22.8 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Trashëguesit e paganizmit

Më të lexuarat

Njeriu. Këtë krijesë Zoti e solli në ekzistencë nëpërmjet një njeriu të vetëm, prej
tij ne trashëgojmë shpirtin ashtu siç trashëgojmë në mënyrë gjenetike edhe trupin.
Allahu i Madhëruar thotë: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra.”
Nga fjalët e Profetit, alejhi salatu ue selam, kuptojmë se edhe veset apo virtytet e ndryshme tënjerëzve në thelb rrjedhin nga e njëjta krijesë ashtu si edhe trajtat e ndryshme fizike të tyre.
“Allahu e krijoi Ademin nga një grusht dheu që e mblodhi nga çdo cep i tokës dhe kështu bijtë e Ademit dolën sipas dheut. Mes tyre ka të kuq, të bardhë, të zinj e ndërmjetëm, e në mes tyre ka njerëz të butë, të ashpër, të lig dhe të mirë.” (Tirmidhiu)
Nga kjo që thamë duam ta vëmë theksin tek një fakt shumë i rëndësishëm, që njeriu në thelb, në natyrën e tij është i pandryshueshëm, ai në çdo epokë të ekzistencës së tij do të shfaqë të njëjtat vese dhe virtyte. Kështu që pavarësisht formës së jashtme dhe masës së secilës prej tyre, që ndryshojnë në periudha të ndryshme të historisë njerëzore, veset dhe virtytet e njeriut janë po ato të cilat Allahu i përshkruan në Kuran për popujt e ndryshëm si dhe për vetë qenien njerëzore, e cila shfaq të njëjtat probleme në çdo vend dhe kohë.
Njeriu që në fillimet e tij u krijua në trajtën e një ene që mund të mbushet dhe mund të zbrazet dhe kjo është pikërisht natyra shpirtërore e njeriut që nuk ndryshon asnjëherë. Kjo do të thotë se njeriu është një qenie e tundueshme, që cenohet nga vesveset drejt së keqes ashtu siç tërhiqet edhe pas së mirës. Pikërisht për këtë arsye është më se e mundur që qenien njerëzore ta tundosh dhe ta joshësh për dy nga mangësitë më karakteristike të mbarë krijesave: mungesën e përjetësisë dhe mungesën e pushtetit absolut. Nëse i kthehemi Kuranit do të vëmë re pikërisht se iblisi e tundoi atin e njerëzimit në këto dy gjëra, Allahu thotë në Kuran: “Por djalli e cyti: “O Adem, a do të të tregoj pemën e përjetësisë dhe të një mbretërimi që nuk zhduket?”

 
Përjetësia dhe pushteti, njëra kënaqësi e mishit dhe tjera e egos. Janë pikërisht këto dy gjëra që e kanë tunduar njeriun gjatë gjithë jetës së tij, në njërën anë përjetësia që i garantonte atij pavdekësinë e dëshirave dhe kënaqësive dhe në anën tjetër pushteti që i mundësonte lavdinë e egos personale.
Nëse shohim problemet e shoqërisë së sotme moderne janë pikërisht këto dy gjëra ato që në thelb përbëjnë shkaktarin kryesor të veseve negative të kësaj epoke.
Njeriu modern i zhveshur nga besimi te Zoti, i zhveshur nga e vërteta e epërme, se përjetësia dhe pushteti absolut nuk janë dhe nuk mund të jenë cilësi e asnjë krijese, për të nuk ka asnjë barriere ideologjike apo parimore që të rend pas tyre, me çdo çmim apo kosto që plotësimi i tyre kërkon. Sipas një mendësisë së njeriut modern nëse nuk ka perëndi që na ka krijuar, atëherë pse të mos jetë njeriu ai që do të bëhet vetë perëndia i vetvetes dhe i kësaj bote?! Por nëse ka perëndi, pse njeriu të mos jetë si ai apo ata, pse ai të mos ia rrëmbej përjetësinë dhe lavdinë kësaj perëndie apo këtyre perëndive?! Ky ishte në thelb konflikti në mes njerëzve dhe perëndive imagjinare p.sh. në Greqinë e lashtë. Joshja për të qenë perëndi, për të jetuar përjetësisht si to dhe për të kënaqur çdo epsh të mishit dhe të egos, nuk ishte dhe nuk është gjë tjetër vetëm se një ëndërr që buron nga injoranca e një bote pagane.

 

Një ëndërr që është ngritur mbi bazat e së pavërtetës, e mosnjohjes së vërtetë të Krijuesit dhe të krijesës. Për këtë dhe qytetërimi i sotëm perëndimor, në thelb si trashëgimtar i atij greko-romak, nuk është veçse një qytetërim pagan, një vazhdimësi atij e qytetërimi idhujtar që krishterimi edhe pse e shtypi nuk mundi dot ta varros. Dhe ja tek ai ngrihet përsëri në këmbë shumë herë më i fuqishëm se para dy mijë vjetësh. Dallimi në mes këtij qytetërimi dhe atij në shumë aspekte është vetëm sipërfaqësor. Nëse në shumë raste idhujtari i epokës antike besonte se duke iu bindur zotave imagjinarë, duke i adhuruar ata, apo shpesh edhe duke i mashtruar dhe luftuar me ta, do të arrinte pavdekësinë dhe pushtetin, idhujtari i kohëve moderne beson se e ka më së fundi në dorë çelësin e suksesit të cilin nuk e zotëronin paraardhësit e tij. Dhe ky çelës –sipas tij- është shkenca, apo njohuria, ai zjarr simbolik që Prometeu u vodhi perëndive greke dhe ua dhuroi njerëzve. Mirëpo këtu nuk bëhet fjalë për dijen që i kumton njeriut të vërtetën e jetës dhe të krijimit, por vetëm për njohuri që lidhen kryekëput me botën shqisore.
Justinian TOPULLI

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit