-2.4 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Vetëdijesimi mbi pasojat e varësisë nga interneti tek adoleshentët

Më të lexuarat

Zhvillimi i teknologjisë informative, gjegjësisht interneti, ka marrë një hov shumë të madh, dhe ka zënë një vend shumë të rëndësishëm në shoqërinë tonë.

Shkencëtarët perëndimorë thonë se interneti është shpikja më e madhe e shekullit XX, por kjo nuk e mohon faktin që të jetë edhe mjeti më i dëmshëm në këtë shekull. Kompjuteri, ose interneti, është ai që e zëvendëson të menduarit tonë. P.sh.: më parë njerëzit kanë lexuar më shumë libra, ndërsa sot në internet ekzistojnë të gatshëm dhe nuk lexohen, ose mund të themi që lexohen në një masë më të vogël, për të mos thënë se vetëm shfletohen.

Interneti – dobitë dhe pasojat e tij

Çdo ditë që kalon shoqërohet me një shpikje të re, e që përmirësohet vazhdimisht. Mjetet e ndryshme që përdoren bëhen gjithnjë e më praktike dhe më të lehta në përdorim. Ato janë kompjuteri, telefoni mobil, që përdoren nga secila moshë, e që janë bërë të pandashme.

Kompjuteri është bërë një dritare ku mund të shihen shumë gjëra që na interesojnë nga bota, duke filluar nga informacionet shkencore, ekonomike, politike etj. Ai ofron eksperienca shumë të mira për të rriturit dhe fëmijët. Aty mund të gjeni mundësi të përmirësoni jetën tuaj, të zbaviteni, të forconi aftësitë tuaja etj. Të rinjtë janë përdoruesit entuziastë të internetit, veçanërisht me rrjetet sociale. Megjithatë, si shumë aktivitete zbavitëse, edhe këtu paraqiten situata me rreziqe, e që duhet t’i shmangim. Eksplorimi i internetit pa mbikëqyrjen e një të rrituri mund t’i përballë fëmijët dhe adoleshentët me sajte të dëmshme, si ato që bëjnë thirrje për dhunë, për drogë, dhe sjellje të pahijshme etj. Sikur që dobitë dhe të mirat e internetit nuk mund të llogariten e të numërohen, po ashtu edhe dëmet e të këqijat e tij janë të panumërueshme. Ai që vështron me kujdes realitetin e të rinjve pas zhytjes së tyre në detin e thellë të internetit, ai po që do të gjejë se dëme të mëdha janë katandisur për shumicën e tyre, e sidomos për ata që nuk dinë ta përdorin në mënyrën e duhur. Disa nga dëmet janë si vijon:

1. Humbja e kohës

Koha është shumë e shtrenjtë, dhe gjëja më e çmueshme që Allahu ia ka dhuruar njeriut. Prandaj, njëra nga pyetjet që do na bëhet në Ditën e Gjykimit është se si e kemi kaluar atë. Pra, humbja e saj është një dëm i madh. Allahu xh. sh. në Kuran është betuar:

“Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’ i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm” (El Asr, 1-3)

Interneti është instrument me të cilin mund të luash fatin e jetës tënde, ta shfrytëzosh në të mirë dhe në dobi, apo në humbje e shkatërrim. Sipas një studimi të bërë nga shoqata e psikologëve amerikanë, del se përdoruesit e internetit nuk kanë ndonjë punë të caktuar për ta bërë në rrjetin e internetit, ku mesatarisht kalojnë 37 orë në javë. Kjo rezulton në varësi, dhe kjo varësi shpie në sëmundje psikologjike.

2. Njohja me shoqërinë e keqe

Shoqërimi përmes internetit është njësoj si shoqërimi i rëndomtë, është shpatë me dy tehe. Disa e shfrytëzojnë në formën normale e të pastër, e disa të tjerë e shfrytëzojnë në formën negative. Realiteti dëshmon për lidhjen mes dy gjinive, dhe për atë që pason më vonë përmes internetit, e që mund të evoluojë në çështje të rrezikshme, kur edhe është vështirë dominimi i tyre.

Prej gjërave të tilla në këtë aspekt tregojnë edhe mjetet e informimit: Një vajzë e re e mbyt veten pas bisedës me një të panjohur. I riu që devijon. Një i ri që bie në kurthin e shantazhit dhe kërcënimit.

Këto ndodhi shumë shpesh i hasim si rezultat i keqpërdorimit të internetit, dhe si duket dita ditës këto dukuri vetëm po shtohen. Përmes internetit mund të njoftohesh me shoqëri që mund të jetë e rrezikshme dhe mund të të vë në gracka të ndryshme që nuk përkasin me etiken morale dhe njerëzore. Rëndësia e shoqërisë së mirë dhe të sinqertë është përmendur edhe në Kuran:

” Atë ditë shokët e ngushtë do të jenë armiq të njëri-tjetrit, përveç atyre që ishin të sinqertë në miqësi. (Atyre besimtarëve që ishin shoqëruar për hir të Zotit u thuhet): “O adhuruesit e Mi, sot nuk ka as frikë për ju, e as që do të jeni të pikëlluar!” (Ez Zuhruf, 67-68)

Nuk mbetet askush përgjithmonë përveçse vëllazëria e të sinqertë ve dhe besimtarëve, e atyre që janë shoqëruar për hir të Allahut xh.sh.

3. Infektimi dhe sëmurja nga sëmundjet psikike

Sipas një studimi të shoqatës së psikologëve amerikanë del se 10% e shfrytëzueseve të internetit janë të dhënë dhe të varur nga interneti (thënë ndryshe janë të droguar me internet), që do të thotë se vuajnë nga pikëllimi dhe pesimizmi dhe, duke dashur të ikin nga kjo, largohen dhe izolohen nga të tjerët dhe jetojnë të varur e me zemër në botën e imagjinatave e të iluzioneve nga bisedat më shumë njerëz që nuk ua dinë emrat e as pamjet e vërteta. Nga nevoja e domosdoshme për shërimin e këtyre varësive një organizatë humanitare, “Varësitë e internetit”, që e ka qendrën në Gjermani, ka filluar me përpjekje të shumta për t’i kthyer ata në jetën normale familjare, dhe kanë përgatitur kurse e trajnime të ndryshme për t’ua mësuar atyre mënyrën e drejtë të shfrytëzimit të internetit. Nëse kësaj ia shtojmë edhe faqet që thërrasin në alkool dhe drogë!!!?

Në kohët e fundit është paraqitur edhe e ashtuquajtura bingo përmes internetit. Këto janë gjëra të shëmtuara nga të cilat duhet larguar, duke ngritur nivelin e vetëdijes mbi disavantazhet që sjell përdorimi jo i duhur i internetit në shoqëri.

4. Njohje me format e terrorit dhe shkatërrimit

Në internet ka faqe të shumta që shpjegojnë:

-Mënyrën e prodhimit të bombave të dorës;

-Dhjetëra mënyra për varjen e vetes (vetëvrasjes);

-Zhvillimin e shkathtësive për shkatërrim, prej tyre mënyra e dërgimit të viruseve në bashkëpunim me rrënuesit profesionistë të quajtur hakerë;

-Demonstrime dhe shembuj të sjelljeve arrogante dhe të papranueshme për një shoqëri të shëndoshë, etj.

5. Siguron anonimitet – fshehje të identitetit (keqtrajtim fizik e shqetësim psikik dhe frikësim-pedofilia),

6. Shkatërrim të jetës bashkëshortore.

7. Nuk ekziston censurë, prani e çfarëdolloj përmbajtjesh joadekuate për fëmijë.

8. Ekzistimi i viruseve dhe hakerëve.

9. Rreziqe ligjore dhe financiare.

Nga hulumtimi i USAID në RM PM kanë dalë këto statistika: 47% përdorin kompjuterin; 32% janë shfrytëzues të internetit; 40% të shtëpive posedojnë kompjuterë; 17% të shtëpive janë lidhur me internet; 52% nga shfrytëzuesit e përhershëm të internetit kanë filluar ta shfrytëzojnë internetin në dy vitet e kaluara, kurse pjesa më e madhe e tyre janë të rinj.

Shumë “përdorues” të rinj as që mund ta kuptojnë më jetën “offline”. Ata tashmë e kanë ves navigimin. Gati 3% e të rinjve nga mosha 12 deri në 18 vjeçare në mbarë Evropën konsiderohen se vuajnë nga vesi i internetit. Krahas kompjuterit për shfrytëzimin e internetit përdoret edhe telefoni mobil, i cili i ka tejkaluar suazat e normales, e që nga hulumtuesit parashihen shumë disavantazhe si rezultat i ekspozimit të rrezeve elektromagnetike që rezultojnë në shumë probleme shëndetësore, psikike e sociale.

Përdorimi ose keqpërdorimi i internetit dhe rrjeteve sociale është bërë problem social aktual, si në aspektin e problemeve shëndetësore fizike, ashtu edhe në aspektin e problemeve mendore psikike. Problemet shëndetësore fizike që mund t’i përmendim janë: lakimi i boshtit kurrizor si rezultat i mënyrës jo të përshtatshme të qëndrimit, problemet me sy, problemet me gishtërinj, mbipesha, pagjumësia etj. Probleme mendoret psikike që mund t’i përmendim janë: depresioni, ankthi, rënia shpirtërore, pesimizmi, vetmia ose largimi nga bota reale, deficiti i vëmendjes, ngecja në zhvillimin e të menduarit te fëmijët etj.

Të gjitha këto vijnë si pasojë e përdorimit të tepërt dhe të pakontrolluar të pajisjeve të avancuara të teknologjisë, si kompjuterët, celularët, tabletët. Këto probleme janë bërë tema aktuale shumë të diskutuara. Prandaj, secili duhet të kuptojë që kujdesi ndaj shëndetit është prioritet, dhe të mos harrojë se varësia është problem që sjell pasoja në shëndetin mental.

Ardiana Hajraj

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit