10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Nevoja e të rinjve për model

Më të lexuarat

Nga: Abdullah Abdurrahman

Nevoja e të rinjve për model

Në ditët e para të jetës, kur fëmija fillon e kupton çfarë ngjet përreth tij, ai fillon të imitojë prindërit. Sigurisht që kjo është diçka e tillë që nuk ka të bëjë vetëm me njeriun, por përfshin edhe të vegjlit e kafshëve. Prandaj dhe në fjalët e urta arabe gjejmë dhe të tilla si:”I shkonte pas si mëzi pelës.”
Fëmija fillon të fitojë zakone, sjellje dhe aftësi nëpërmjet atyre që dëgjon dhe vëren tek sjelljet, emocionet dhe reagimet e prindërve. Ai hedh hapat e tij të parë pasi kërkon të imitojë të rriturit të cilët për të janë modeli më i mirë. Ai thotë ato gjëra që i thonë dhe ata, bën ato akte që bëjnë dhe ata, duke i imituar në gjithçka.
Të kesh dikë si model, do të thotë të imitosh dhe të sillesh si ata, për faktin se i do dhe beson se ajo që ata bëjnë, është e drejtë dhe e duhur. Modelimi është një nga hyrjet e rëndësishme në procesin e edukimit dhe arsimimit. Nevoja për model është një nevojë e cila vazhdon deri në fund të jetës së njeriut dhe nuk është e kufizuar në fazën e fëmijërisë. Që të fitosh një shkathtësi të caktuar – si është vozitja e makinës për shembull – na lipset të shohim një shofer të mirëfilltë. Ne e ndjekim në çdo lëvizje që bën, hap pas hapi, lëvizje pas lëvizje. Ti e ndjek instruktorin e makinës në mënyrë të verbër dhe kjo për shkak të besimit të palëkundur tek ai, sepse ka një përvojë të gjatë në këtë fushë. Madje, ti as që të shkon në mendje ti vësh në diskutim këshillat dhe udhëzimetm e tij, sepse beson se është më i ditur se ti.
Mësuesi dhe edukuesi janë modele, baba, nënë, vëlla, motër apo mësues qoftë. Model mbetet kushdo që të mëson diçka të re, të mëson si të ngasësh makinën, si të notosh në lum, si ta përmirësosh shkrimin, si të këndosh bukur, si të komunikosh me të tjerët etj…
Nevoja për mësues dhe për model, është një nevojë themeltare dhe siç e cekëm më lart, ajo shtrihet deri në fund të jetës. Nëse supozojmë se vërshimet kanë marrë me vete një foshnjë, të cilin e hedhin diku në një pyll, ai fillon e sillet si kafshët që e rrethojnë, mund të ecë me të katër gjymtyrët, lëshon zëra e pasthirrma si kafshët, ushqehet si ato etj… Kjo, sepse karakteristikat e tij njerëzore nuk kanë gjetur një model njerëzor që ti shpërthejë dhe edukojë. Ai mund të jetë një krijesë me pamje njeriu por që sillet si kafshët.
Kjo na bën të besojmë fort se modeli është i kërkuar dhe i domosdoshëm në jetën e çdo njeriu, fëmijë qoftë apo i rritur. Nevoja për model dhe shembull, niset nga nevoja për:
1.       Shkollim dhe arsim. Pa modelin është e vështirë që njeriu të mësojë dhe zhvillojë kapacitetet e tij.
2.       Edukim. Pa model ne hasim vështirësi të mëdha në rritjen dhe edukimin tonë për tu funksionuar sa më normalisht  dhe për të qenë të dobishëm në shoqëri.
3.       Progresin dhe zhvillimin. Nëse nuk kemi një model që ndjekim, do të mbetemi në vend numëro, duke mos u zhvilluar dhe ecur para. Kjo vjen sepse mund të bindemi se nuk kemi më nevojë, se ajo që kemi arritur mjafton. Në disa fshatra dhe zona periferike, fëmijët nuk i zhvillojnë dhuntitë e tyre, pasi nuk dalin jashtë rrethit gjeografik të ngushtë.
4.        Ngritja e moralit, shtimi i zellit dhe dëshirës. Pa një model të mirë i cili posedon cilësi që prevalojnë ndaj atyre tonave, zelli i njeriut fillon e ftohet dhe i dobësohet vullneti. Me kalimin e kohës ai fillon e heq dorë nga rrugëtimi drejt më të mirës dhe përsosjes. Kjo, sepse nuk ekziston më mundësia për tu krahasuar me dikë që qëndron më lart.
5.       Korrigjimi i gabimeve. Modeli është si pasqyra. Ashtu siç i dallojmë menjëherë njollat e fytyrës në pasqyrë dhe i pastrojmë për tu dukur sa më pastër para të tjerëve, ashtu dhe modeli i mirë na ndihmon të dallojmë të metat tona. Nëpërmjet modelit ne modelojmë sjelljet tona. Ai na ndihmon të kuptojmë nëse jemi në rrugën e duhur apo atë të gabuar.
Baballarët dhe nënat janë modelet tanë:
Bën gabim të madh ai që mendon se vetëm babai është modeli i djalit, apo vetëm nëna është modeli i vajzës. Në fakt, të dy, babai dhe nëna, janë model për djemtë dhe vajzat e tyre. Po, është e vërtetë që ndikimi i nënës është më i madh tek vajza për shkak se i përkasin të njëjtës gjini dhe se ndikimi i babait është më i madh dhe më i dukshëm tek djali po për shkak të njëjtës gjini, por ky nuk është rregull statik dhe i prerë. Mund të ndikohet djali nga nëna e tij më shumë sesa nga babai, vajza mund të ndikohet nga i ati më shumë sesa nga e ëma. Arabët thonë:”Çdo vajzë është e dhënë pas të atit!” Fakti që vajza jepet pas të atit, e nxit që ta ketë atë si model në jetën e saj.
Fëmijët, djalë dhe vajzë, mund të ndikohen nga të dy prindërit. Teksa lexon jetëshkrimin e kolosëve të ndryshuam, burra e g ra, konstaton këtë ndikim të ndërsjellët, i cili nuk ka gjini. Ka burra të lavdishëm të cilët kanë qenë ndikuar nga nëna, ashtu siç ka gra të lavdishme të cilat janë ndikuar nga baballarët e tyre. Ashtu siç ka dhe një kategori të tretë të cilët janë ndikuar nga të dy.
Kjo do të thotë se është shumë e rëndësishme që të dy prindërit të ofrojnë modelin e mirë në jetën e fëmijëve, pasi dy modele të mirë në një shtëpi dhe familje, do të thotë feed back më shumë. Nga ana tjetër, mungesa e modelit në mënyrë të plotë, do të ketë pasoja tepër të rënda tek djemtë dhe vajzat. Modeli prindëror i tregon frytet e tij që në ditët e para të fëmijës, sepse prindërit janë mësuesit e parë në jetën e çdo djali apo vajze. Ata janë dy modelet e para, jehona e ndikimi të cilëve vazhdon të dëgjohet gjatë gjithë jetës.
Dy prindërit, ose njëri prej tyre, mund të jenë modele të mirë.
Por mund të jenë të dy, ose njëri prej tyre, model i keq për fëmijët.
Nëse janë nga kategoria e parë, djali dhe vajza i tyre, do të kenë fatin e mirë që kanë një model të tillë në jetën e tyre. E nëse janë nga kategoria e dytë, ç’fat i keq për fëmijët e tyre. Një poet arab thotë:
I zoti i shtëpisë daullen nëse ka zanat
Vallen e qajnë me lot, burrat dhe gratë
Modeli prindëror, i nënës apo i babait, ka disa veçori specifike:
a.       Ka jetëgjatësinë dhe ndikimin më të thellë në ndërtimin e personalitetit të fëmijës.
b.      Ndikimi i modelit të prindërve zgjat gjatë gjithë jetës. Disa nga shenjat e këtyre dy modeleve, mbeten të skalitura dhe ka dorë që i zhbën. Dija në vegjëli, është si gdhendja në gur – thonë arabët.
c.       Është një model që nuk na shqitet, si të ishte një pjesë e pandashme e jona.
d.      Është një model i sinqertë dhe pasionant, i cili na do të mirën dhe që bën çmos që ne fëmijët të jemi më të mirë sesa ata.
e.      Është spontan, na ofron modelin e gjallë dhe të drejtpërdrejtë që shfaqet tek çdo fjalë që thotë, tek dashuria që na jep, sinqeriteti, gjestet, dhembshuria, sakrifica dhe vetëmohimi.
Modeli prindëror nuk është kusht që të ketë fituar ndonjë çmim dhe gradë akademike të caktuar. Ky model, falë depozitës emocionale që ofron dhe falë dëshirës së zjarrtë për ti lumturuar, bën çmos që të na ofrojë shembullin më të mirë fëmijëve të tij, djem dhe vajza.
Babai mund të jetë bujk dhe njeri i thjeshtë që nuk di as shkrim dhe lexim, por është njeri me vlera sublime, i fisëm dhe zemërgjerë, i cili falë përvojës e dallon të mirën nga e keqja, të drejtën nga e shtrembëta. Ai mbetet një model i mirë, nga i cili ndoshta nuk mund të përfitohet në sferën e leximit dhe shkrimit, por pa dyshim ai është më i mirë sesa një baba që u ka kthyer shpinën fëmijëve të tij.
Po, edhe nëna mund të jetë analfabete, por nga ana tjetër ajo është mjeshtre e leximit të librit të jetës falë përvojës së saj jetësore dhe bashkëshortore, duke u ofruar fëmijëve të saj, djem dhe vajza, modelin e sinqeritetit, besnikërisë dhe vetëmohimit.
Sigurisht që kjo nuk ul vlerat e prindit intelektual dhe të kulturuar, përkundrazi, një model i tillë prindi lë gjurmë të thella në mendjet dhe zemrat e fëmijëve të tyre.
Mësuesit tanë, janë modeli ynë:
Mësuesi, si edukues vjen i dyti për nga radha pas prindërve, madje disa mësues prevalojnë me ndikimin e tyre tek fëmija edhe ndaj prindit. Është pikërisht ky lloj mësuesi ai për të cilin flet dhe poeti arab:
 Me temena të mëdha prite mësuesin o djalë i ri
I ngjashëm me atë të profetëve është statusi i tij.
Secili prej nesh ka ngulitur në mendje një apo më shumë mësues, të cilët kanë lënë gjurmë të thella në jetën dhe edukimin tonë. Ndikimi i ndonjërit prej tyre mund të shtrihet në të ardhmen e largët. Nxënësi i djeshëm mund të bëhet mësuesi i të ardhmes për shkak të ndikimit që ka lënë mësuesi. E njëjta gjë vlen për tregtarin, doktorin, avokatin etj… Nxënësi ndjek modelin e mësuesit në sinqeritet, kontribut, vetëmohim, drejtësi …
Një mësues që e plotëson orën e mësimit me këshilla të sinqerta, udhëzime të dobishme dhe u flet mbi përvojën e tij pozitive në jetë, gëzon respektin e nxënësve, të cilët e shohin si modelin e tyre të munguar.
Mësuesja e cila u qëndron pranë nxënëseve të saj adoleshente dhe të reja, i merr përdore dhe i ndihmon ta kalojnë këtë fazë delikate, nëpërmjet këshillave që burojnë nga zemra, dashurisë dhe dhembshurisë, është një nënë e dytë. Ndonjëherë, vajzat i harrojmë shumë momente nga jeta me nënat e tyre, por asnjëherë nuk i harrojnë momentet me një mësuese të sinqertë dhe të dashur.
Për fat të keq, në disa shkolla mungon modeli i mirë i mësuesit shembull për nxënësit e tij. Ka shumë mësues të suksesshëm në mësimdhënie dhe metodat didaktike, por pak prej tyre janë model, për të mos thënë që janë model i keq i edukuesit të dështuar.
Miqtë tanë janë modeli ynë:
Kur mund të jetë miku dhe shoku model?
Kur ai shndërrohet në një vëlla më të madh, apo në një vëlla të çiltër dhe të sinqertë i cili të do të mirën; kur të largon nga vendet e gabuara, të dëmshme dhe të liga; kur është i besueshëm dhe më njeh me të metat e mia dhe bën çmos që ti korrigjoj; kur bën çmos që të më afrojë më shumë me Zotin dhe me të mirën; kur më jep shpresë se mund t’ia dal; kur bën çmos që ti shuaj zjarret e xhelozisë, urrejtjes dhe dyshimeve të shejtanit në zemër.
Miku dhe shoku model, është ai njeri i besueshëm, i cili preokupohet për besimin tim, moralin dhe emrin, është mësuesi i dytë i cili i shtohet babait dhe mësuesit të parë. Kur ta gjej një mik dhe shok të tillë, edhe pse ai nuk mund ta shohë veten si modelin tim, do të shndërrohet i tillë sepse prej tij unë marr ngrohtësinë e sinqeritetit në fjalë dhe vepra.
Kur vajza gjen një mikeshë  të ndershme dhe të virtytshme, sigurisht që do të ndikohet prej saj, do të marrë nga virtytet e shumta dhe do e shohë si modelin e vet.
Profeti Muhamed a.s thotë:”Njeriu ndjek fenë e mikut të tij, prandaj bëni kujdes me njerëzit me të cilët shoqëroheni.” Aq ndikim të madh ka miku dhe shoku, saqë njeriu ndjek dhe besimin e fenë e tij. Nëse ai është njeri i ndershëm, edhe miku do të jetë i tillë dhe e kundërta, Zoti na ruajt.
 
Përktheu: Elmaz Fida

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit