3.4 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Vlera e tregut të Turkish Airlines tejkalon Lufthansa-n gjermane

Më të lexuarat

Vlera e tregut e Turkish Airlines arriti në 191,3 miliardë lira turke (10,26 miliardë dollarë), duke e tejkaluar kompaninë ajore gjermane Lufthansa, vlera e së cilës është 9,28 miliardë euro (9,73 miliardë dollarë).

Çmimi i aksioneve të transportuesit turk, i cili ishte 20,02 lira turke (1,54 dollar) më 31 dhjetor 2021, ka shënuar rritje me 592,3 për qind në 138,6 lira turke (7,43 dollarë) të hënën.

Kursi i këmbimit të dollarit amerikan kundrejt lirës turke ishte 1/13 në fund të vitit të kaluar, kurse të hënën ishte 18,64.

Nga ana tjetër, edhe çmimi i aksioneve të Lufthansa-s shënoi rritje me 25,7 për qind nga fillimi i këtij viti.

Ndërsa Turkish Airlines kapërceu shpejt efektet negative financiare të pandemisë COVID-19 duke shënuar rritje të fitimeve të saj shumë fuqishëm në vitin 2022 në saje të aktiviteteve të saj në shkallë globale, rimëkëmbja e Lufthansa-s pas pandemisë nuk ishte edhe aq e lehtë.

Në tremujorin e tretë të vitit, të ardhurat totale të Turkish Airlines, 6,1 miliardë dollarë, tejkaluan të ardhurat totale në të njëjtën periudhë të vitit 2019 me 52 për qind, ndërsa të ardhurat nga ngarkesat ajrore u rritën me 110 për qind në afërsisht 880 milionë dollarë gjatë së njëjtës periudhë.

Fitimi neto i kompanisë ishte 1,5 miliard dollarë në tremujorin e tretë.

Ndërsa pandemia shkaktoi një krizë të madhe në industrinë globale të aviacionit, Grupi Lufthansa, i cili zotëron gjithashtu Eurowings, Swiss, Bruksel dhe Austrian Airlines, arriti në pikën e falimentimit.

Qeveritë e Zvicrës, Austrisë dhe Belgjikës, dhe veçanërisht qeveria gjermane, e shpëtuan kompaninë nga falimentimi duke ofruar një pako shpëtimi prej 9 miliardë eurosh në 2020.

Për shkak të rënies së kërkesës së pasagjerëve gjatë pandemisë, kompanitë ajrore e kishin të vështirë të mblidhnin fonde përmes rritjes së kapitalit.

Me rikuperimin e kërkesës së pasagjerëve, Grupi Lufthansa mblodhi 2,14 miliardë euro në tetor 2020 për të kthyer një pjesë të pakos së shpëtimit publik.

Nga ana tjetër, Grupi Lufthansa njoftoi fitimin e parë operativ në krizën pandemike në tremujorin e tretë të 2021, pasi kërkesa për fluturime u rrit pas heqjes së kufizimeve globale të udhëtimit./anadoluagency/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit