shumicë serbe, të cilat më pas u shtynë për në prill të vitit të ardhshëm