13 C
Pristina
Wednesday, May 15, 2024


Tërmeti i 79-ës: si u dërrmua Jugosllavia e Titos, si i këndoi Shqipëria rindërtimit

Më të lexuarat

Viktimat kësaj dhe asaj ane të kufirit, në Ulqin e Shkodër, gati njësoj

Pak ditë më parë, do bëheshin 45 vjet nga 15 prilli 1979, kur në orën 7:19 të mëngjesit, një tërmet me magnitudë 7 gradë të shkallës Rihter goditi Malin e Zi.

101 persona vdiqën në Mal të Zi, 35 në Shqipëri dhe mbi 100,000 njerëz mbetën të pastrehë.

Epiqendra e tërmetit ishte në detin Adriatik, mes Ulqinit dhe Tivarit, në një distancë prej 15 kilometrash nga bregu.

Tërmeti zgjati dhjetë sekonda dhe u ndje kryesisht në bregdetin malazez dhe atë shqiptar, duke shkaktuar shkatërrime katastrofike me intensitet IX të shkallës Mercali në të gjithë bregdetin malazez, në një gjatësi mbi 100 km.

Qyteti i Vjetër i Budvës u dëmtua rëndë në dhjetë sekonda të tërmetit. Nga 400 ndërtesa në Qytetin e Vjetër, vetëm tetë mbetën të paprekura.

Pothuajse të gjitha qytetet në bregdet pësuan, 250 vendbanime u shkatërruan, 64.000 ndërtesa u dëmtuan, si dhe 550 kilometra rrugë dhe pjesë të hekurudhës Beograd-Bar.

Ky tërmet ishte “tërmeti më i fortë i regjistruar në historinë e Malit të Zi”, tha për BBC Jadranka Mihaljević, drejtuese e Departamentit të Sizmologjisë Instrumentale dhe Inxhinierike të Institutit të Hidrometeorologjisë dhe Sizmologjisë të Malit të Zi.

“Fillova ta lyej varkën dhe kur filloi të dridhej, vrapova në shtëpi, sepse rreth meje filluan të binin gurë”, kujton Ismet Karamanaga, të cilin ulqinakët e quajnë me shaka “kryetari i qytetit të vjetër”.

Me gruan dhe djalin 17-muajsh ka dalë me vrap nga shtëpia në drejtim të daljes së kalasë.

“Gjithçka rreth shtëpisë sime ishte në gërmadha, kopshti ynë ishte në rrëmujë, tymi dhe pluhuri po ngriheshin, por shtëpia mbijetoi dhe më vonë u shënua me bojë të verdhë, që do të thoshte se mund të rindërtohej”, shton ai.

Në qytet dhe rrethinat e tij u konfirmuan gjithsej 31 viktima.

Ndërsa vija bregdetare malazeze dridhej dhe shembej, presidenti i përjetshëm jugosllav, Josip Broz Tito, po qëndronte në veriperëndim të tij ekstrem.

Atë prill, një vit para vdekjes, ai qëndroi në vilën “Galeb”, një rezidencë verore në banjën Igalo, në periferi të Herceg Novi.

Disa orë pas tërmetit, Tito ka kërkuar që të shkojë në Rivierë dhe të kontrollojë situatën, tha për televizionin N1 Alen Filipoviç nga Instituti “Dr. Simo Millosheviç”, sot pronar i këtij objekti.

“Tito nuk ka dashur të evakuohet, siç kanë sugjeruar ata, por ka kërkuar që të vendoset një tendë në oborr, afër banesës”, tha Filipoviç.

Ai u largua nga aeroporti i Dubrovnikut për në Beograd vetëm të nesërmen.

Kujtojmë se nga ky tërmet, në Shqipëri u godit më së shumti Shkodra, me lagjen e njohur Bahçallëk, e cila pothuajse u rrafshua nga shtëpitë e vjetra. Rindërtimit të Bahçallëkut me shtëpi të reja, do i dedikohej dhe kënga “Lart u ngrit o Bahcallaku, më i bukur se më parë, lart e ngriti partia…”.

Po atë vit, fituese e Festivalit të Këngës në fundviti do ishte kënga “Festë ka sot Shqipëria”, dedikuar pikërisht rindërtimit pas tërmetit, ku në refren thuhej: “O ç’u drodh toka, u ç’u dridh deti, po forcën shqipari o ku e gjeti…”. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit