2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

UDHËZUES METODIK PËR IMAMË DHE VAIZA

Më të lexuarat

Hyrje

Kuadrot fetarë, imam – vaiza përbëjnë plejadën e ardhshme të dijetarëve islamë. Shumica e të rinjve të arsimuar në universitete islame jashtë vendit, janë pajisur me një masë njohurishë fetare, me të cilën, në detyrën që kanë janë bërë pjesë e të gjitha mjediseve jo vetëm familjare por shoqërore dhe zyrtare. Për këtë arsye kërkohet një kualifikim i pa ndërprerë, për të mbizotëruar me diturinë e tyre në çdo mjedis e në veçanti përpara xhematit islam në xhami. Ky udhëzim i shkurtër le të shërbejë si një nxitje për një përgatitje më të shëndoshë, më efektive, që me reformimin e tyre të spikasë qartësinë dhe saktësinë. Në këtë mënyrë do të paraqiten më dinjitoz përpara xhematit duke e konfirmuar veten edhe si dijetar Islam që mbart në vetvete një kulturë të lartë teologjike.

Disa probleme e veçori psikologjike të aftësisë predikuese të imam-vaizave

Një ndër kërkesat bazë ndaj personalitetit të kuadrit fetar është përgatitja e tij kulturore-fetare, e përgjithsme dhe e veçantë, si dhe ana psikologjike e tij. Kjo për faktin se islami si shpallje hyjnore, kërkon nga predikuesit njerëz të ditur, të kualifikuar dhe profesionistë. Qëndrimi në rend të ditës sot është problem i forcimit e i ngritjes së mëtejshme të nivelit e cilësisë së edukimit të besimtarëve me parimet e islamit e ligjet e tij. Për këtë arsye duhet rritur informacioni dhe njohuritë ne fushën e fesë islame. Këtë detyrë kanë kuadrot fetarë imama-vaiza, prej të cilëve kërkohet një formim sa më i mirë, i gjerë kulturor e fetarë dhe pasurim i vazhdueshëm me njohuri të reja.

Themeli bazë i fesë islame është Kur’ani Famëlartë me sunetin e profetit (a.s.), por në fund të fundit atyre u jep jetë kuadri fetar, imam-vaizët, me formimin e tyre psikologjik e metodik dhe me mjeshtëri të lartë profesionale .

Me këtë ato do të bëhen një forcë e madhe nxitëse për të forcuar ndejenjën fetare të ëdo besimtari, e të kultivojë mendim të shëndoshë për moralin e familjes e të shoqërisë.

Sado i ditur të jetë kuadri fetar apo të konsiderojë veten të tillë, nuk është e mundur të përgjigjesh në shkallë absolute problemeve të ndryshme që dalin në realitetin e sotëm. Për këtë arsye kërkohet përmirësimi i metodës së referimit mësimdhënies së informacionit, duke qënë në kontakt të vazhdueshëm me literaturën islame, që do të thotë të rriten në vazhdimësi shkalla e përgatitjes së kuadrit fetar si faktor bazë në detyrën e shenjtë të imam-vaizit. Pajisja me njohuri psikologjike do të ndihmojë atë që të përshtatet me nivelin e mësimdhënies që në moshë të fëmijërisë, adoleshencës, rinisë dhe prindërrve e të moshuarve. Edukimi fetar duhet tu përshtatet këtyre moshave, me qëllim që të parandalohen veset negative, si bixhozi, alkoli, droga, prostitucioni, trafikimi e deri te krimi brenda familjes, që janë bërë dukuri të shoqërisë tonë. Vetëm feja Islame, besimi në Zotin, zbatimi i ligjeve që rrjedhin nga Kur’ani do të bëhen ilaçe shërimi nga këto sëmundje të rrezikshme. Prandaj Imam Vaizi duhet të ketë në qendër të vëmendjes veprimtarinë e tyre edukative të diferencuar dhe sipas moshave dhe gjinisë. Për të kryer me efekitivitet rolin e hoxhës apo mëshiruesit të popullit, ata duhet të zotërojnë aftësi njohëse të realitetit, analiza dhe kualifikime mbi bazën e legjislacionit Islam. Atëherë do të arrijë në përfundime të drejta për masat që duhen marrë për të ndihmuar në frenimin, eliminimin e deri në parandalimin e këtyre veseve negative. Imami vaizi duhet të ketë aftësi që të vlerësojë çdo shenjë që prek ndjenjën dhe emocionet me butësi e ëmbëlsi, për të lehtësuar shpirtin e besimtarit e të priret gjithmonë në mbështetje tek Zoti (xh.sh.). Pra, ai duhet të depërtojë në botën e brendshme të secilit. Këto aftësi i ndihmojnë ata që ndjekin qëndrimin e vëmendshëm apo të pavëmendshëm të besimtarëve ndaj asaj që predikohet. Kjo kërkon para së gjithash njohje në mënyrë të thellë e të gjithanshme të zhvillimit të vëmendjes së vet, të cilësisë të tij dhe mbi këtë bazë të punojë sistematikisht me synime të caktuara, për edukimin e tij të njohurive të përvetësojë anën psikologjike të këtij proçesi.

Intuita psikologjike e imamit është një parametër tjetër për mënyrën e ndërtimit të bisedës për tu treguar. I zhdërvjellët për atë që flet, për të krijuar një atmosferë të ngrohtë e dashamirëse. Sigurisht këtë ai duhet ta arrijë gradualisht në procesin e përgatitjes me kualifikim të vazhdueshëm profesional të vetvetes, kështu do të krijojë një atmosferë të shëndoshë të vlerave të moralit Islam të secilit mysliman dhe myslimane, ndryshime në familje dhe në opinionin shoqëror. Autoriteti i tij lidhet ngushtë me figurën e pastër morale, shembull në kryerjen e detyrës dhe që nuk e ndan fjalën nga vepra.

Sigurisht xhemati Islam e vlerëson imamin e tij nga shembulli që jep në zbatimin me disiplinë të detyrës fetare si nga sjellja e jashtme për ndershmërinë, drejtësinë, shpirtmadhësinë, në mendime e gjykime në çështjen e fesë Islame. Mungesa e taktit në harmonizimin e durimit dhe të vetëpërmbajtjes është një nga burimet kryesore të konflikteve, moskuptimit e të mosbindjes në marrëdhëniet me njerëzit. Predikuesit e fesë islame duhet të jenë të ekuilibruar, të vetëpërmbajtur, të durueshëm, por, këmbëngulës në përcjelljen e mesazhit islam e rrymës në Kur’anin Famëlartë dhe hadithin e Profetit (a.s.)

 

Rëndësia e metodës së ndërtimit të Hytbes (predikimi) dhe Vazës

Sot problem i trajtimit të një hutbeje nga imami për ditë të premte apo predikimi (vaze), nga predikuesi (vaizi), ka një rëndësi të veçantë pasi ka një rritje të shpejtë të informacionit të ri shkencor, ka një rritje në përpjestime të mëdha të dijeve në promovimin e teknologjive të reja, ka specializime dhe integrime të këtyre mjeteve në jetën e përditshme, informacione e trajtim librash fetarë të përkthyer nga gjuhët e huaja etj., të cilat nuk janë njohur më parë.

Janë pikërisht këto e probleme të tjera që e bëjnë të domosdoshme aktualitetin e problemeve me legjislacionin islam, vlera e të cilit gjendet në Kur’anin Famëlartë, në shpalljen hyjnore dhe në sunetin e Profetit Muhamed, paqja dhe bekimi i Zotit qoftë mbi të.

Imamët dhe vaizët me paraqitjen e informacionit fetar nëpërmjet bisedave e lehtësimeve duhet t’u japin njohuri myslimanëve në mënyrë të tillë që të sigurojnë lidhjen teorike të logjikshmerisë me zbatimin apo veprimin në jetën e përditshme. Pra, një edukim mendor më të plotë, sa më të arritshëm e të kuptueshëm që besimtarët të bëhen të vetëdijshëm në vërtetësinë e zbatimit të ligjeve islame, për t’ju shmangur fenomeneve negative që dëmtojnë njerëzimin si individët, familjen e shoqërinë. Institucioni fetar, besimtarët janë të interesuar drejtpërdrejt të marrin më shumë njohuri islame për të rritur nivelin kulturor e për të edukuar një shoqëri pa vese negative.

Përgjegjësinë kryesore bie mbi imamët, predikuesit, të cilët duhet të punojnë në vazhdimësi për kualifikimin e tyre, jo vetëm në shkencat islame por edhe në shkencat e tjera, që gjejnë zbatim në jetën e përditshme. Pajisja e brezit të ri me një dije të nivelit bashkëkohor, përvetësimi sa më I shpejtë I arritjeve të teknologjisë së përparuar në jetën e përditshme përbën një konceptim tërësor dhe unik sipas ligjeve që burojnë nga Kurani famëlartë; mënjanimeve nga keqkuptimet, që shkojnë në dëm të imazheve të islamit e besimtarëve myslimanë.

Kemi të bëjmë me një tematikë të gjerë e komplekse problemesh ose detyrash nga prijësi fetar, për forcimin e mëtejshëm të ideve si besimi tek Zoti si krijues i gjithësisë, të gjithçkaje që egziston dhe së fundmi njerëimin që e bëri edhe më të përsorur për të shfrytëzuar të mirat e kësaj bote, për të falenderuar atë. Dhe për të zbatuar udhëzimet dhe këshillat e tij në ruajtjen e personalitetit “njeri” të pastër ashtu si e krijoi.

Prandaj kërkohet nga prijësi fetar një kujdes i veçantë në përmirësimin e metodës së trajtimit të problemeve fetare përpara auditorit të myslimanëve. Për këtë arsye është e domosdoshme që çdo gjë të bëhet me anë të një plani të përcaktuar.

Plani:

Plani është dokumenti bazë ku përcaktohet i gjithë aktiviteti fetar i imamëve dhe vaizëve. Në plan përcaktohen temat që do të kryhen çdo ditë të premte si dhe për rastet fetare e ngjarjeve të tjera. Plani duhet të jetë një vjeçar ose gjashtëmujor i aprovuar nga myftinia përkatëse. Atëherë ky plan merr karakter të detyrueshëm për tu zbatuar nga Imami e Vaizi. Mos zbatimi i tij duhet konsiderohet shkelje disiplinore nga myftinia përkatëse.

Plani duhet të shoqërohet me një program të detajuar ku të përcaktojë emërtimin e çdo teme të shoqëruar me literaturën e tyre, Kur’anin Famëlartë dhe hadithet e profetit (a.s.). Këto do të shërbejnë si tekste bazë e do të mbështeten secili në lartësimin e përmbajtjes së temës së planifikuar. Mund të përdoret me literaturë tjetër ndihmëse sipas natyrës së përmbajtjes me nevojën për argumentim shkencor.

Pra, plani, programi me tekstin bazë apo literaturë ndihmëse do të shërbejnë për përgatitjen e hutbes ose vazës nga imami e vaizi. Atëherë kemi një prezantim serioz përpara xhematit, me një objektiv të caktuar për çështjen që kanë marrë përsipër të trajnojnë.

Natyra, përmbajtja dhe veçoritë specifike të Hytbes (predikimit)

Të përgatitësh një hytbe ose vazë për t’iu referuar xhematit të pranishëm në xhami kërkohen metoda pedagogjike, pasi është një proçes i përvetësimit të informacionit dhe një edukate të caktuar islame. Me këtë duhet synuar formimi i myslimanëve si besimtarë të devotshëm e në veçanti largimin e rinisë që është perspektiva e zhvillimit të një shoqërie të shëndoshë.

Mesazhi hyjnor në fillim erdhi për diturinë. Bashkë me mësimin duhet t’i referohemi edhe edukatës duke u ndalur në mënyrë të veçantë në linjën e njohurive mbi islamin dhe zbatimin në jetën praktike të ligjeve të islamit. Prandaj edukata islame merr një kuptim të veçantë se ka të bëjë me formimin tërësor të personalitetit të besimtarit mysliman. Sigurisht që kjo përcaktohet nga një seri faktorësh objektivë e subjektivë që realizohen jovetëm nëpërmjet predikimeve fetare por edhe në jetë, në punë, në familje e shoqëri. Kuadri fetar, objektiv të punës së tij duhet të ketë edukatën islame, sepse ajo ka të bëjë me atë veprimtari që synon formimin tipareve të caktuara të personalitetit të besimtarit, të figurës së tij etiko-morale, të cilësive të karakterit të tij dhe të rrënjosë te ai atë që ne e quajmë edukatë morale fetare. Sigurisht kjo mund të realizohet në institucionin e adhurimit, por me këtë bëjmë të ndërgjegjshëm prindërit të cilët luajnë një rol parësor në edukimin e fëmijëve me një sërë parimesh, normash e rregullash të sjelles në tërësi në përputhje me legjislacionin islam. Çdo hytbe dhe referim nga vaizi duhet të jetë e dokumentuar dhe e përgatitur me shkrim. Është domosdoshmëri edhe ndërtimi metodik si i hutbes ashtu edhe i vazës.

Lind pyetja; cili mund të jetë struktura e ndërtimit të një hytbeje apo vaze?

Përgjigjja është

Imami ose vaizi kur del para xhematit duhet të ketë përpara shkrimin e tij në letër, të përgatitur në një strukturë të tillë ku të dallohen tre momente kryesore 1- hyrja 2- përmbajtja 3- konkluzioni.

 

Hyrja

Çdo material i përgatitur nga imami ose vaizi ditën e premte, duhet të udhëhiqet nga një hyrje e caktuar jo monotone, për të tërhequr dhe njëkohësisht të prekë ndenjat e xhematit islam, të cilat mund të jenë infomacione interesante që lidhen me temën në fjalë, menjëherë pasi thuhen ajete nga Zoti (xh.sh.) dhe hadithe nga profeti (a.s.).

Përmbajtja

Kjo është pjesa thelbësore e materialit të argumentuar me Kur’an e hadith, e lidhur ngushtë fjalët dhe fjalitë me njëra tjetrën, me kuptim të qartë e piksim gramatikor. Të ruhet rënditja kronologjike e arsyetimit të çështjes, pa kapërcime që nuk kanë lidhje me temën e caktuar. Një përmbajtjte e tillë bëhet e kuptueshme për besimtarët dhe i jep zgjidhje çështjeve apo fenomeneve që ndhodhin në jetë në këndëvështrimin e legjisalonit islam. Ky është i vetmi ku mund të mbështeten me siguri myslimanët në jetën e tyre të përditshme.

Konkluzionet

Përfundimi apo përmbledhja mund të jetë e shkurtër e të shoqërohet me lutjen përkatëse. Besimtarët mbasi të kryejnë faljen duhet të dalin nga xhamia me një mesazh të ngulitur në mëndje të mësuar nga imami ose vaizi me një shpjegim të qartë, të bazuar dhe bindës.

Metoda e të shkruarit

Për të shkruar një material për hytbe ose vazë nga imami apo vaizi, kërkohet që me të, të paraqesësh qëndrimin tënd mbi linjën e argumentuar të legjislacionit islam ose shkencor. Kërkohet një informacion nga shumë disiplina islame që lidhen me çështjen në fjalë ose me tema të veçanta që përbëjnë dhe argumentin shkencor nga disiplina shkencore. Ky material duhet të përmbajë disa karakteristika të rëndësishme:

Një stil letrar të qartë të kuptueshëm, me brendi analitike, me referenca që e bëjnë predikimin shumë atoritar dhe të besushëm përpara xhematit islam. Jo vetëm kaq, por për të paraqitur një material dinjitoz, që lë gjurmë e të mbeten si literature islame në të ardhmen, kërkohet edhe një aftësim tjetër në fushën e gramatikës e të letërsisë.

Të gjitha mendimet, idetë e informacionet e grumbulluara, imami apo vaizi do t’i paraqesë me shkrim. Këtu kërkohet një përdorim i saktë i shejnave të pikësimit, të stukturës së saktë të fjalës e fjalive në rënditjen e tyre drejtshkrimore etj. Për të përgatitur hytben ose vazën kërkohet një përcaktim i qartë i idesë së përmbajtjes së temës për të cilën do të referojë.

Metoda e përdorur duhet të përshkruajë analizën e çdo shprehjeje në rënditjen e mendimeve, në përqëndrimin e çështjeve esenciale dhe pa zgjatje të tepruara. Me futjen e tregimeve te dëgjuara dhe të pa vërtetuara, këto, ja humbin vlerën përmbajtjes sepse imami ose vaizi mund të përsërisë vetveten me lojra fjalësh. Predikusi duhet të ketë të qartë se për çdo ide apo mendim, duhet t’i referohet një burimi bazë që xhemati të kuptojë vërtetësinë e asaj që i kumtohet. Ndryshe do të krijojë paqartësi në shpjegimin e çështjes, madje më e paqartë bëhet shpjegimi kur terminologjinë që zgjedh nuk e përshtat me temën.

Rëndësi të veçantë merr elekuenca e të folurit ose të leximit të rrjedhshëm dhe bukur të materialit të shkruar. Fjalori duhet të mos jetë i ngarkuar me fjalë të huaja të pakuptueshme për dëgjuesit, por të thjeshta e të artikuluara sipas gjuhës letrare. Një predikim i bukur i rrjedhshëm e i qartë duke ju përmbajtur etikës gjuhësore, dëgjohet me vëmendje nga xhemati dhe shmang bisedat vesh më vesh të tyre. Çdo predikim duhet të synojë që xhemati të përfitojë nga legjislacioni islam. Asnjëherë predikuesi nuk duhet të marrë përsipër të paraqes material jashtë horizontit të tij kuturor, sepse humb vlerën para të gjithëve. Ai duhet të kontrollojë vetveten sa i saktë ishte me atë që i serviri xhematit dhe sa i besueshëm bëhet përpara tyre, me qëllim që të rrisë atoritetin e tij si prinjës fetar.

 

Për kualifikimin e Imamëve

1- Myftinitë duhet të bëjnë studimin për nivelin dhe gjendjen arsimore të imamëve dhe pastaj të bëjnë kualifikimin e tyre për t’ia paraqitur grupit të lektorëve.

2- Çdo lektor duhet të njihet me grupin për problemet dhe shqetësimet që kanë. Të vendosë marrëdhënie bashkëpunimi me ta.

3- Të krijohet një klimë mirëbesimi e mirëkuptimi të sinqertë të lektorëve me imamët.

4- Të kujdesen që secili imam të jetë pjesmarrës aktiv në seminaret e kualifikimit.

5- Materiali të paraqitetet me shkrim, të shumëfishohet e t’u dërgohet imamëve.

6- Imamëve duhet t’u bëhet i njohur programi për kualifikim me qëllimin që të shprehin lirshëm mendimet e sygjerimet për nevojat aktuale që kanë.

 

Si duhet të jetë Lektori

  • Lektori duhet të njihet si një personalitet me kulturë të gjërë botërore dhe eksperiencë të përgjithshme.
  • Të krijojë një atmosferë të qetë e të këndëshme, pa sforcime që të pëlqehet e të përvetësohet nga dëgjuesit.
  • Gjuha e të shprehurit të jetë e tillë që të tërheqë vëmendjen e dëgjuesve.
  • Të krijohet hapësirë për pyetje e diskutime.
  • Koha e përcaktuar nuk duhet tejkaluar.
  • Duhet vlerësuar niveli i pjesëmarrësve dhe të programohet e paraqitet materiali i përshtatshëm për to.
  • Lektori duhet të paraqitet para imamëve si një bashkëpunëtor i tyre, për t’i nxitur ata që ta ndjekin me interes.
  • Të shënojë çdo pyetje e t’i përgjigjet me argumenta të legjislacionit islam.

 

Udhëzimi i Myftinisë për kualifikimin e imamëve

  • Përcaktimi i kohës dhe i vendit të grumbullimit për kualifikim.
  • Të përcaktohet orari i nevojshëm për kualifikim.
  • Të krijohet një mjedis i qetë i përshtatshëm që t’i motivojë ata për seriozitetin dhe rëndësinë e kualifikimit.
  • Të vendosen rregulla për zotërimin e programit mësimor.
  • Çdo imami duhet t’i shpërndahet programi dhe literatura e rekomanduar me qëllim që të japë shance për të diskutuar, të trajtohen probleme që informojnë, për të mos krijuar keqkuptime.
  • Në fund të çdo seminari të bëhen konkluzione, vlerësime dhe rishikime për të ardhmen.
  • Të merrë reagimin e pjesëmarrësve, vërejtje e sugjerime për përmirsimin e mëtejshëm.
  • Kjo mënyrë do të krijojë më shumë bashkëpunim mes imamëve për të trajtuar problemet dhe shqetësimet që ka shoqëria e familja.
  • Do të rrisë përgjegjësinë për trajtimin e çështjeve sipas ligjit islam.

 

Kualifikimi i imamëve

Myftimnitë e rretheve apo qyteteve duhet të bëjnë studimin mbi nivelin e imamëve e shkollimin e tyre, për të njohur gjendjen dhe veprimtarinë e tyre si dhe efektivitetin e predikuesve, për të përcaktuar nevojat, rrugët dhe mundësitë e rritjes së efektshmërisë së organizimit të kualifikimit të organizuar në shkallë rrethi apo qyteti sipas shkallës së arsimit që kanë. Rreth këtij problemi KMSH-ja duhet marrë masat e nevojshme për të rritur standartin e kuadrove të tij, myftinjve dhe imamëve, mbase është një problem imediat që i dikton koha. Mungesa e ligjshmërisë në këtë drejtim u ka dhënë liri të pakufizuar imamëve që të trajtojnë problemin sipas dëshirës së tyre dhe kryesisht histori e tregime të kaluara që nuk kanë lidhje me realitetin në të cilin jetojmë, me problematikën si dhe trajtime në këndvështrimin e legjislacionit islam.

Studimi duhet bërë në një afat të caktuar, me një platformë të posaçme nga KMSH-ja që i detyron myftinitë të marren seriozisht me këtë problem. Me rezultatin e studimit duhet njohur KMSH-ja. Pastaj e ndjek në vazhdimësi për të parë arsimimin profesional të imamëve dhe përpjekjet individuale të tyre për të ndërtuar hytbe me nivel bashkëkohor. Këtu duhet shikuar me ndërgjegjshmëri pasioni dhe përgjegjësia për detyrën. Metodat e kulifikimit nuk janë standarte por mendoj se duhen parë në këto drejtime:

a- Përgatitja e materialeve kulifikuese duhen dhënë me hutbe model, të përgatitur nga ata më me përvojë e pastaj të kërkohen nga të gjithë të përgatisin hytbe me version e me një këndvështrim të caktuar.

b- Organizimi i simenareve me grupe sipas nivelit arsimor e nevojës që kanë.

c- Seminaret duhet të planifikohen përgjatë një viti.

ç- Pranë çdo myftinie duhet ngritur departamenti i kualifikimit, i cili harton planin e programin e posaçem në këtë drejtim, një kopje e së cilës i dërgohet edhe KMSH-së .

d- Departamenti do të bëjë dhe vlersimin e çdo imami në nivel teorik e praktik dhe mund të bëjë propozimet e nevojshme të myftinisë sipas nevojës me KMSH –në.

Kjo formë pune do të inkurajojë vlerësimin e punës së çdo predikuesi dhe do të përligjin më shumë detyrën me përgjegjësinë para krijuesit dhe xhematit Islam.

Mendoj se kjo platformë kualifikimi mund të bëhet dhe objektiv i këshillit të teologëve, i cili mbasi të diskutojë punën që bëhet të kërkojë për ta ngritur cilësinë e kualifikimit në shkallë më të lartë.

Për këtë duhet:

  • Të ngrihet një komision prej tre vetësh për ta ndjekur më nga afër, për të parë nivelin e kualifikimit dhe përgjegjësinë me të cilën bëhet.
  • Të shohë aspektin praktik të punës kualifikuese të imamëve, të kërkohet modeli me shkrim nga secili.
  • Sa myftinitë sigurojnë kushtet për kualifikimin e imamëve, baza materiale dhe ajo financiare .
  • Si bëhen gjetja dhe shpërndarja e literaturës për kualifikim.

 

Xhemal Balla

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit