10.3 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Turpi – Nga Ibn Kajjimi

Më të lexuarat

Prej shkallës: “…Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë…” El Fatiha 5 është dhe shkalla e turpit. Poseduesi i saj është me ndërgjegje të gjallë, dashamirës për qetësinë dhe thjeshtësinë. Turpi është vlerë, meritë islame për çdo musliman me besim të sinqertë tek Allahu. Është ndjenjë vetjake, e cila përkthehet prej tipareve të jashtme të njeriut.

Turpi si moral i Islamit përmendet në hadith:

Enesi ka thënë: “Ka thënë Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! –:‘Në çdo fe ka moral, morali i Islamit është turpi’.” Ibn Maxhe. E ka vërtetuar Albani.

“Profeti në thënien e tij kërkon llojin e lejuar të turpit”. El Munteka, Sherhul Meuta.

Turpi i Allahut të Lartësuar.

Turpi dhe prej cilësive të Allahut

Transmetohet prej Jala se Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! – ka thënë: “Me të vërtetë Allahu është i Turpshëm, Mbulues e do turpin dhe mbulimin…” Ebu Daudi. E ka vërtetuar Albani.

“Është shumë i turpshëm sa që nuk e refuzon atë që i kërkon.” Aunil Ma’bud.

Turpi i Profetit– paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! –

Ka qenë Profeti alejhi selam më i turpshëm ndër njerëzit. Kur urrente diçka sahabët e vërenin këtë gjë nëpërmjet fytyrës së tij. Edhe kur i përcillesh diçka për ndonjë nga muslimanët nuk i kthehej me fjalë, nuk thoshte se çfarë ka filani kështu, por thoshte: “Çfarë ka populli që vepron kështu?!” pa përmendur emrin e ndonjërit për të mos e ofenduar.

Turpi është në disa lloje:

1. Turpi prej Allahut.

Muslimani duhet të ketë edukatë me Allahun, të turpërohet prej Tij duke e falënderuar për mirësinë e Tij dhe pa e mohuar atë (mirësinë). Të mbushë zemrën e tij me frikë ndaj Allahut, të jetë i denjë dhe serioz në madhërimin e Tij. Nuk ka përse të veprohet e keqja, pasi dihet që Allahu shikon, dëgjon. Allahu për ata që veprojnë gjynahe pa patur turp prej Tij thotë:

“Ata fshihen (turpërohen) prej njerëzve, e nuk turpërohen prej Allahut…” En Nisa, 108.

Et Taberi në komentimin e këtij ajeti përmend: “Ebu Xhafer ka thënë se i turpërohen atyre që tradhtuan veten dhe që u zhytën në gjynahe, të cilët nuk kanë mundësi për asnjë gjë, të cilët përmenden për veprat e tyre të këqija. Nuk i turpërohen Allahut, të Cilit nuk i fshihet asnjë gjë prej punëve. Në dorën e Tij është ndëshkimi, shpejtimi i tij. Ai meriton t’i turpërohemi.” Tefsiri i Et Taberi.

“Ky është prej besimit të dobët dhe prej mangësisë së sigurisë. Tek ata frika ndaj njerëzve është më e madhe se frika ndaj Allahut. Përdorin rrugët e lejuara dhe të ndaluara në mënyrë që të mos turpërohen te njerëzit edhe pse e dallojnë Allahun në madhërime, por nuk u bën përshtypje shikimi dhe mbikëqyrja e Allahut ndaj tyre.” Tefsiri i Es Sadi.

“Mbulohen prej njerëzve nga frika e nxjerrjes së veprave të këqija dhe nuk mbulohen e turpërohen prej Allahut që është i dijshëm për çdo gjë të tyre.” Tefsiri El Mujesser.

Muslimani duhet të jetë i vetëdijshëm dhe më se i qartë për mbikëqyrjen e Allahut ndaj tij dhe pikërisht nga kjo vetëdije, turpi ndaj Allahut është më parësor se turpi ndaj njerëzve. Asnjëherë nuk duhet harruar se llogaria e gjithsecilit do të jetë tek Allahu dhe aspak te njerëzit.

Ai që vepron gjynahe duhet të turpërohet prej Allahut me një turp të madh dhe të kthehet tek Ai sa më shpejt që është e mundur duke i kërkuar falje dhe mëshirë.

Abdullah ibn Mes’udi ka thënë se ka thënë Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! –: “Turpërohuni prej Allahut me turp të sinqertë” Tha: ”O i Dërguari i Allahut, ne turpërohemi, falënderimet i qofshin Allahut.” Tha: “Nuk është ashtu, por turpi i vërtet ndaj Allahut është ruajtja e kokës me ato që ajo përfshin, e barkut me ato që ai përmban, kujtimi i vdekjes dhe i sprovës. Kush do ahiretin braktis stolitë e dynjasë dhe kush e vepron këtë vetëm se turpërohet tek Allahu me një turp të vërtetë.” Tirmidhi, e ka vërtetuar Albani.

“Turpërohuni prej Allahut me turp të sinqertë…” D.m.th.: “Turp të qëndrueshëm, të sinqertë dhe të detyruar.” Ka thënë Mundhiri:“Thuhet: ‘Frikësohu Allahut me fikë të sinqertë’.” Tuhfetul Ahuedh.

“…me ato që ajo përfshin…” D.m.th.: “Me kokën përmbledh: gjuhën, sytë, veshët në atë që lejohet përdorimi i tyre.” Tuhfetul Ahuedh.

” …ruajtja… e barkut…” D.m.th.: “Prej të ngrënurit haram.” Tuhfetul Ahuedh.

” …me ato që ai përmban …” D.m.th.:”Përmbledh: organet seksuale, këmbët, duart dhe zemrën. Ruajtja e këtyre organeve duke mos i përdorur në kundërshtimin e Allahut, por në kënaqësinë e Tij.” Tuhfetul Ahuedh.

Jahja bin Muadh ka thënë: “Kush turpërohet prej Allahut me bindje, Allahu turpërohet prej tij kur ai është me gjynahe.”

2. Turpi prej Profetit– paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! –

Muslimani duhet të turpërohet prej Profetit – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! – duke ndjekur sunetin e tij, ruajtjen e asaj me të cilën ai ka ardhur, duke i mësuar dhe i vepruar ato.

Muslimani duhet të ndjekë urdhrat e tij për tek e mira, braktisjen e asaj që ndalon, të ketë dashuri për të, të lutet për të gjithmonë, të lexojë historinë e tij dhe të ngrejë sunetin e tij.

3. Turpi prej njerëzve.

Muslimani duhet të turpërohet prej njerëzve të mos neglizhojë në hakun që u takon atyre, të mos e urrejë të mirën që veprojnë dhe të mos u flitet atyre me të keqe, të mos zbulojë të metat para tyre.

Behzi bin Hakim, transmeton nga babai i tij e ky nga gjyshi i tij: “I thash: ‘O i Dërguari i Allahut, çfarë të mbulojmë prej auretit dhe çfarë të lëmë?’ Tha: ’Ruaj auretin tënd me përjashtim ndaj bashkëshortes tënde ose ndaj atyre që i ke në posedim (robëreshat)’. I thashë: ‘O Dërguari i Allahut, po kur njerëzit janë të përzier me njëri-tjetrin?’ Tha: ‘Nuk duhet ta shikojnë njeri-tjetrin’. I thashë: ‘O i Dërguari i Allahut, nëse ndonjëri prej nesh është vetëm?’ Tha: “Allahu meriton që t’i turpërohesh Atij se sa prej njerëzve’.” Ebu Daudi. E ka vërtetuar Albani.

4. Turpi i njeriut me vetveten.

Patjetër njeriu me moral të lartë, me karakter dhe ndërgjegje të thellë, duhet të ketë turp nga vetvetja e tij. Të turpërohet me veten prej mangësive dhe neglizhencave që bënë. Me turpin ndaj vetvetes tregon në personin e tij qëndrueshmëri dhe stabilitet.

Disa gjykues thonë: “Le të jetë turpi yt ndaj vetës tënde më shumë se ndaj ndonjë njeriu tjetër.”

Ebu Hatemi ka thënë: “Njeriut kur i shtohet turpi ruhet nderi i tij. Kush largon turpin e tij i largohet gëzimi dhe kujt i largohet gëzimi përbuzet prej njerëzve dhe bëhet i urryer. Kush urrehet preket dhe kush preket hidhërohet. Nuk ka ilaç për atë që nuk ka turp. Nuk ka turp ai që nuk ka besnikëri. Nuk ka besnikëri ai që nuk ka vëllazëri. Kujt i pakësohet turpi vepron çdo gjë dhe flet sipas dëshirës.”

Dobia e turpit

Turpi është dhe në të shprehur me qëllim pastrimin e gjuhës prej çdo gjëje që gabon.

Turpi duhet të jetë edhe në marrëdhëniet me njerëzit, në mënyrë që të tregohet morali i vërtetë i myslimanit, duke u larguar prej hipokrizisë, shpikjeve dhe zbukurimeve të panevojshme.

Aliu – Allahu e nderoftë fytyrën e tij! – ka thënë: “Kush vish me turp rrobën e tij njerëzit nuk e shikojnë të metën e tij.”

Thuhet: Me të vërtetë turpi është argument i mirë tërësisht.”

Disa dijetarë kanë thënë: “Realiteti i turpit është morali që dërgohet për braktisjen e së keqes dhe ndalon mangësinë e hakut të tjetrit.

Turpi largon dyshimet. Kush e ndan turpin bie rob i gjynaheve dhe mëkateve.

Turpi ka një vend të madh tek Allahu i Lartësuar, i cili e fton njeriun për te vepra e mirë dhe e largon prej veprës së keqe. Prej kësaj del se turpi është i tëri i mirë, i begatë dhe i dobishëm për atë që e zotëron.

Transmetohet në hadith se Umran bin Husejn – kënaqësia e Allahut qoftë me të! – ka thënë se ka thënë Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! –:“Turpi është tërësisht i mirë.” Muslimi, Ebu Daudi.

Ibn Kajm – Allahu e mëshiroftë!– ka thënë: “Prej gjynaheve dhe mëkateve është largimi i turpit, i cili është lëndë jetike për zemrën. Është baza e çdo të mire. Largimi i tij është largimi i të mirës në tërësi.

Ebu Mes’udi – kënaqësia e Allahut qoftë me të! – ka thënë se ka thënë Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të!–: “Ajo që kanë arritur njerëzit prej thënies së profetëve të parë është: nëse nuk turpërohesh vepro çfarë të duash.” Buhariu, Ibn Maxhe.

“…E ndalon njeriun prej të këqijave dhe nëse e braktisë atë detyrohet të veprojë çdo të keqe. Ka thënë Imam En Neueui: ‘Çështje e lejuar.’ D.m.th.: Nëse do të veprosh diçka dhe nuk turpërohesh prej Allahut e as prej njerëzve e vepron ose nuk e vepron. Thuhet: ‘Është çështje kërcënimi me kuptimin nëse e braktis turpin vepro ç’të duash, por në të vërtetë Allahu është Gjykuesi për të. Kjo tregon se turpi është prej çështjeve madhore…’” “Fet’hul Bari” i Ibn Haxher.

“…kur turpi humbet, njeriut nuk i bënë përshtypje më pas se çfarë vepron…” “Hashijetu” Ibn Maxhe.

Ebu Hurejra – kënaqësia e Allahut qoftë me të! – ka thënë se ka thënë Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! –: “Besimi është shtatëdhjetë e ca pjesë ose gjashtëdhjetë e ca pjesë. Më e mira e tij është thënia LA ILAHE IL ALLAH dhe më e vogla e tij është largimi i pengesës prej rrugës. Turpi është pjesë e besimit.” Muslimi, Ebu Daudi.

Ka qenë një person prej sahanëve i cili qorton vëllanë e tij, e fajësonte për turpin e madh të tij. I kërkon atij që të pakësoj prej këtij turpi. Aty kaloi Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! – dhe e dëgjon këtë.

Transmetohet prej Abdullah bin Umer – kënaqësia e Allahut qoftë me të! – se Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! – kaloi pranë personit që po qortonte vëllanë e tij për turpin, i cili i thoshte: “Ti turpërohesh… deri sa i thotë po të dëmton.” Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! – i thotë: “Lëre! Në të vërtetë turpi është prej besimit.” Buhariu.

“Njofton Ibn Et Tin prej Ebu Abdul Melik se këtu ka për qëllim besimin e plotë. Ebu Ubejd El Hereuiju ka thënë se i turpëruari me turpin e tij shkëputet nga gjynahet dhe bëhet si besim i prerë midis tij dhe gjynahit. Ijadi dhe të tjerë veç tij kanë thënë se është bërë turpi prej besimit edhe nëse është instinktiv, sepse përdorimi i tij në bazë të ligjeve të lejuara kërkon qëllim, përvetësim dhe dije. Ibn Kutejbe ka thënë se turpi e pengon personin që e ka këtë cilësi për kryerjen e gjynaheve, ashtu sikur e pengon besimi. Ka thënë Er Ragib se turpi është brengosja e vetes ndaj së keqes. Është prej të veçantave të njeriut për t’u ndalur nga kryerja e gjërave të qejfit duke mos qenë si kafshët”. “Fethul Bari” i Ibn Haxher.

Turpi dhe besimi janë “shokë” të pandarë

Ibn Umeri – kënaqësia e Allahut qoftë me të! – ka thënë se ka thënë Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! –: “Turpi dhe besimi janë të bashkëngjitura së bashku, nëse njëra prej tyre ngrihet, ngrihet dhe tjetra” Hakimi. E saktëson Albani.

Turpi për muslimanin nuk duhet të bëhet pengesë për thënien e së vërtetës, kërkimin e dijes, urdhërimin në të mira dhe ndalimin nga të këqijat. Në këto thjeshtësia nuk ka pse të kihet turp, por muslimani për këtë duhet të veprojë me edukatë dhe maturi. Kur kërkon dije nuk ka pse të kihet turp për të pyetur atë që nuk e di.

Kanë qenë sahabët që e pyesnin Profetin alejhi selam në çështjet më të holla dhe i përgjigjej atyre pa ndonjë drojë apo turp.

Aishja ka thënë: “…Gratë më të mira janë gratë e ensarëve, të cilat nuk i pengoi turpi që të pyesnin për fenë për ta kuptuar atë.” Ebu Daudi.

Prej turpi të muslimanit është që të ulë shikimin e tij prej gjëra të ndaluara. Gjithashtu, muslimania duhet të veshë rroba të gjëra dhe të jetë e mbuluar sipas kritereve të përcaktuara në sheriat, duke mos paraqitur prej trupit të saj ato që janë të ndaluara. Ta ketë turpin prioritet në sjelljen e saj për të treguar pastërtinë në të gjitha aspektet që i përkasin.

Turpi e bënë besimtarin që të mos njohë fjalën e keqe, sjelljet të pahijshme, vrazhdësisë dhe izolimit, pasi të gjitha këto janë cilësi të banorëve të zjarrit.

Turpi ka një vend të madh tek Allahu i Lartësuar, i cili e fton njeriun për te vepra e mirë dhe e largon prej veprës së keqe. Prej kësaj del se turpi është i tëri i mirë, i begatë dhe i dobishëm për atë që e zotëron.

Ebu Hurejre – kënaqësia e Allahut qoftë me të! – ka thënë se ka thënë Profeti – paqja dhe bekimi i Allahut qoftë me të! –: “Turpi është prej besimit, besimi është në xhenet. E pahijshmja (në fjalë dhe në sjellje) është prej pabesisë, pabesia është në zjarrë.” Tirmidhiu. Gjendet tek Albani në “Es selsiletus Sahihatu”.

Muslimani duhet ta konsolidojë turpin në moralin e tij të domosdoshëm, me qëllim fitimin e kënaqësisë së Allahut.

Shkëputur prej ” Tehdhibu Medarixhis Salikin” i Ibnul Kajim El Xheuzi

Përktheu: Tomor Boriçi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit