9.1 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Vrasja e kreativitetit

Më të lexuarat

Nga: Dr Velid Fetihi

Vrasja e kreativitetit

Faqet e historisë i kanë gdhendur në mënyrë të paharrueshme emrat dhe jetëshkrimet e atyre burrave të rrallë. Historia ka dashur që krijimtarinë e tyre ta shkruajë me shkronja të mëdha dhe ta përjetësojë në jetë të jetëve.
Këta njerëz, erdhën në këtë botë si gjithë të tjerët, ndoshta në kushte të vështira ekonomike. Por, ata refuzuan të largohen nga kjo botë, veçse pasi të gdhendin në faqet e historisë, fjalët, qëndrimet dhe arritjet e tyre, të cilat i kanë mbijetuar kohërave të ndryshme përgjatë shekujve.
Ai që lexon dhe studion jetën e këtyre njerëzve kreativë, kupton dhe gjen se me gjithë dallimet mes tyre, dallime në gjuhë, racë, pamje, metoda, qëllime etj… ata kanë pasur një emërues të përbashkët, i cili është: Besimi i patundur në qëllimin dhe ëndrrën e tyre në jetë, duke i vënë veshin gjithçkaje që u thotë zemra. Ata nuk donin t’ia dinë nëse njerëzit i përgënjeshtronin, talleshin apo i konsideronin si të marrë. Ata merreshin me rrugëtimin e tyre të vështirë në një reliev të thepisur dhe përballonin barrën e rëndë që i kishin vënë vetes, ndërkohë që të gjithë njerëzit përreth shijonin kënaqësitë e kësaj bote.
Ata ishin gjeni, eksplorues, shpikës dhe reformatorë, sepse refuzonin të imitonin verbërisht të tjerët. Gjithçka që buronte prej tyre, buronte nga thellësia e zemrës.
Në librin “Zakoni i tetë” autori Stiven Kovey thotë se njeriu ka dy alternativa: Përdorimin e të gjitha energjive për të arritur madhështinë, ose kufizimin e energjive dhe bërjen e një jete normale.
Rruga dhe alternativa e parë është ajo e madhështisë dhe lavdisë, gjë e cila arrihet duke zbuluar energjitë që fshihen brenda njeriut dhe duke i vënë veshin zërit të tij të brendshëm. Ky është një proces që fillon nga brenda dhe punon për të ndryshuar të jashtmen.
Rruga dhe alternativa e dytë është ajo e jetës normale, gjë e cila arrihet duke e çuar dëm energjinë kreative, duke e mbytur zërin e brendshëm , duke iu nënshtruar programimit shoqëror dhe kallëpeve sociale që e rrethojnë njeriun.
Njeriu i sotëm, bie e pre e shabllonizmit dhe kallëpeve sociale në forma nga më të ndryshmet. Ato ia humbasin aftësinë për të kuptuar se po shabllonizohet dhe programohet. Ato ia humbasin edhe aftësinë për të dalluar mes asaj që bën nga besimi dhe bindja se duhet bërë, dhe asaj që bën si pasojë e programimit dhe shabllonizmit të shoqërisë.
Për ta bërë sa më të kuptueshëm dhe të qartë programimin dhe shabllonizmin social, le të sjellim shembullin e stërvitjes së ariut dhe zbutjes së elefantit. Le të shohim se si arrijnë profesionistët e cirkut që ti mësojnë ariut të kërcejë.
Ariu vihet mbi një platfomë metalike dhe në sfond vihet muzika përkatëse. Në këtë kohë, trajneri fillon dhe e nxeh platformën metalike. Për shkak të temperaturës e cila sa vjen dhe rritet, ariu ngre njërën këmbë që të ftohet, pastaj e ulë atë dhe ngre këmbën tjetër. Kjo ndodh paralelisht me ritmin e muzikës që dëgjohet në sfond. Ky ushtrim përdoret disa herë dhe kur fillon shfaqja, me të vënë muzikën në sfond, ariu fillon e kërcen herë duke ngritur njërën këmbë, e herë këmbën tjetër. Këtë, ai e bën ngaqë beson se dyshemeja poshtë këmbëve të tij është e nxehtë. E njëjta gjë vlen dhe për njeriun, i cili mëson “kërcimin” sipas ritmit që i dikton shoqëria përreth.
Sakaq, elefanti, që në vegjëli është mësuar të lidhet pas një peme me trung të trashë, me një litar të fortë, me qëllim që të mos largohet nga vendi. Ai bën përpjekje të shumta që të shkëputet nga litari dhe pema, por kjo është thjesht e pamundur. Kur elefanti rritet dhe bëhet aq i fuqishëm sa ta shkulë lehtësisht pemën, ose ta këpusë litarin, e ka të pamundur këtë. Tashmë, ai nuk mund ta çlirojë veten nga litari, edhe nëse ky i fundit është shumë i hollë dhe mund të këputet lehtësisht. Kjo, sepse në pavetëdijen e tij, për shumë kohë është kultivuar ideja se ai e ka të pamundur të çlirohet nga litari që e mban lidhur tek pema. Diçka e tillë është bërë pjesë e besimit të patundshëm dhe trajnuesit e elefantit e dinë shumë mirë se ai është i paaftë të rebelohet.
Në këtë mënyrë programohemi dhe shabllonizohemi edhe ne njerëzit, që të mos dalim nga kuadri social ku jetojmë. Ne duhet të besojmë se nuk jemi më të aftë se modelet e tjera sociale përreth, se kreativiteti ynë më i madh nuk e kapërcen kufirin e imitimit të tjerëve. Neve na kërkohet të jemi ashtu siç jemi aktualisht.
Programimi dhe shabllonizimi social është burgosja më e rrezikshme e vullnetit të njeriut, atij njeriu të cilin Zoti e gradoi dhe i fryu shpirt nga shpirti i Tij, atij njeriu të cilin Krijuesi e pajisi me aftësi dhe dhunti të cilat nuk i njeh tjetër kush veç Tij.
Është begati e Zotit ndaj njerëzimit, që në zemrat e njerëzve të mëdhenj kultivoi guximin. Kështu, ata i vunë veshin dhuntisë me të cilën i kishte pajisur Zoti duke refuzuar shabllonizmin dhe vrasjen e zërit të tyre të brendshëm.
Mos e vrisni krijimtarinë tek fëmijët tuaj duke besuar se jeni më të ditur rreth aftësive, dhuntive dhe zërit të tyre të brendshëm!
Mos i shihni fëmijët si mjet të përmbushjes së ëndrrave tuaja, të cilat nuk i përmbushët dot në jetën tuaj për shkak të rrethanave! Secili prej nesh ka dhuntitë e veta dhe misionin e tij përkatës. E nëse e bëni këtë, fatura që duhet të paguani ju, fëmijët dhe shoqëria, do të jetë tepër e madhe. Ajo është një faturë që paguhet çdo ditë, por shumica nuk e ndjen këtë. Çdo gjë është lehtësuar për qëllimin për të cilin është krijuar.
 
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit